E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontribut vullnetar për të pasur pension më të lartë

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar në parim p/ligjin "Për fondet e pensionit vullnetar", që ka si synim përcaktimin e kuadrit ligjor në fushën e pensioneve private dhe përcakton vendosjen e standardeve për administrimin me efektivitet të fondit të pensioneve në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e anëtarit të fondit të pensionit.

Drejtoresha e Legjislacionit në Ministrinë e Financave Lindita Rusmali tha se në këtë draft parashikohet lidhja e një kontrate midis shoqërisë private që administron fondin e pensionit dhe personit të interesuar të lidhë pension dhe që do të derdhë vullnetarisht kontributet e tij. Në projektligj parashikohen lehtësira tatimore për nxitjen e shtetasve shqiptarë për të kontribuuar për fondet e pensionit vullnetar.

Personat që kanë mundësi të rrisin të ardhurat e tyre pas daljes në pension, përveçse duhet të kontribuojnë në skemat e pensioneve private, do të kenë lehtësira fiskale në forma të ndryshme. Anëtari i fondit të pensionit ka të drejtë të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës së aseteve në llogarinë e vet ose pagesa periodike në formë pensioni.

Ai mund ta përfitojë këtë kur mbush moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e pensionit të detyrueshëm, 5 vjet para se të mbushë moshën e pensionit ose kur bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme. Nëse anëtari vdes para moshës së pensionit, të gjitha asetet në llogarinë e tij do t'u shpërndahen trashëgimtarëve.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, institutet ekzistuese të pensioneve do të ruajnë të njëjtat funksione që kanë qenë të vlefshme në çastin e krijimit të tyre. Brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, ato duhet të paraqesin kërkesën për t'u pajisur me licencë, në të kundërt janë të detyruara të mbyllin aktivitetin e tyre.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›