E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata e re energjisë, hyn në fuqi më 1 janar 2012

Nga 1 janari i vitit 2012 konsumatorët dhe bizneset do të kenë një kontratë të re për furnizimin me energji elektrike me kompaninë çeke CEZ, e cila do të ketë në fokus të drejtat e konsumatorit dhe përgjegjësitë në rritje për të dyja palët. Drejtuesit e Entit Rregullator të Energjisë shpjegojnë se në fillim të shtatorit do të nisin seanca dëgjimore me palët e interesuara, ku do të merret dhe mendimi i tyre, përpara se të bëhet miratimi përfundimtar nga bordi drejtues i ERE-s, i kontratës së re. “Në fillimet e muajit shtator ne do të bëjmë edhe tri seanca dëgjimore me grupet e interesit. Një seancë dëgjimore do e bëjmë në qytetin e Fierit. Një seancë dëgjimore në Shkodër dhe një tjetër në Tiranë. Në këto seanca dëgjimore ne do të dëgjojmë mendimin e qytetarëve, bizneseve dhe përfaqësuesve të organizmave lokalë, siç janë bashkia dhe prefektura. Dhe pas marrjes së të gjitha këtyre vërejtjeve që do të na vinë nga këto grupe interesi, ne do të përgatisim materialin përfundimtar për bord, që të miratohet kjo kontratë. Shpresa jonë është që vitin e ardhshëm të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe bizneset të kenë një kontratë të nënshkruar me kompaninë CEZ”- shprehet drejtori juridik në ERE, Agim Neshi.

Kontrata e re, e cila tani paraqitet në formën e një drafti, parashikon rritje të penaliteteve në rast se qytetarët nuk paguajnë në kohë faturat e energjisë, por edhe për kompaninë CEZ, në rast se nuk furnizon me energji konsumatorët, apo kur këtyre të fundit u digjen pajisjet shtëpiake për shkak të luhatjeve të tensionit, CEZ duhet t’i dëmshpërblejë. “Për herë të parë ne si aneks të kësaj kontrate do të paraqesim për miratim edhe një draft që ka për qëllim të vendosë kushtet e furnizimit me energji elektrike, si nga pikëpamja e sigurisë së energjisë elektrike, ashtu edhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike. Dhe të dyja këto do të jenë aneks i kontratës dhe kontrata do të vendosë detyrime për marrëdhëniet midis përdoruesve dhe kompanisë, si nga ana e furnizimit me energji elektrike ashtu edhe marrëdhënieve komerciale ndërmjet tyre. Pra, kur flasim komerciale, kohë e pagesës, penalitete për pagesën, penalitetet që do të ketë kompania vetë, nëse ajo nuk i kryen ato funksione në rregull sipas gjithë këtyre kushteve teknik”,- sqaron Neshi.

Kontrata e re e furnizimit me energji elektrike pritet t’i japë më shumë të drejta konsumatorit shqiptar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›