Zgjedhjet e 8 majit, të lira dhe transparente

Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Gilbert Galanxhi
Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gilbert Galanxhi, ka deklaruar dje në seancën e posaçme të Komisionit Amerikan të Helsinkit për zgjedhjet në Shqipëri, se zgjedhjet vendore të 8 majit ishin të lira dhe të ndershme. Ai deklaroi para panelit të kongresmenëve, diplomatëve dhe analistëve amerikanë se çdo votë në 8 maj, u numërua në ekranet e televizioneve. “Në 8 maj Shqipëria zhvilloi zgjedhjet për pushtetin vendor. Këto zgjedhje ishin të lira, të drejta dhe transparente. Çdo votë e qytetarëve është numëruar në ekrane televizori. Ky ishte ndoshta procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë”, u shpreh Galanxhi. Ambasadori shqiptar theksoi në këto zgjedhje u vërejt një pjesëmarrje e madhe nga zgjedhjet e kaluara. Diplomati shqiptar në Uashington, theksoi se në 8 maj Shqipëria tregoi maturi demokratike si dhe u respektua me përpikmëri e drejta kushtetuese e shqiptarëve, ajo e garantimit të votës. “Është një detyrë kushtetuese e qeverisë sime të garantojnë të drejtën e votës për secilin qytetar dhe qeveria ime iu përgjigj këtij obligimi. Kjo po ndodh edhe në Shqipëri: çdo votë po numërohet”, tha ai.
...