E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontroll 393 subjekteve 128 paralajmerohen per pezullim

Sanitarët e Drejtorisë së shëndetit publik, në kryeqytet javët e fundit kanë punuar me dy turne dhe kanë inspektuar 393 subjekte. Për 128 prej tyre ata kanë mbushur procesverbalë me paralajmërime për pezullim aktiviteti, pasi kanë hasur problematika. Paralajmërimet kryesisht sipas Drejtorit të Shëndetit Publik, Tiranë, Mëhill Gecaj kanë të bëjnë më ndotjen akustike dhe më pak me higjenën ushqimore. Ndërsa në 6 të tjera kanë vendosur gjoba për konsumim të duhanit në ambiente të mbyllura.

“Nga ana e inspektorëve sanitarë vetëm për javën e kaluar janë kontrolluar 393 subjekte në zona të ndryshme të Tiranës. Janë lënë 128 procesverbale nga inspektorët ku jepen hollësisht problemet sanitare, problemet e konsumit të duhanit, ndotja akustike. Janë marrë 6 vendime për gjobë dhe është bërë po ashtu një mbyllje provizore për probleme higjeno-sanitare”-thotë ai.

Gecaj thotë se inspektimet do të vazhojnë pavarësisht kërcënimeve të herë pas herëshme të drejtuesve të subjekteve. Ata jo në pak raste i kanë penguar duke mos i lejuar të kryejnë detyrën.

“Kemi hasur disa vështirësi edhe nga subjektet,pra kemi pasur edhe presione dhe unë u bëj apel të gjithë qytetarëve dhe subjekteve që tashmë ky është një ligj dhe duhet zbatuar”-thekson Gecaj.

Kontrollet nga inspektorët sanitare nisin cdo ditë në orët e para të mëngjesit dhe përfundojnë në mesnatë.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›