Kontributet e shëndetit, ja gjobat për shkelësit
• Drafti përfundimtar i ligjit "Për sigurimet e shëndetit", është tashmë gati. Atij i janë bërë ndryshimet përkatëse dhe i është nisur Këshillit të Ministrave për miratim.Veç të tjerash një paragraf të gjatë në këtë ligj zënë edhe penalitetet dhe gjobat për evazion, pagesa të vonuara dhe zgjidhje të kontratës për sigurimet shëndetësore. Kështu shkelja e rregullave dhe procedurave për regjistrim, identifikim, llogaritje të pagesës së kontributeve, do të ndëshkohet me gjoba që variojnë nga 10 mijë deri në 60 mijë lekë. Mosregjistrimi ndëshkohet me gjobë në masën 60 mijë lekë për punëdhënësit dhe 20 mijë lekë për personat e vetëpunësuar e personat e tjerë të siguruar, të cilët janë ligjërisht të detyruar për të paguar kontribute. "Vonesat e punëdhënësve në konfirmimin e kontributeve të paguara dhe deklarimeve të tjera, ndëshkohen me gjobë në masën prej 10% (dhjetë për qind) të kontributeve objekt i vonesës", thuhet në projektligj. Ndërkaq evazioni në termat e pagesës së kontributeve, deklarimi i kontributeve me masa më të ulëta dhe vërtetimi i rremë, kur nuk përbëjnë vepër penale, dënohen me një gjobë deri në 100 000(njëqind mijë) lekë Shqiptare. "Mosderdhja e kontributeve të mbajtura nga punëmarrësit dënohet si mashtrim sipas Kodit Penal. Informacioni i vonuar mbi ndryshimet për llogari të personave të siguruar dënohet me një gjobë deri në 20 000(njëzet mijë) lekë shqiptare dhe vonesat për llogari të kontribuuesve me gjobë deri në 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë. Për herë të parë në vendin tonë me anë të këtij ligji do të krijohet fondi për shëndetin. Parashikohet gjithashtu edhe rritja e kontributeve shëndetësore me 3.4% më shumë se sa është aktualisht. Dyfishimi i sigurimeve shëndetësore pritet të sjellë ndryshime të ndjeshme në funksionimin e skemës.