Polici i burgut urinon kullën, se nuk i pëlqen vendi i punës
Në shenjë proteste, pasi e kanë dërguar në një vend pune që nuk i pëlqente, një punonjës i policisë së burgjeve ka urinuar gjithë objektin dhe më pas e ka braktisur, duke u vetëliruar nga detyra. Ky akt është kryer para pak ditësh nga një punonjës i policisë së burgut të Burrelit. Sipas të dhënave nga burgjet, pikërisht në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, efektivi i policisë së burgut të Burrelit, Xhavit L., ka kryer këtë veprim, kur ka marrë shërbimin e turnit të tretë në njërën nga kullat e rrethimit të jashtëm të institucionit të sigurisë së lartë. Pas pak minutash, ai ka pretenduar se ishte sëmurë dhe ka braktisur detyrën, duke u larguar nga puna. Polici tjetër që e ka zëvendësuar ka vënë re që Xhavit L. kishte urinuar në kullë dhe në armën e punës, të cilën e kishte lënë aty. Pas kësaj janë njoftuar autoritetet e burgut, të cilëve u është bërë e ditur se çfarë kishte ndodhur. Sipas burimeve të besueshme, mësohet se ky efektiv kishte punuar nëpër disa burgje të tjerë, nga të cilët ishte larguar për shkak të problemeve që krijonte. Madje, edhe këtë radhë u kishte kërkuar autoriteteve të burgut një pozicion të mirë pune. Shefi i policisë së burgut e kishte caktuar të kryente shërbimin në kullë, ndërsa ai ishte shprehur se meritonte një detyrë më të rëndësishme. Burime nga burgu pohojnë se pak ditë më parë ky polic ka pasur konflikt me funksionarë të këtij institucioni.
#