E Diel, 1 Nëntor 2026

Modeli një shtet, një komb, një racë dhe një fe, përballë modelit multi, racor, fetar dhe etnik, që vjen nga përtej Atlantikut

Nga Besi BEKTESHI
Kur po bisedoja me një intelektual, i cili patjetër duhet respektuar për mendimet dhe sidomos për jetën nën presion gjatë regjimit të diktaturës feudo-komuniste në Shqipëri, me një çudi të madhe dëgjova që ai të thoshte: Unë jam për modelin një shtet, një komb, një racë dhe një fe dhe patjetër që modeli amerikan nuk ka si të më pëlqejë. U çudita, sepse mendoja se si një intelektual që ka pësuar dhe që di shumë mirë lëvizjet e historisë e deri te pasojat së paku duke i hequr në një farë mënyre lidershipin amerikan të modelit pluri-racë, pluri- religjion dhe etnik do të përkrahte pikërisht respektin e të ndryshmes në një shtet dhe komb, për tju mos iu kthyer luftërave. Por jo, ai ishte i vendosur dhe më thotë se po habitej me mua. Natyrisht i them unë se një pastërti e tillë do të më pëlqente shumë, por kam frikë se për tu pastruar kaq shumë, duhet të thërrasim në ndihmë diktaturën dhe diktatorët dhe të them të drejtën nuk kam shumë dëshirë, përfundova duke u larguar. Nejse... për të qenë një racë, një shtet, një komb dhe një fe është shumë e bukur, por në modelin ku jemi si perceptim demokracie, duket e pamundur. Ne jemi një shtet dhe jo i gjithë kombi, me disa religjione dhe tashti jemi një komb me dy shtete të formuara dhe katër religjione, por jemi pastërtisht ( mbi 90 për qind) një racë dhe kemi edhe enklava shqiptare (etnikisht në troje të tyre) të mëdha, në shtetet e tjera përqark. Në fakt ngjajmë shumë me një model multi dhe me sa duket kjo, është edhe një nga arsyet që amerikanët na pëlqejnë. Praktikisht në shtetet europiane me të tilla karakteristika si të tonat nuk ka të tjerë në NATO edhe pse kanë të huaj që janë pasoja kolonializmi apo emigracioni për sa i përket religjionit, etnive dhe racave. Shpesh herë lidhja e shkurtë midis kombit dhe fesë ka sjellë një ashpërsim të jashtëzakonshëm dhe kur i është shtuar edhe shteti dhe territori, atëherë ka plasur lufta. Ka shembuj të tillë dhe nuk ka nevojë për shumë histori, sepse vetëm në Ballkan ka pasur xhelatë që kanë vrarë për këtë fe, racë dhe tokë dhe nuk janë shumë larg nesh edhe sot e kësaj dite.
Mirëpo sot Presidenti i Amerikës Obama, natyrisht ka sjellë edhe tjetër trend në politikat botërore. Jo nuk është problemi i racës dhe ngjyrës së tij. Është problemi që ai po mundohet të riparojë disa shkarje të marrëdhënieve midis botës së qytetëruar, demokratike dhe perëndimore që është kryesisht kristiane si katolike dhe protestante, me botën islame. Sulmet e Al Kaeda-s  dhe luftërat e Amerikës dhe botës së lirë ndaj terrorizmit, patjetër që kanë përmbysur disa raporte shumë të mira të viteve më përpara atyre 2000-jë që sidomos USA dhe BE kishin me botën islame ose myslimane. Presidenti Obama ka theksuar dhe tani përsëritur me forcë se mbështet fortësisht hyrjen e Turqisë në BE. Këtë jo vetëm në takimin e G20-tës dhe në NATO-s, por edhe parlamentin turk. Por, Obama në këtë pikë të rëndësishme të një prej shteteve të vetëm drejt demokracisë së plotë dhe me besim mysliman ka deklaruar: USA nuk është, dhe nuk do të jetë kurrë në luftë me islamin... Barack Obama ka deklaruar akoma më shumë se: Në realitet, partnershipi jonë me botën islamike ka ne themel për të mos pranuar një ideologji të harruar