E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluturimet ajrore, bum rritjesh këtë vit

Viti 2011 ka sjellë një bum rritjesh në numrin e fluturimeve ajrore nga Shqipëria drejt destinacioneve të ndryshme të botës, si dhe anasjelltas. Burimet zyrtare në Ministrinë e Transportit njoftuan dje se, nëse do t’i referoheshim të dhënave për transportin ajror, rezulton se kemi një rritje prej 23% të numrit te pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, ku numri i pasagjerëve ka qenë 644 914 dhe aktualisht ka shkuar në 793 995 pasagjerë. Rritjen prej një 23% të numrit të pasagjereve mund ta përkthejmë si pasojë e shumë faktorëve, ku sigurisht më i rëndësishmi mbetet: Shqipëria destinacion turistik, tashmë i preferuar nga shumë turistë të huaj, por sigurisht një ndikim ka pasur edhe liberalizimi i vizave, që u dha mundësinë shqiptarëve të udhëtonin drejt të gjithë destinacioneve të botës. Përsa i përket numrit të hyrje - daljeve të pasagjerëve, kemi përkatësisht një rritje prej 25% te hyrjeve dhe 22% të daljeve, krahasuar me një vit më parë, ku numri i pasagjerëve që kanë hyrë nga 314 734 ka shkuar përkatësisht në 392 462, ndërsa numri pasagjerëve të dalë nga 330 180 ka shkuar në 401 533. Krahas rritjes së numrit të pasagjerëve, risi tjetër për këtë vit ka qenë edhe shtimi i destinacioneve të reja të fluturimeve, ndërkohë që këtë vit Shoqëria Ajrore “Belle Air” vendosi në funksion të pasagjerëve linjë direkte. Po kështu mund të përmendim linja të tjera, të reja, me destinacion Athinën, Barcelonën, Genovën, Londrën, Parisin, Rhodosin dhe Zurichun. Shtimi i këtyre linjave të reja ajrore ka shkurtuar në mënyrë të ndjeshme udhëtimin për në këto destinacine, të cilat më parë ofroheshin vetëm me anë të tranzitit dhe jo me linja direkte.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›