E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë “mposht” Këshillin e Lartë të Drejtësisë



Laureta Rryçi

Gjykata e Lartë, të paktën prej dy vitesh, nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka cilësuar, njëpërnjë, vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si të padrejta. Ndërsa ngërçi i krijuar mes dy institucioneve po bëhet çdo ditë edhe më i dukshëm, ata që gëzohen dhe hidhërohen më shumë janë gjyqtarët. Fillimisht, pas inspektimeve të dosjeve, në jo pak raste, KLD-ja ka vendosur shkarkim nga detyra për shumë prej tyre. Mirëpo, brenda pak ditësh, ky vendim është ankimuar në Gjykatën e Lartë. Kolegjet e bashkuara kanë gjykuar se pretendimet e gjyqtarëve qëndronin, duke dhënë kështu edhe “shuplakën” e radhës për anëtarët e Këshillit. Këto janë ecejaket e shumë gjyqtarëve, të cilët, me traditën e krijuar së fundi, nuk i humbin shpresat për vendin e punës. Por, pavarësisht këtyre vendime për rikthim në detyrë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, edhe pse ka rënë parimisht dakord, sërish nuk ka zbatuar asnjë prej vendimeve të Gjykatës për t’i rikthyer në detyrë gjyqtarët e ndëshkuar.
Humbjet
Këto vite KLD-ja numëron shumë “beteja” të humbura me gjyqtarët në Gjykatën e Lartë. Pas reformës për shkrirjen e disa gjykatave, jo pak, por dhjetëra gjyqtarë që për pak humbën vendin e punës, paditën KLD-në në Gjykatë e Lartë dhe morën vendin e punës që pretendonin. E njëjta procedurë u ndoq edhe nga tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, të cilët Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ndëshkoi për favorizim ndaj Mihal Delijorgjit. Të njëjtin fat patën edhe tre gjyqtarët e Vlorës, të cilët, ndërsa u ndëshkuan rëndë nga KLD-ja, fituan gjyqin në Gjykatë Lartë.
Vendimi
Pas kritikave nga raportet ndërkombëtare dhe organizmat që veprojnë në vend, anëtarët e KLD-së më në fund kanë rënë dakord që duhet të zbatohen të gjitha vendimet e gjykatave superiore për gjyqtarët e ndëshkuar. Në një nga mbledhjet e këtij viti, anëtarët kanë vendosur që skemën e ripranimit ta përcaktojë numri dy i këtij institucioni, Kreshnik Spahiu. Ky i fundit do të përcaktojë dhe listën e parë të gjyqtarëve që kanë marrë një vendim të Gjykatës së Lartë që janë ndëshkuar pa të drejtë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për dhjetë vite me radhë, ka ndëshkuar jo pak, por 101 gjyqtarë në të gjithë vendin. Ndëshkimi më i rëndë ka qenë deri në largim nga puna, ndërsa fare të pakta janë rastet kur ndaj tyre mund të jetë nisur një procedim penal. Ndëshkimet e para kanë nisur që në vitin 1997, duke përvijuar deri në ditët e sotme.
Kritikat
Sipas EURALIUS-it, sistemi shqiptar i procedimeve disiplinore dhe përgjegjësive të gjyqtarëve nuk përputhet plotësisht me standardet europiane. Këshilli i Europës ofron udhëzime të qarta për përgjegjësinë dhe procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve. Disa prej këtyre standardeve europiane zbatohen në legjislacionin dhe në praktikën shqiptare, por në disa raste ato lihen mënjanë nga ligjbërësit shqiptarë dhe autoritetet shqiptare. Sipas standardeve europiane dhe Rekomandimeve të Këshillit të Europës, sistemi i inspektimit të gjykatës nuk duhet të fokusohet në themelin apo saktësinë e vendimeve të atyre që kërkojnë drejtësi. Specialistët e huaj kanë argumentuar se gabimet gjyqësore, qofshin këto në lidhje me juridiksionin apo procedurën, për të siguruar apo zbatuar ligjin ose për të vlerësuar atë duhet të trajtohen në apel apo rekurs në Gjykatën e Lartë, jo nga Ministria e Drejtësisë apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Jo çdo shkelje e rregullave të disiplinës mund të përfundojë me një procedim disiplinor. “Nëse masa disiplinore dhe shkalla e disiplinës që do të merret janë të përshtatshme apo jo, kjo duhet të përcaktohet nëpërmjet zbatimit të arsyeshëm dhe të arsyetuar të teksteve ligjore dhe duhet të varet nga faktorë, siç janë rëndesa e shkeljes, ekzistenca apo jo e një modeli veprimtarie të papërshtatshme dhe efekti i veprimtarisë së papërshtatshme mbi të tjerët ose mbi sistemin gjyqësor dhe për mbrojtjen e publikut. Në shumë raste, masa informale mund të mjaftojnë për të zgjidhur problemin”, - thuhet në studim.

Somario
Kolegjet e bashkuara kanë gjykuar se pretendimet e gjyqtarëve qëndronin, duke dhënë kështu edhe “shuplakën” e radhës për anëtarët e Këshillit

Boc

Procedura që ndiqet për të marrë vendim Këshilli

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i merr vendimet me një sistem votimi të hapur, përveç rasteve kur çështja në fjalë lidhet me një ndër anëtarët e vet. Në këtë rast, Këshilli mund të përdorë votimin e fshehtë, nëse shumica e anëtarëve vendos për një mënyrë të tillë. Sipas Nenit 25, anëtarët e përjashtuar ligjërisht nga votimi, gjithashtu përjashtohen nga debati mbi çështjen. Qoftë me votim të hapur apo të fshehtë, në përputhje me Nenin 26 të Ligjit “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, KLD-ja merr vendime me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm, me vota të ndara në mënyrë të barabartë, për t’i dhënë pafajësinë gjyqtarit që procedohet disiplinarisht dhe për të pranuar propozime për emërim. Procedimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ruhen plotësisht në procesverbalin e mbajtur nga zëvendëskryetari dhe të verifikuar nga anëtarët.

Disa nga vendimet e KLD-së që janë shfuqizuar nga Gjykata e Lartë

1. Këshilli shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë (të suprimuar), Shaqir Gradica dhe në përfundim vendosi që ndaj këtij gjyqtari të jepet masa disiplinore “shkarkim nga detyra”.

2. Këshilli shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë (të suprimuar), Ylli Minka dhe në përfundim vendosi që ndaj këtij gjyqtari të jepet masa disiplinore “shkarkim nga detyra”.

3. Këshilli shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë (të suprimuar) Naun Pejo dhe në përfundim vendosi që ndaj këtij gjyqtari të jepet masa disiplinore “shkarkim nga detyra”.

4. Këshilli shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni dhe në përfundim vendosi që ndaj kësaj gjyqtareje të jepet masa disiplinore “shkarkim nga detyra”.

5. Këshillit shqyrtoi kërkesën e ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë, Sokol Ngresi, për kryerjen e akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, dhe vendosi që, sipas kërkesës së propozuar, ky gjyqtar të shkarkohet nga detyra.

6. Këshilli shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë, Vasil Hanxhari dhe, për kryerjen e akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, vendosi që sipas kërkesës së propozuar nga ministri i Drejtësisë, ky gjyqtar të shkarkohet nga detyra.

7. Këshilli shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtares dhe kryetares së Gjykatës së Apelit Vlorë, Gjinovefa Gaba dhe, për kryerjen e akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, vendosi që sipas kërkesës së propozuar nga ministri i Drejtësisë, kjo gjyqtare të shkarkohet nga detyra.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›