OSBE: Pronat në Jug, kompromis mes 7501-it dhe pronarëve
Juristi i kontraktuar nga OSBE, John Keefe, menaxher i BE-së për projektin e regjistrimit të tokave në bregdetin e Jonit në Shqipëri, sugjeron autoritetet shqiptare të gjejnë një kompromis mes zbatimit të ligjit 7501 dhe kthimit të pronës te pronari i vërtetë. Në një intervistë dhënë Radio Deutche Welle-s shqiptare ai është shprehur se “Ky ligj bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ligji 7501 nuk ka më fuqi të veprojë. Ai nuk mund as të retushohet, sepse bie ndesh me Kushtetutën.” Sipas tij, situata në terren sugjeron kompromisin: “Nuk ka një konsensus për ligjin 7501. Ka një spektër qëndrimesh ndaj këtij ligji. Ka nga ata, që e kundërshtojnë në parim ligjin 7501 dhe kërkojnë kthimin e të gjithë tokës bujqësore, që është prona e tyre. Të tjerë e konsiderojnë ligjin si një zgjidhje të arsyeshme, nisur nga kushtet e Shqipërisë në vitin 1991. Këta e mbështesin ligjin, por kundërshtojnë abuzimet, që janë bërë në zbatimin e tij. Nëse do ta krahasoja zgjidhjen e situatës së pronësisë në këtë zonë me një lojë, ku njëra palë fiton gjithçka dha pala tjetër humb gjithçka, do të thoja që kjo nuk çon në zgjidhje të qëndrueshme, pasi duhet të ketë konsensus dhe kompromis. OSBE jep sugjerime, autoritetet shtetërore shqiptare marrin vendime”- thotë menaxheri Keefe. Procesi teknik i mbledhjes dhe menaxhimit të dokumenteve ligjore të pronarëve të ligjshëm në zonën e bregdetit të Jonit përfundon në dhjetor të këtij viti. Në përfundim të tij, OSBE do të japë rekomandimet e saj për zgjidhjen e çështjes së pronësisë në këtë zonë, të njohur si Riviera e Shqipërisë. “Marrja e vendimeve është në dorë të institucioneve shtetërore shqiptare. Ajo që OSBE u thotë pronarëve në zonën e bregdetit të Jonit është: nëse keni pretendime për pronësi mbi tokën, sillni çdo dokument, që keni, OSBE do t'i mbledhë këto dokumente në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, do t'i menaxhojë ato përmes një përqasjeje teknike, në mënyrë që vendimmarrësit në Shqipëri të shohin se cila është situata aktuale në terren. Në fund të fundit, është përgjegjësia e institucioneve shtetërore të marrin vendimet përfundimtare”, shprehet John Keefe për Deutche Welle. Por nga ana tjetër, shoqata ”Bregdeti” e pronarëve ka përcaktuar tanimë zgjidhjet, për të cilat ajo si pjesë e procesit do të luftojë të realizohen.“T'u jepet toka pronarëve të ligjshëm në bazë të dokumenteve që ata disponojnë, të kompensohen me toka në pronësi të shtetit ata pronarë legjitimë, kur një pjesë e pronës së tyre është zënë nga ndërtime ilegale dhe së fundi ata banorë rezidentë në bregdetin e Jonit, që trashëgojnë nga prindërit e tyre më pak tokë, nga sa kanë nevojë për të jetuar, të kompensohen me toka në pronësi të shtetit në bregdetin e Jonit, pasi këto toka po përdoren tani vetëm për qëllime turistike”, thotë Thoma Rusha.
Projekti për regjistrimin e pronave në bregdetin e Jonit është i financuar nga BE dhe i menaxhuar nga OSBE. Projekti në fjalë, i cili pritet të përfundojë në dhjetor të këtij viti synon të zgjidhë problemin e titujve të pronësisë në këtë zonë me potenciale të larta turistike. Ky projekt menaxhohet nga OSBE dhe është financuar me 1, 5 milion euro nga BE dhe 186 mijë euro të tjera nga SHBA, Republika Çeke, Zvicra dhe Greqia. Realizimi i tij ka të bëjë me mbledhjen e të gjitha dokumenteve ligjore, që kanë banorët e kësaj zone lidhur me pronat e tyre. Në proces merr pjesë edhe Shoqata “ Bregdeti”, që mbron interesat e pronarëve të ligjshëm të kësaj zone. Thoma Rusha, anëtar i kryesisë së kësaj shoqate, shpjegon se cilat dokumente konsiderohen të vlefshme për të paraqitur pretendimet për pronat: “Do të merren në konsideratë dokumentet e Kadastrës së vitit 1946-1952 dhe çdo lloj dokumenti arkivor i kohës së Zogut. Po kështu, ato të para reformës agrare të vitit 1946”, thotë z. Rusha. Në të njëjtën kohë, sipas John Keefe, procesi i mbledhjes së dokumenteve do të jetë transparent dhe përfshirës.