E Diel, 1 Nëntor 2026

150 punonjës në Korçë, nisen për në punë, por gjejnë drynin

Kanë shkuar në punë, por e kanë gjetur derën mbyllur. Kjo u ka ndodhur të paktën 150 punonjëseve të dy firmave private në Korçë. Punëtorët e dy firmave, një për prodhim veshjesh dhe një tjetër për prodhimin e çantave, të dyja me pronarë grekë, janë vënë para faktit se puna është mbyllur. Pa një shkak të qartë dhe pa asnjë sqarim, punëtorët kanë dyshuar se fabrikat mund të kenë shpallur falimentin. Të paktën 150 punonjëse u janë drejtuar sindikatave të pavarura dhe institucioneve lokale me pretendimin se pronarët mund t‘u kenë vënë kyçin përfundimisht fabrikave, edhe për faktin se nuk u kanë shlyer pagat mujore. Prej dy muajsh, pronarët nuk u kanë dhënë rrogat, me pretendimin se kanë pasur disa probleme financiare. Sipas kryetares së sindikatave, i është kërkuar inspektoratit që të kryejë një kontroll ndaj këtyre firmave edhe për faktin se dyshohet se punëtorët kanë qenë të pasiguruara edhe pse ju është mbajtur nga paga mujore pjesa e shumës për sigurimet. Bëhet fjalë për firmat "Damson" dhe "Pagagin". "Kemi dy muaj pa marrë rrogat dhe sot e kemi gjetur derën të mbyllur. Nuk e dimë se ç‘po ndodh dhe dyshojmë se firma mund të jetë larguar fare pa na dhënë paratë", thotë Eftali Doku, e punësuar në njërën nga firmat. Sipas degës së tatimeve, firmat nuk kanë njoftuar mbylljen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›