Ambasadori Lohan inspekton kufirin: Ka shanse për vizat nëse realizohen kushtet
PESHKOPI – Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka deklaruar se Shqipëria ka shanse për heqjen e vizave në vitin 2010 nëse realizon kushtet e përcaktuara në Udhërrëfyes. Përfaqësuesi i Brukselit në Tiranë ia ka kushtuar fundjavën një inspektimi në lindje të Shqipërisë, ku ka parë konkretisht si funksionojnë pika kufitare e Bllatës dhe zyrat e Gjendjes Civile në bashkinë e Peshkopisë. Zoti Lohan shoqërohej në këtë vizitë inspektuese nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Duke iu referuar burimeve të Ministrisë së Brendshme, ambasadori i KE-së në vendin tonë ka konstatuar se është bërë “progresi i dukshëm”. “Në qoftë se vazhdohet me këtë ritëm, Shqipëria do të përmbushë shumë shpejt kriteret për liberalizimin e vizave”, - tha ai gjatë inspektimit në pikën kufitare që lidh Shqipërinë me Maqedoninë. “Instalimi i sistemit TIMS, integrimi me sistemin e analizës së informacionit MEMEX, lidhja me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, janë tashmë detyra të realizuara edhe për pikën e kalimit kufitar të Bllatës”, - thotë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Sipas tij, “brenda muajit procesi përfundon edhe për pesë pika të tjera, duke bërë kështu që të 26 pikat e kalimit kufitar në Shqipëri të plotësojnë të gjitha kushtet e krijimit të një sistemi unik dhe solid të menaxhimit të integruar të kufirit”. Ministri i Brendshëm Basha deklaroi gjatë inspektimit me ambasadorin Lohan, se do të përmbushen edhe atë pjesë të detyrave që përcakton udhërrëfyesi në mënyrë që brenda një kohe të shkurtër ekspertët e Komisionit Europian të mund të verifikojnë plotësimin e kritereve nga Shqipëria për liberalizimin e vizave. Menaxhimi i integruar i kufijve, instalimi i rrjeteve të informacionit në pikat kufitare, por edhe siguria e dokumenteve apo respektimi i të drejtave të njeriut, janë pikat kyçe të përcaktuara në udhërrëfyesin e BE-së për heqjen e vizave me vendet e Ballkanit.
Ambasadori gjerman: Ja pengesat që keni për të përfituar nga lëvizja e lirë
TIRANË – Emigrimi i paligjshëm, krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe lëvizjet e pamotivuara të personelit të administratës përbëjnë problemet kryesore në të cilat duhet të përqendrohet puna e qeverisë për të përfituar nga heqja e vizave me vendet e BE-së. Ky është konstatimi i bërë nga ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Bochart. Në një intervistë dhënë për ATSH-në ai ka vlerësuar reformat e arritura, por ka përcaktuar edhe pikat e tjera në të cilat duhet bërë punë deri në mesin e vitit 2010, në mënyrë që Komisioni Europian të japë dritën jeshile për lëvizjen e lirshme të shqiptarëve. Madje, ai ka shtuar se këtë vit, Gjermania po bën një përpjekje kyçe për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt liberalizimit të vizave. “Ne po mbështesim një program rajonal për forcimin e menaxhimit të kufijve me një vlerë prej rreth 1 milion eurosh. Shqipëria është pjesë e këtij programi”, - tha zoti Boçardt. Sipas tij, ka edhe një program tjetër dypalësh në këtë sektor, me një vlerë rreth 0,5 milionë eurosh, për të mbështetur Shqipërinë në fushën e luftës kundër trafiqeve ilegale dhe krimit të organizuar. “Ne po presim që në fillim të verës 2010, Komisioni Europian të informojë vendet anëtare në lidhje me progresin e arritur nga Shqipëria”, - tha ambasadori i akredituar në Tiranë, duke shtuar se “Gjermania do ta mbështesë liberalizimin e vizave sapo të jenë arritur parametrat e kërkuar”.
26 Tetor 2009