Niset për kafe e kthehet vrasës

Dëshmitë rreth vrasjes së Ardian Mujës. Fejesa e së motrës me një ish-burrë të martuar dhe me precedent penal, çoi në konfliktin që degjeneroi në vrasjen e 30-vjeçarit dhe plagosjen e 22-vjeçares. Ende paqartësi për mekanizmin e vrasjes
SHKODËR - Fejesa e së motrës me një ish-burrë të martuar e për më tepër me precedent penal, duket se ishte “molla e sherrit” në familjen Bushati, që gjeneroi në një vrasje në orët e mbrëmjes së të shtunës. Autori i vrasjes së kunatit të tij dhe vetë e fejuara e viktimës dhanë dje deklarimet e tyre në lidhje me ngjarjen në policinë e Shkodrës. Motër e vëlla e rindërtuan pothuajse njësoj ngjarjen dhe motivet që çuan në krimin e rëndë. Fation Bushati, me aq sa mbante mend, pranoi autorësinë e vrasjes së Ardian Mujës, por pa arritur të saktësojë momentin e plagosjes së motrës së tij, Sidorelës, dy net më parë. Dëshmia Burime nga Komisariati i Policisë së Shkodrës bëjnë me dije se në dëshmitë e tij, Fation Bushati pohoi se dy net më parë ka qenë një takim i rastësishëm me të fejuarin e motrës në shkallët e pallatit. Sipas rindërtimit të skenës së ngjarjes, e bazuar kjo në dëshminë e Fationit, si dhe të prindërve të tij e të së motrës, mësohet që konflikti ka nisur fare rastësisht. Ardian Muja bashkë me të fejuarën e tij, Sidorelën, po shkonin tek shtëpia e prindërve të vajzës për të marrë disa plaçka të saj. Ndërkohë që në atë moment, vëllai i vajzës, Fationi, po dilte nga shtëpia për të pirë një kafe me shokët. Në moment, Fationi sapo është përballur me Ardianin ka nisur të debatojë, duke u thënë që të mos vinin dhe t’i shqetësonin në shtëpi. Kaq është dashur, që debati mes tyre të nxehej dhe pas fjalëve të ashpra në drejtim të njëri-tjetrit, Ardian Muja ka nxjerrë armën të cilën e mbante me vete. I ndodhur para një fakti të tillë, Fationi i është hedhur përsipër atij dhe më pas ato janë rrëzuar poshtë shkallëve. Gjatë grindjes trup me trup, në një moment pistoleta është shkrehur. Ndërsa vëllai dhe i fejuari grindeshin, vajza 22 vjeçe është afruar për të shuar sherrin, por plumbat e pakontrolluara të pistoletës e kanë kapur edhe atë në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda. Më pas... Nëna e Fationit që në ato momente ndodhej në shtëpi, duke grirë zarzavate, pasi ishte duke përgatitur darkën, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka rendur me vrap drejt derës së shtëpisë dhe sapo ka hapur derën, tek këmbët e saj është rrëzuar Sidorela e gjakosur. Pas kësaj, Fationi, duke qenë i tronditur psikologjikisht, në atë moment ka konstatuar se Ardiani kishte vdekur në vend, ndërsa e motra ndodhej e plagosur rëndë. Atëherë ai i ka kërkuar ndihmë së ëmës së tij që ta nisnin të motrën drejt spitalit, për t’i dhënë ndihmën e parë. Ky ka qenë edhe momenti kur policia ka mbërritur në vendngjarje dhe i ka gjetur nënë e bir në katin e parë, teksa po përpiqeshin që të dërgonin Sidorelën në spital. Sipas burimeve spitalore, mësohet që Sidorela duket se e ka kaluar fazën kritike dhe i ka shpëtuar vdekjes.