E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët kërkojnë Shqipe Alhasën

Dyshime se copat e trupave njerëzorë të mbetura në morgun e Tiranës i përkasin punëtores së fabrikës që po kërkohet nga të afërmit

TIRANË - Katastrofa e Gërdecit numëron viktimën e 22-të, ndërkohë që familjarët e të shpallurës së humbur, Shqipe Alhasa, kërkojnë me ngulm trupin e familjares së tyre. Edhe pse forcat xheniere dhe trupat më të mira të ushtrisë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupave në zonën afër kraterit, familjarët e të humburve insistojnë për të ditur fatin e njerëzve të afërt. Burime zyrtare pranë Forcave të Bashkuara që po merren ende me operacionin “Gërdeci ‘08” bëjnë të ditur për “Korrieri”, se puna për gjetjen e kufomave vazhdon akoma, por ende nuk mund të flitet me siguri nëse poshtë masivit të dheut të krijuar nga shpërthimi gjenden akoma trupa apo jo. “Nuk garantoj asgjë në lidhje me gjetjen e trupave. E kemi të pamundur të përcaktojmë nëse poshtë rrënojave ka ende kufoma ose jo”, - theksojnë të njëjtat burime. Ndërkohë që sipas burime të tjera pranë vendit ku po bëhet kërkimi, bëhet e ditur se i vetmi problem për momentin ngelen familjarët e njerëzve të deklaruar të humbur, pasi dita-ditës po këmbëngulin për të pasur një trup të njerëzve të tyre. “Në morgun e Tiranës janë tre trupa ende të paidentifikuar, të cilët i janë nënshtruar një analize ADN-je, që do të bëjë të mundur të vërtetojë se kujt i përkasin trupat. Gjithçka varet nga përgjigjet”, - theksojnë burimet. E nëse përgjigjet nuk do të nxjerrin emrin e asnjërit prej të kërkuarve, atëherë trupat e tyre do të jenë nën rrënoja. Emri i Shqipe Alhasës figuron tek lista e të humburve të shpërthimit të Gërdecit. Nga momenti në moment priten përgjigjet nga ekspertiza mjeko-ligjore, që ka kryer ekspertimet dhe që do të bëjë publike tre emrat e kufomave që ende nuk kanë një identitet. Dje, Ministria e Shëndetësisë bëri publike emrin e 22-të të së vdekurës. 37-vjeçarja Nafije Laci, e cila ishte dërguar për kurim në Itali, ka ndërruar jetë në spitalin  e Brindisit, si rezultat i djegieve të shumta në trup. Ndërkohë që po nga reparti i djegieve, dy të plagosurat rëndë, Dylbere Preni dhe Versile Gjata, janë transportuar drejt Zvicrës, ku mbetet shansi i fundit për kurim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›