që njerëz të të gjithave besimeve, nuk i pranon. Së bashku me frazën e parë, kjo thënie... gati-gati arrin të bllokojë përfundimisht një rrugë jo shumë të qartë të botës së sotme deri në momentin e tanishëm. Një kthesë e madhe e administratës amerikane. Por Obama ju ka bërë të qartë të gjithëve që këto relacione me botën islamike bazohen në opozicionin e qartë përballë Al Kaeda-s. Obama sjell modelin e fesë islame në Amerikë dhe dorën e shtrirë për miqësi, por edhe objektivin e përbashkët dhe ëndrrat e përbashkëta. Megjithatë Obama ka ndryshuar kurs dhe ka shpjeguar se janë bërë tepër gabime me marrëdhëniet dhe ka pasur parasysh botën myslimane, invazionin e Irakut, shpalljen e Iranit si aks të së keqes dhe raportin e Izraelit me Palestinën. Ai është zotuar të rregullojë dhe të impenjohet në këto drejtime, por ka thënë se: Shtetet nuk lëvizin shpejt, sepse nuk janë motoskafë, por naftëmbajtëse që lëvizin ngadalë dhe duhet kohë. Natyrisht që vizita e parë në botë e Obamës në Europë dhe pastaj shumë shpejt në Turqi të cilën e ai e promovon për në BE, kanë një domethënie të madhe. Në fakt të gjithë e kuptojnë se me administratën Obama ka filluar një erë e stabilizimit të marrëdhënieve të Amerikës dhe mbas saj të të gjithë botës perëndimore me botën e vendet islamike. Por kjo sipas modelit amerikan, sepse pikërisht ky është edhe modeli që sipas amerikanëve mund të funksionojë dhe se në fakt është pranuar se të gjithë të tjerët, nuk kanë funksionuar deri më tani. Franca dhe Sarkozy kanë problem me pranimin e Turqisë në BE dhe patjetër që nuk është vetëm popullsia e madhe myslimane atje, por edhe niveli i demokracisë. Por Amerika shtyn fort në drejtim të pranimit të shtetit gjysmë aziatik dhe gjysmë europian turk, me histori të madhe dhe trashëgimi si në luftë dhe bashkëpunim me perëndimin. Kuptohet se në Europë është e vështirë të konceptohet modeli Amerikan edhe pse shpesh herë Europa ka standarde të tilla demokraci dhe jetese, që shumë prej shteteve amerikane e kanë zili, por në fakt akoma ka modele tabu dhe të konservuara mirë të mono, religjionit, mono racës dhe mono kulturës në përgjithësi. Europa është një demokraci e madhe që ka hequr dhe provuar shumë gjatë historisë së saj të gjatë, por që sot e ka të vështirë të funksionojë për nga tradita si USA. Bie fjala, edhe një shtet super kulturor dhe demokratik si Franca, e ka të vështirë të ketë një president me origjinë algjeriane dhe mysliman ose qoftë edhe jo të bardhë. Kuptohet se është shumë e vështirë, por kuptohet se është edhe model tjetër që duhet të vijë koha të pranohet ose të perceptohet. Po këtë gjë kanë edhe Gjermania dhe Britania dhe nuk mund të thuhet aspak, se nuk kemi të bëjmë këtu me kultura të jashtëzakonshme botërore, përkundrazi janë kolona të mëdha të botës demokratike. Por me sa duket modeli amerikan është ai që tani kërkon të implementohet gjerësisht edhe pse tradicioni dhe kultura europiane është një model i jashtëzakonshëm në botë. Gjithsesi bota po bëhet më multi dhe ky është fakt i pamohueshëm. Tranzicioni midis dy kulturave demokratike, por të ndryshme, është një proces në vete dhe që do kohë, dhe ne jemi pikërisht në mes të këtij tranzicioni sidomos tani mbas pranimit në NATO. Megjithatë jemi europianë dhe me mik të madh, Amerikën.

Last Updated on Thursday, 09 April 2009 09:53

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›