NATO dhe Edvini
Nga Fatos Hoxha*
Dje, gjithë Shqipëria festoi anëtarësimin e vendit në NATO. Për këtë ditë do të flitet shumë. Është një ditë që më shumë se na takon neve, i përket historisë.
Si rrallë në ndonjë vend tjetër, shqiptarët gëzuan masivisht.
Por gjendet gjithnjë një njeri që në ngjarje të mëdha kërkon të bëjë dy lajme. Kërkon të zhvendosë vëmendjen nga ngjarja e madhe, kërkon të vjedhë ngjarjen e madhe.
Për fat të keq, ky njeri është kryetari i partisë më të madhe të opozitës dhe nuk e ka për herë të parë.
Në 10 qershor të vitit 2007, Shqipëria përjetoi një ngjarje historike - vizitën e Presidentit Bush në Tiranë.
Në Tiranë, Presidenti i superfuqisë së vetme të botës, paratha afrimin e dy ngjarjeve më të mëdha që i kanë ndodhur kombit shqiptar në historinë moderne:
Kosovën e pavarur dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Unë tani po bëj para jush një pyetje retorike?
“A kishte lajm më të madh se deklarimi i Presidentit Bush: Enough is enough, Kosova do të jetë e pavarur.
Vetëm një mendje diabolike do të mendonte të prishte festën e shqiptarëve, të tërhiqte vëmendjen e tyre me lajmin se në Fushë-Krujë, në vendin ku natyrshëm u shfaq mirësia dhe mikpritja tradicionale e shqiptarit, iu vodh ora Presidentit Bush.
Mediat e kontrolluara prej tij dhanë me ngazëllim “lajmin” që për fat të keq bëri xhiron e botës.
Për orë të tëra, madje për dy ditë me radhë, titulli i lajmeve nga Shqipëria dhe kronikat televizive të stacioneve botërore u përqendruan tek ky “lajm” i trilluar nga zoti Rama dhe i shpërndarë nga kanalet e tij të informacionit.
Megjithëse Shtëpia e Bardhë dhe vetë televizionet prestigjioze amerikane sqaruan këtë gënjeshtër të shekullit, dëmi u bë.
Pasi çdo gjë u bë e qartë si drita e diellit, pritej të paktën një ndjesë publike, megjithëse, edhe nëse do të ishte bërë do të ishte njëlloj me një “më fal, se të vrava”.
Ndjesa për këtë ngjarje nuk është bërë sot e kësaj dite. Nuk i është kërkuar ndjesë as banorëve të Fushë-Krujës, as shqiptarëve dhe as opinionit publik ndërkombëtar.
Kaq për herën e parë.
Rasti i dytë. Data 4 prill, ditë e shtunë, dita që është ngulitur në kujtesën kombëtare si “mrekullia e lirisë”.
Si ish-ushtarak dhe besoj se të gjithë oficerët e drejtuesit e Forcave të Armatosura e dinë mirë se çfarë do të thotë të marrësh certifikatën e sigurisë.
E pra, në ditën e festës së shqiptarëve, kryetari i partisë së Bashkisë së Tiranës, mendoi të zhvendoste vëmendjen, duke nxituar të bëjë një festë paralele.
Një përpjekje hileqarësh që i dhanë përgjigje shqiptarët.
ǒështë ky njeri që nuk ka qejf të shohë njeri të gëzuar?!
ǒështë ky kryetar bashkie, që na ka bërë të harrojmë se kemi opozitë?
Opozita është lakmuesi që mat shkallën e demokracisë së një vendi.
Ku është opozita? Ku janë njerëzit që kanë 20 vjet kontribut në politikën shqiptare? Nuk po i shohim gjëkund.
Në ekrane, në rolin e liderit, kryebashkiakut, këngëtarit, në rolin e dëgjuesit të vëmendshëm të halleve të njerëzve, në rolin e këshilluesit që nënë Ferideja të thyejë ligjin… shohim vetëm një portret. Portretin e piktorit Edvin Rama.
Opozita nuk është një njeri, sepse edhe nëse do të ishte një, ky nuk bën, se ka konflikt interesi. Nuk ka qenë asnjë ditë në opozitë.
Është një njeri që nuk rri dot asnjë orë në opozitë. E shihni që ka frikë të lërë bashkinë dhe të kandidojë për deputet?!
Nga viti 1998, kur lideri historik i socialistëve e mori me thonj të paprerë nga Parisi, ky njeri ka qenë vetëm në pushtet (ndoshta, më duhet të korrigjoj pak veten, - unë nuk po them se ka ardhur me thonj të paprerë, unë po them se tani i kanë dalë thonjtë… Dhe u përpoqa të jem korrekt duke cituar Fatos Nanon).
“Huqi del me shpirtin”, - thotë një fjalë e vjetër nga anët tona. Edhe me anëtarësimin në NATO, njeriu që doli e përshëndeti gati si me zor dhe vetëm pas kujtesave të pozitës dhe shtysës së medias, mendoi se do të bëhej sërish lajm, këtë radhë duke pasur veten në qendër të vëmendjes.
Një përgjigje e mori dje. Përgjigjen tjetër do ta marrë më 28 qershor.
E gënjen mendja se do të fitojë duke kontrolluar ekranet me telefona e sms.
Një ditë, po dëgjoja një analist në një stacion televiziv që si me gjysmë shaka po thoshte: “Për çdo ngjarje që i ndodh qeverisë “Berisha” e çdo përmase qoftë, shqiptarët e shohin live në të gjitha mediat, por po të kishte qenë Rama në vend të Berishës, jo vetëm që nuk do ta kishim parë, por as do ta kishim marrë vesh ngjarjen e ndodhur”.
Unë nuk jam mjek specialist që t’i jap përgjigje këtu pyetjes së madhe: Pse nuk feston ky njeri?
Por si njeri që kam një mandat në këtë Kuvend nga zgjedhësit, kam gjithë të drejtën të shtroj pyetjen: Pse ky njeri kërkon t’u prishë festat e mëdha shqiptarëve?
Unë nuk jam mjek specialist që t’i jap përgjigje pyetjes: Pse ky njeri nuk buzëqesh ndonjëherë, por vetëm ngërdheshet? Por si qytetar i këtij vendi shqetësohem kur ky njeri ngryset kur njerëzit qeshin dhe festojnë.
Unë nuk di të jap përgjigje nga ana shëndetësore, se pse ky njeri feston në fatkeqësi dhe ngryset në festë, por jam i sigurt se një përgjigje gjithsesi do ta marrë më 28 qershor.
*Deputet i PD-së