E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi ndërkombëtar i futbollit shqiptar



Viti ndërkombëtar futbollistik i Shqipërisë të gjitha nivelet, si ato me ekipet Kombëtare, duke nisur nga ajo e madhe, A, e deri të përfaqësuesja më e re, U-15, por dhe me katër skuadrat e klubeve që morrën pjesë në kompeticionet evropiane, ka qenë tërësisht i dështuar. Zhgënjimi është më i madh, teksa sheh ato që kanë arritur fqinjët tanë, Maqedonia, Mali i Zi, apo deri te Bosnjë-Hercegovina, kjo e fundit lufton në play-of me Portugalinë për një vend në finalet e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Tatëpjetën e futbollit shqiptar në arenën botërore e plotëson edhe renditja aktuale e FIFA-s. Në klasifikimin e përmuajshëm të FIFA-s, për muajin tetor 2009, ndodhemi në vendin e 97-të, teksa një muaj më parë, në janar të po këtij viti ishim në vendin e 78-të.

KOMBËTARJA A
Konsiderohet nga të gjithë krenaria e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, grumbullon të ashtuquajturit futbollistët më të mirë dhe bashkon të gjthë tifozët kuqezinj, qofshin këtë nga Tirana apo Shkodra, Prishtina apo Gjakova, Shkupi apo Tetova. Edhe pse eliminatoret e Botërorit 2010 besoheshin se do të dëshmonin rritjen e futbollit shqiptar, ato u shndërruan në një dështim total, duke na kthyer jo pak, por dhjetë vjet prapa përsa i përket pikëve të grumbulluara, 7 në 10 ndeshje. Dy trajnerë të huaj drejtuan Kombëtaren shqiptare gjatë eliminatoreve të
Kampionatit Botëror 2010, holandezi Ari Han dhe kroati Josip Kuzhe, aktualisht në detyrë. Trajneri holandez Ari Han e drejtoi Shqipërinë në shtatë ndeshje, duke pasur këtë bilanc: 1 fitore (me Maltën, 3-0), 3 barazime (me Suedinë, 0-0; Portugalinë 0-0 e Maltën, 0-0), 3 humbje (dy me Hungarinë, një me Danimarkën).
Bilanci i Kuzhes – Trajneri Josip Kuzhe, kroati i dytë pas Oto Bariçit, që ka fatin të drejtojë përfaqësuesen tonë, në tre ndeshje me Kombëtaren ka arritur një barazim (me Danimarkën, 1-1) dhe dy humbje me Portugalinë (1-2) dhe Suedinë (4-1). Shkurt, dy trajnerë të huaj e të superpaguar, për të arritur vetëm një fitore, dhe atë kundër Maltës, një skuadër e përbërë nga lojtarë amatorë e që futbollin e shohin më shumë si punë qejfi. Por, dhe kundër “piratëve të Mesdheut”, Shqipëria arriti të fitojë në “Qemal Stafa” dhe jo në “Ta’Qali”. Pikërisht një 3-0, me një gol të Erjon Bogdanit në limitin e pjesës së parë dhe dy gola të realizuar nga Klodian Duro e Armend Dallku në fundin e pjesës së dytë. Tre gola ndaj maltezëve, por vetëm në takimin e parë në Tiranë, pasi ai kthimit në La Valeta ishte i bardhë: 0-0, pikërisht ndaj skuadrës që në 10 ndeshje të sajat nuk shënoi qoftë edhe një gol të vetëm, duke pësuar 26 të tillë, ose dy herë më shumë se Shqipëria, që nga ana e saj pësoi 13 gola. Më keq se kaq, Shqipëria në epokën shtatëvjeçare “Duka”, nuk ka qenë kurrë.
“I përdora ndeshjet e eliminatorëve të Botërorit për të parë situatën. Mund të them se kam eksperimentuar me skuadrën. Puna ime e vërtetë fillon me eliminatoret e Kampionatit Europian 2012. Federata ishte e qartë kur më punësoi. Pas miqësores me Estoninë do të shihni Shqipërinë time”, - tha gjatë konferencës për shtyp pasuesi i holandezit Ari Han, kroati Josip Kuzhe. Tatëpjetën e futbollit shqiptar në arenën botërore e plotëson edhe renditja aktuale e FIFA-s. Në klasifikimin e përmuajshëm të FIFA-s, për muajin tetor 2009, ndodhemi në vendin e 97-të, teksa një muaj më parë, në shtator, ishim në vendin e 93-të. Edhe pikët kanë rënë: - 26, tani kemi 334 pikë. Në renditjen botërore, Shqipëria ndodhet midis Zambias (vendi i 96-të) dhe Angolës (98).
I dhimbshëm është një fakt. Kombëtarja e Malit të Zi, fqinji ynë i vogël verior, e krijuar vetëm para pak vitesh, ndodhet më lart në renditje: vendi i 75-të në FIFA e i 38-të në UEFA. Kjo do të thotë shumë për Federatën Shqiptare të Futbollit. Renditja më e mirë e Shqipërisë në vitin 2009 është ajo e muajit janar: vendi i 78-të, pra nga fillimi i viti kemi humbur 19 vende në renditjen botërore. Në renditjen specifike europiane Shqipëria vazhdon të ndodhet në vendin e 42-të nga 53 federata futbollistike që bëjnë pjesë në UEFA. Në klasifikimin e zonës evropiane, Kombëtarja jonë renditet midis Moldavisë (41) dhe Armenisë (43), duke lënë pas 11 skuadrat e mëposhtme: Armenia, Estonia, Gjeorgjia, Kazakistani, Ishujt Faroe, Azerbajxhani, Luksemburgu, Lihtenshtejni, Malta, Andorra e San Marino. Lajmet e zeza për Kombëtaren kompletohen edhe me gjobën e FIFA-s.

