E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjana: Do kompensohen fermerët

 

“ Kompanitë private që kanë furnizuar me këtë farë misri, do të dëmshpërblejnë të gjithë fermerët që janë dëmtuar nga përdorimi i saj. Deklarata nga kompanitë është bërë publike më datën 4 shtator 2008. Dëmshpërblimi do të llogaritet bazuar në sipërfaqet e verifikuara për çdo fermer dhe rendimentin për hektar sipas zonave”, këtë deklaratë bëri dje ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Sipas tij, MBUMK e ka monitoruar dhe po e monitoron hap pas hapi këtë proces, por pavarësisht deklaratave politike të opozitës, asnjë lek nga buxheti i shtetit, asnjë lek nga fondet e taksapaguesve shqiptarë, nuk do të përdoret për këtë dëmshpërblim. I menjëhershëm ka qenë reagimi Partisë Socialiste pas deklaratës së ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit. Zëdhënësja e kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, e cilësoi aspak  dinjitoze për një qeveri që t’u kthejë kurrizin qytetarëve të dëmtuar. “Ministri i qeverisë “Berisha” tregoi sot se për këtë Kryeministër e për këtë qeveri në fshat s’ka njerëz, por qenie të gjalla që duhet ta gjejnë vetë rrugën e mbijetesës edhe kur për faj të shtetit mashtrohen nga privati, që u shet farë misri false. Këtyre qeveritarëve të paaftë e të pandjeshëm ndaj hallit të madh të mijëra familjeve po u lexoj nenin 44 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë: “Kushdo ka të drejtë të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore”, tha Kodheli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›