Prodhimi i energjisë bie me 45,1% në 6-mujorin e parë, shkak thatësirat
Temperaturat e larta të këtij sezoni veror që kanë shkaktuar thatësira të tejskajshme ndryshe nga çdo vit paraardhës, kanë bërë që prodhimi i energjisë në vend të bjerë në gjashtëmujorin e parë të vitit. Statistikat e INSTAT tregojnë se energjia elektrike e përftuar nga të gjitha burimet në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011 u ul me 16.4 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2010. Kurse prodhimi total i energjisë elektrike në vend u ul me 45.1 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2010. Dhe është pikërisht thatësira e muajve të nxehtë pa reshje shiu që ka ndikuar në mosprodhimin e energjisë elektrike në vend. Duke iu referuar të njëjtave statistika, energjia elektrike e prodhuar në gjashtëmujorin e parë 2011 është 2,502 GWh dhe zë 63.3 për qind të sasisë gjithsej të energjisë. Ndërsa, prodhimi i hidrocentraleve u ul me rreth 46.1 për qind, duke dhënë ndikimin kryesor në rënien e burimeve të energjisë elektrike. Ky prodhim këtë gjashtëmujor zuri 96.1 për qind të prodhimit gjithsej në vend. Rritje të lehtë prej 9.9 për qind ka energjia e prodhuar nga impiantet private e me koncesion krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. TEC-et gjatë gjashtëmujorit të parë 2011 nuk kanë prodhuar energji elektrike. Të dhënat e INSTAT tregojnë për importin (përfshirë këmbimet) e energjisë se është 1,452 GWh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm ishte 177 GWh. Kjo sasi përbën 36.7 për qind të sasisë së energjisë elektrike të përftuar gjithsej në gjashtëmujorin e parë 2011 nga 3.7 për qind që përbënte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010. Në të njëjtën kohë, humbjet në rrjet janë ulur me 3.8 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë 2011 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Humbjet gjithsej për gjashtëmujorin e parë 2011 janë 1,237 GWh. Ato përbëjnë 31.3 për qind të sasisë së energjisë për përdorim. Humbjet në shpërndarje zënë 92.3 për qind të sasisë së energjisë së humbur në rrjet. Përdorimi nga konsumatorët është rritur me 8.7 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë në vitin 2010.