Eliminatoret
Kampionati Botëror 2010

NDESHJET E SHQIPËRISË

Shqipëri-Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 2-0
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Hungari 0-1
Danimarkë-Shqipëri 3-0
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 4-1

Bilanci
10 ndeshje; 1 fitore, 4 barazime, 5 humbje. Golaverazhi: 6-13

Golashënuesit
Erjon Bogdani (3), Klodian Duro (1), Armend Dallku (1), Hamdi Salihi 1)

RENDITJA E GRUPIT 1
1.Danimarka 21
2.Portugalia 19
3.Suedia 18
4.Hungaria 16
5.Shqipëria 7
6.Malta 1

KOMBËTARJA U-21
Duke i shtuar edhe komizmin e trajnerit të kësaj përfaqësueseje, Artan Bushati, me lojën e “dhashë nuk e dhashë dorëheqjen”, e gjithë ecuria e saj në kualifikueset e Grupit 10 të Kampionatit Europian 2010 U-21 është pak ta quash një dështim. Statistikat janë kokëforta: katër humbje në pesë ndeshje, flasin më mirë se në fjalët. Ndërkohë që Bjellorusia, - skuadra e fundit që na ka mundur (4-2) - nga ana e saj regjistroi fitoren e tretë në katër ndeshje, duke qenë me pikë të barabarta me Austrinë e Skocinë, Shqipëria U-21 duhet të kënaqet vetëm me fitoren ndaj Azerbajxhanit të vendit të fundit, dhe ajo e arritur në “Niko Dovana”, falë një autogoli të futbollistit azerbajxhanas Guljev. Në ndeshjet e tjera Kombëtarja U-21, dikur dy herë kampione e Ballkanit (1978, 1981) dhe një ndër tetë ekipet më të mira të Europës, humbi dy herë më Skocinë: 1-0 në Elbasan dhe 5-2 në Falkirk, si dhe 3-1 me Austrinë në Vjenë. Ajo që është më shqetësuese, ka të bëjë me konceptin e keqpërdorur nga trajneri aktual i Kombëtares U-21, gjithmonë i fshehur nën frazën “Kombëtarja U-21 ka për detyrë të përgatisë lojtarë për Kombëtarëen A”. Po të jetë kështu, kaq e thjeshtë atëherë e ardhmja e Kombëtares A do të jetë skëterrë. Ajo që vërehet sot në grupin e lojtarëve U-21, është fakti se ndryshe nga Kombëtarja A, që bazohet thuajse e gjitha me lojtarë që luajnë në kampionate të huaja, Shpresat kanë në gjirin e tyre vetëm një lojtar që luan në një kampionat jo-shqiptar, sulmuesi Ahmed Januzi që luan në Ukrainë me Vorskla Poltava, në të njëjtin ekip ku luajnë edhe dy mbrojtësit të Kombëtares A, Armedn Dallku e Debatik Curri. Gjithë të tjerët, ata që vijnë të testohen rëndom në grumbullimet e muajit janar e vijnë më paratë e tyre, zhduken pa lënë gjurmë, edhe disa prej tyre janë titullarë me ekipet e tyre si në Gjermani, Francë, Kroaci, Belgjikë, Itali apo dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në FSHF i dinë mirë arsyet se përse këta lojtarë që mbushin çdo ditë me lajme rubrikën “legjionarët” të medieve sportive nuk gjejnë një vend në Kombëtaren U-21.

