E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata me Kuzhen Duka ka si afat diten e hene

Zarfet me CV po shtohen e po bëhen mal në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe presidenti do të duhet të lodhet ca derisa t’i shqyrtojë të gjitha. Posti i kombëtares kuqezi lakmohet tej mase, ndërsa është pikërisht një periudhë kur mund të ndodhë “revolucioni”, por pragu i vendosur nga Duka është dita e hënë, ditë kur do të ketë një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe ku presidenti do të këshillohet me forumin e lartë.

Vetëm pas të hënës mund të bëhet hapi i dytë dhe ky hap do të jetë biseda me Josip Kuzhen, trajnerin aktual. Burime në Federatë bëjnë me dije se kroatit i është lënë një pikëpjekje sa më shpejt dhe se do të jetë një bisedë me propozime nga të dyja palët.
A do të rinovohet apo jo me Kuzhen kjo mbetet të shihet dhe do të varet nga analiza që do t’i bëhet dy vjetëve të punës së tij, nga objektivat që do të vendosen në tavolinë, por padyshim dhe fuqimisht nga ana financiare, pasi për 2 vitet e ardhshme, FSHF nuk do të përfitojë të ardhura të larta nga e drejta televizive e ndeshjeve të ekipit kombëtar në kampionatin botëror të vitit 2014.

Vetë kroati ka deklaruar për “Jutarnji List” se ka marrë ofertë nga shqiptarët, ka shtuar se ndihet disi i pafuqishëm për të vazhduar dhe se do të donte një detyrë klubi, por se nuk dëshiron t’i thotë “jo” punëdhënësve, edhe për shkak të kujdesit që treguan për të, gjatë sëmundjes që pati.

Përtej Kuzhes, kandidaturat janë të shumta dhe po vazhdojnë të shtohen. Në dyert e Federatës kanë trokitur mjaft trajnerë, që flasin shqip, anglisht apo gjuhë të tjera, ndërsa ka nga ata që janë shkarkuar nga detyra edhe vetëm para dy muajve.

Një prej tyre është edhe Zllatko Kranjçar, patrioti kroat i Kuzhes, i shkarkuar nga Mali i Zi vetëm pak javë më parë, pikërisht më 2 shtator të këtij viti, pas humbjeve 2-3 ndaj Shqipërisë në Shkodër dhe 2-1 në Uells. Ndërkaq, i përmenduri nga mediat, Ervin Koeman, ka nisur punën si trajner i Utrehtit në Holandë, ndërsa për Dukën pak rëndësi ka nëse trajneri do të jetë shqiptar apo i huaj. Sipas burimeve në Federatë, presidenti kërkon që ky institucion të jetë sa më i fuqishëm, i pavarur dhe i mbështetur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›