E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, rregulla të reja për birrën

Ministria e Financave: Autorizim special për çdo importues të maltos në vend

Sasia e maltos që hynte në treg nuk përputhej me birrën e prodhuar, referuar standardeve, për rrjedhojë, Ministria e Financave ndryshon skemën e kontrollit. Bëhet fjalë për udhëzimin e lëshuar pak ditë më parë që kufizon tregun e importit të maltos me vendosjen e kritereve të reja, si dhe lëshimin e autorizimeve nga Ministria e Financave për efekte akcize. Do të jetë vetë ministri personi kompetent që do të lëshojë autorizimin për importuesin e maltos. Aktualisht, birra nuk ka pullë fiskale, kurse tregu është ndarë në dhjetëra fabrika ose punishte të vogla, duke e bërë të vështirë kontrollin ndaj evazionit.

Pika 2 e udhëzimit ndryshon duke caktuar rregullin se importuesi i maltos, që nuk është i autorizuar si tatimpagues akcize, subjekt i prodhimit të birrës, duhet të bëjë kërkesë pranë tatimeve për të marrë autorizimin për import me qëllim tregtie. Autorizimi lëshohet nga drejtori i Tatimeve dhe jepet për një periudhë 1-vjeçare me të drejtë rinovimi. çdo importues duhet të plotësojë disa kritere që janë: të ketë më shumë se tre vjet i regjistruar në organet tatimore si person i tatueshëm i TVSH-së, të jetë duke vazhduar veprimtarinë ekonomike, dhe të mos ketë detyrime tatimore.

Kriteret

Importuesi i autorizuar, për çdo rast të importit të maltos, duhet të depozitojë si garanci përpara zhdoganimit, në një llogari bankare, 120 lekë për kilogram malto të importuar, e cila do t’i kthehet brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes së dokumentacionit të shitjes së maltos të tatimpaguesit e autorizuar si prodhues birre.

Në rastet kur tregtarit i gjenden sasi maltoje të padokumentuar, atëherë ai është i detyruar të paguajë 120 lekë për malto tatim dhe i hiqet e drejta e ushtrimit të këtij aktiviteti duke i tërhequr autorizimin si importues.

Shifrat

Gjatë vitit 2009, mësohet se janë importuar rreth 36.6 milionë litra birrë, ose tre milionë më shumë se viti 2008. Shifrat bëhen publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, sipas të cilës, importi i birrës ka pasur një rritje të qëndrueshme. Gjatë gjithë vitit, muaji gusht që ngulmon me sezonin e verës është periudha kur importi i birrës pëson rritje deri me 150 për qind. Në gushtin e vitit të kaluar ishin importuar rreth 6 milionë litra birrë, pa harruar edhe prodhimin vendas. Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, prodhimi vendas i birrës vjen duke rënë. Më 2008-n, prodhimi vendas ishte 330 mijë litra, kurse në 2007 ishte 35 mijë litra më shumë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›