Eliminatoret
Kampionatit Europian 2010

Shqipëri-Skoci 0-1
Skoci-Shqipëri 5-2
Shqipëri-Azerbajaxhan 1-0
Austri-Shqipëri 3-1
Bjellorusi-Shqipëri 4-2

Renditja aktuale në grup
Grupi 10 N F B H P

Austria 4 3 0 1 9
Bjellorusia 4 3 0 1 9
Skocia 4 3 0 1 9
SHQIPËRIA 5 1 0 4 3
Azerbajxhani 3 0 0 3 0

Bilanci: 5 ndeshje; 1 fitore, 0 barazime, 4 humbje. Golaverazhi: 6-13

KOMBËTARJA U-19
Ende nuk është testuar këtë vit në një ballafaqim ndërkombëtar. Në dy ndeshjet miqësore të zhvilluar këtë mesjavë kundër Qipros U-19, Shqipëria e drejtuar nga Ramadan Shehu barazoi 1-1 në “Niko Dovana” (gol i Balës) dhe 2-2 në “Ruzhdi Bizhuta” (golat u realizuan nga Hoxha e Manuka). Për fazën e grupeve paraeliminatore të Kampionatit Europian U-19, për sezonin 2009-2010, Shqipëria ndodhet në të njëjtin grup me Italinë, Irlandën e San Marinon. Ndeshjet do te zhvillohen nga data 13-18 nëntor 2009 në San Marino.

MIQËSORE
Shqipëri-Qipro 1-1
Shqipëri-Qipro 2-2
Bilanci: 2 ndeshje; 2 barazime. Golaverazhi: 3-3

KOMBËTARJA U-17
Edhe kjo përfaqësuese e drejtuar nga Ardian Mema ishte një dështim i total në eliminatoret e Kampionatit Europian U-17. Shqipëria U-17 i humbi të tre takimet e mundshme në Grupin 11: 5-0 me Hungarinë dhe 3-0 me Sllovakinë, dhe ajo që bën akoma më tragjike performancën e këtij formacioni ëhstë humbja 3-2 me Luksemburgun, kur më parë kryesonim 2-0 falë golave të Fabio Hoxhës së Interit U-17 dhe Benkert Abdijës të Sienës U-17. Të tre golat e Lukesmburgut u shënuan në 8 minutat e fundit të takimit.

Kampionati Europian
U-17 2010
Eliminatoret
Grupi 11

Hungari-Shqipëri 5-0
Shqipëri-Sllovaki 0-3
Shqipëri-Luksemburg 3-2

KOMBËTARJA U-15

E porsakrijuar Kombëtarja U-15 e drejtuar nga Sulejman Demollari, pas dy turneve miqësorë të suksesshëm në Maqedoni (luajti 5 ndeshje) e Greqi (3 ndeshje), në të parin aktivitet zyrtar të saj, në kualifikueset për Lojërat Olimpike të Singaporit, Shqipëria U-15 fitoi 2-0 me Lihteshtejnin (gola të Vatnikajt e Hoxhës), por humbi 2-1 me Malin e Zi (gol i Ymeraliajt) në finalen e grupit të saj. Gjithsesi, ky ishte testi i parë ndërkombëtar për U-15 dhe nuk mund të nxirret asnjë konkluzion.

