Kontrata e ARMO-s ndez debatin në komision
Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar dje pa votat e opozitës kontratën e privatizimit të kompanisë ARMO. Pika e nxehtë e debatit ishte ajo e vlerës së investimit pas shitjes, e cila në tenderin e hapur është deklaruar 240 milionë euro dhe në kontratë e njëjta shifër është në dollarë. Sipas deputetit socialist Erion Braçe, ky është një problem shumë i madh dhe për më tepër nuk ka asnjë lloj sqarimi në materialin e Këshillit të Ministrave. Por sipas zëvendësministrit të Ekonomisë, Neritan Alibali, bëhet fjalë vetëm për një lapsus gjatë procesit të ankandit. “Mund të vini të hapni dokumentet e dorëzuara dhe të gjitha diskutimet e analizat janë bërë mbi këtë bazë. Mund të flitet për një gabim njerëzor”, u shpreh Alibali.