E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri, përplasen banorët dhe emergjencat

 

SHKODER – Abuzime me deklarimet për dëmet e shkaktuara nga zjarri i 18 gushtit në 8 fshatrat e Malësisë së Madhe. Kreu i zjarrfikësve në Shkodër, Ilir Kopliku, pohoi dje se nuk ka banesa të djegura apo sipërfaqe të mbjella të shkatërruara nga flakët. Sipas tij, i vetmi dëm është kamioni, i cili ishte dhe shkaktari i zjarrëvënies pas kontaktit të barit që transportonte me telat e tensionit të lartë. Kundërshtimet mes banorëve dhe zyrtarëve të Shkodrës lindën kur filloi mbledhja e dëmeve të shkaktuara. Banorët pretendojnë se u janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa nga ana tjetër strukturat e policisë dhe shtabi i emergjencës pohojnë se janë djegur vetëm shkurre, e jo toka të kultivuara. Vetë banorët pohojnë se nga flakët që zgjatën disa orë u dogjën 5 shtëpi, 3 prej të cilave të banueshme, por që familjarët e tyre ndodheshin  në emigracion, ndërsa dy të tjera të braktisura. Kopliku, shef i zjarrfikësve, e argumenton mohimin e tij se, “duke iu referuar shkresave zyrtare, rasti i deklaruar nga fshatarët si djegie më 18 gusht ka ndodhur më datë 13 gusht. Banorët duke parë publicitetin e bërë për zjarrin e së hënës, kanë bashkuar zjarrin e rënë në shtëpitë e tyre një javë më parë me ngjarjen e 18 gushtit. Kemi dokumente të sakta, të cilat vërtetojnë se mëngjesin e 13 gushtit u dogjën dy ndërtesa 2-katëshe dhe një tjetër 1-katëshe të braktisura prej më se 10 vitesh. Kjo shkresë është e datës 14 gusht dhe më është kërkuar nga prefekti që të bëhet akt-ekspertiza”, shprehet Kopliku. Një prej banorëve, Zyhdi Smakaj, pohon se shtëpia e motrës së tij është shkrumbuar plotësisht. “Ajo pritej të vinte nga emigracioni më 25 gusht për të kaluar disa ditë pushimi, por shtëpia iu dogj plotësisht. Zjarri i rënë më 18 gusht përfshiu 8 fshatra të komunës Gruemirë: Demiraj, Grizhë, Çezmë, Gjorm, Qari Sipër, Mushqeraj, Dud dhe Podgorë të rrethit Malësi e Madhe.                 r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›