Eliminatoret
Lojërat Olimpike të Singaporit

Lihteshtejn-Shqipëri 0-2
Shqipëri-Mali i Zi 1-2

Shqipëria, klubet shumë të dobët në Europë

Shqipëria e futbollit të klubeve i dha fund aventurës europiane, madje shumë shpejt, duke dëshmuar “papjekurinë” dhe varfërinë e futbollit lokal, por dhe evidentimin e një serie të gjatë problemesh, të cilat nuk duken aq të mprehta në stadiumet pa shikues të Superligës. Tirana në Ligën e Kampioneve (turi i dytë eliminator) si dhe Dinamo (turi i parë eliminator), Vllaznia e Flamurtari në turi i dytë eliminator të Ligës së Europës, tashmë duhet të mendojnë seriozisht për përforcimet në merkato e të përgatiten për kampionatin e 71-të kombëtar të futbollit, që fillon më 23 gusht. Gjithsesi, Vllaznia ishte e vetmja që kaloi një tur eliminator, pasi shkodranët eliminuan në turin e parë kualifikues irlandezët e Sligo Rovers, përpara se të zbërtheheshin nga austriakët e Rapidit të Vjenës në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës.

LIGA E KAMPIONEVE

TIRANA

Kampionia e Shqipërisë, Tirana, u duk se do ta kishte te lehtë kundër norvegjezëve të Stabeukut, por kampionët e Norvegjisë, barazuan 1-1 në Tiranë (gol i Devi Mukës) dhe fituan 4-0 në Norvegji, duke shkatërruar ëndërrat e 24-herë kampioneve të vendit e duke dhënë një mesazh të keq për trajnerin kroat të saj, Ilija Lonçareviç. Tirana i dha fund aventurës në Ligën e Kampioneve, por problemet që janë shfaqur te rekordmenët shqiptarë janë të mprehta.

LIGA E EUROPËS

DINAMO

Sinjalin e parë të dështimit në Europë e dha Dinamo, me eliminimin qysh në turin e parë eliminator të Ligës së Europës kundër finlandezëve të Lahit : humbi ndeshjen e parë 4-1 në Finlandë, fitoi ndeshjen e kthimit në Tiranë, 2-0 (Pape Diop 13’ e 70’). Dinamo u bë kështu skuadra e parë shqiptare që i dha lamtumirën Europës.

FLAMURTARI

Flamurtari i rikthyer pas 13 vitesh mungesë në arenën europiane, u duk se dha një sinjal shprese pas fitores 1-0 në Vlorë me me formacionin skocez Madhëruell (gol i Stratit, Moçka priti një penallti). Por, në ndeshjen e kthimit vlonjatët humbën 8-1, duke regjistruar edhe humbjen me të thellë për një skuadër shqiptare. Flamurtari u eliminua vërtet në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, por më saktë në përballjen e parë të saj. Fitorja 8-1 e Madhëruellit ndaj Flamurtarit është një ndër më të mëdhatë e një formacioni skocez në Europë, por jo e mjaftueshme për të qenë me madhja, madje e nënta për nga thellësia e rezultatit. Rekordin absolut e mban Rejnxhërs, që ka mundur maltezët e Maltës me rezultatin 10-0, në edicionin 1983-1984 të Kupës së Kupave. Aberdini mundi 10-1 islandezët Rejkavikut në Kupën e Kupave 1967-1968. Dandi Junaitid mundi 9-0 skuadrën nga Andorra, Principat në Kupën UEFA, 1997-1998. Hiberniani mundi 9-1 Rozenborgun e Norvgjisë.

VLLAZNIA

Vllaznia ia doli të eliminojë irlandezët e Sligo Roversin (1-1, 3-2 rezultati i përgjithshëm) në një takim të mbërthyer nga emocione e dramë në mitikun “Loro Boriçi”, ku të dyja skuadrat e mbyllën takimin me nga dhjetë lojtarë (Sinani për Vllaznisë, O’Gradi për Sligon). Goli i talentit shkodran Ndriçim Shtupina në fundin e pjesës së parë (43’) hyri në manualin e historisë së futbollit shkodran në Europë, pasi jo vetëm që kompletoi golin e Dritan Smajlajt në ndeshjen e parë të fituar 2-1 (autogol edhe i irlandezit Kin), por formacioni kuqeblu vendosi një rekord unikal në Shqipëri, pasi është i pari që kalon një tur në debutimin e Ligës së Europës, por nga ana tjetër u kualifikua për të katërtin sezon rresht në turin e dytë të një kompeticioni europian. Në turin e dytë eliminator gjërat për shkodranet funksionuan ndryshe, madje shumë keq. Pas humbjes 5-0 në Vjenë, Vllaznia humbi 3-0 ndeshjen e kthimit me Rapidin e Vjenës, në takimin e vlefshëm për turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, duke u eliminuar me turp nga ky kompeticion. Në tre edicionet e fundit, ku Vllaznia ka mundur të kalojë në turin e dytë, skuadra shkodrane ka pësuar një “thes” me gola, 26 të tillë, madje pa mundur të shënojë qoftë dhe një gol të vockël

STATISTIKA

Nga 10 ndeshje që zhvilluan në total katër skuadrat shqiptare, bilanci është ky: 3 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje. Fitoren më të bujshme e realizoi Vllaznia, duke mundur në transfertë 2-1 Sligo Roversin, ndërkohë që Dinamo e Flamurtari fituan në shtëpi përkatësit kundër Lahtit (2-0) dhe Madhëruellit (1-0). Tirana e Vllaznia barazuan në shtëpi respektivisht kundër Stabekut (1-1) dhe Sligo Rovers (1-1). Humbjet ishin njëra me e thellë se tjetra. Vllaznia ishte e vetmja që humbi në shtëpi: 0-3 me Rapidin e Vjenës. Shkodranët humbën 5-0 në Vjenë po me Rapidin, Tirana humbi 4-0 me Stabeukun në Norvegji, Dinamo u mund 4-1 nga Lahti në Finlandë, ndërsa Flamurtari vendosi një rekord negativ me humbjen 8-1 nga Madheruelli në Skoci.

REZULTATET

Liga e Kampioneve
Turi i dytë eliminator

Tirana-Stabaek 1-1
Stabaek-Tirana 4-0
Kualifikohet Stabaek me rezultatin e përgjithshëm 5-1

Liga e Europës
Turi i parë eliminator

Lahti-Dinamo 4-1
Dinamo-Lahti 2-0
Kualifikohet Lahti me rezultatin e përgjithshëm 4-3

Sligo Rovers-Vllaznia 1-2
Vllaznia-Sligo Rovers 1-1
Kualifikohet Vllaznia me rezultatin e përgjithshëm 3-2

Turi i dytë eliminator

Rapidi i Vjenës-Vllaznia 5-0
Vllaznia- Rapidi i Vjenës 0-3
Kualifikohet Rapidi i Vjenës me rezultatin e përgjithshëm 8-0

Flamurtari-Madhëruell 1-0
Madhëruell- Flamurtari 8-1
Kualifikohet Madhëruell me rezultatin e përgjithshëm 8-2

Rënia e klubeve

Instituti Ndërkombëtar për Historinë e Futbollit dhe Statistikat (IFFHS) publikoi renditjen e re të 354 klubeve më të mira të botës. Vllaznia ra nga vendi i 283 i një muaji më parë në të 294-in, (me 72 pikë), ndërkohë që të njëjtin fat pati dhe Tirana, nga nga vendi i 295-të në atë të 310-të, me 70 pikë. Flamurtari në shtator renditej i 345-ti, ndërsa tani nuk figuron më në këtë klasifikim.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›