Kontroll aksioneve të kompanive, Konkurrenca, marrëveshje me QKR-në
Autoriteti i Konkurrencës vijon ende të hasë probleme me sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si pasojë e mungesës së bashkëpunimit. Shumë firma private nuk i përgjigjen kërkesës ose e pranojnë me shumë vonesë që të paraqiten pranë Autoritetit për çështje të ndryshme. Tregu shqiptar ka pësuar zhvillim të madh, ndërsa roli i shtetit në këtë kohë krize është bërë shumë i rëndësishëm. Në këtë pikë, bashkëpunimi i Autoritetit të Konkurrencës, si fillim me institucionet shtetërore do të ishte fillimi i mbarë për një studim tregu dhe marrje vendimi sa më realiste. Pas disa marrëveshjeve me institucione të ndryshme si tatimet, doganat, dhomat e biznesit etj., tashmë Autoriteti pritet të nisë bashkëpunimin e ngushtë edhe me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit. Për këtë qëllim Autoriteti i Konkurrencës ka zyrtarizuar dje një marrëveshje me QKR-në, lidhur me realizimin sa më mirë të procesit të monitorimit të shit-blerjes së aksioneve. Sipas të dhënave, një marrëveshje e tillë ka si qëllimin e shmangies së abuzimeve në treg, përmes shit-blerjes së paligjshme dhe shpesh abuzive që bëhet me aksionet e sipërmarrjeve apo ndërmarrjeve dhe bizneseve të ndryshme. Domosdoshmëria e nënshkrimit të një marrëveshje të tillë ka ardhur si pasojë e shumë rasteve që janë vënë re lidhur me kalimin e aksioneve në mënyra të dyshimta, nga njëri aksioner tek tjetri, duke i fshehur qëllimet e vërteta të kryerjes së një akti të tillë.
Cilësia dhe siguria e produkteve vendase, Shqipëria garon me vendet e rajonit
Bizneset shqiptare duhet të shikojnë tashmë të rrisin cilësinë dhe sigurinë e produkteve të tyre dhe shërbimit, sesa rritjen e sasisë. Hapja e tregjeve kërkon plan veprimi të kujdesshëm, por edhe interes të madh për të rritur garancinë e produktit. Për herë të parë në Shqipëri është zhvilluar Konferenca e Infrastrukturës se Cilësisë, me përfaqësues nga të gjitha vendet e rajonit. Në këtë aktivitet u theksua domosdoshmëria për rritjen e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, një detyrim ky që rrjedh edhe nga pjesa ekonomike e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, e cila ka hyrë tashmë në fuqi. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka deklaruar se rritja e cilësisë kërkon investime dhe ajo është kusht që rrjedh nga marrëveshjet e integrimit. “Objektivat e mësipërme kërkojnë investime të konsiderueshme si dhe përkushtim dhe programim profesional. Ndërkaq të gjitha burimet financiare dhe njerëzore janë tashmë të garantuara, kështu është edhe arritja e këtyre objektivave”- tha ministri Ruli. Konferenca e Infrastrukturës së Cilësisë u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, ajo e Metrologjisë dhe Standardizimit. Kjo konferencë synon krijimin e një tradite, ku grupet e operatorëve ekonomik, kërkuesve shkencor e rregullatorëve ligjor, të shkëmbejnë arritjet dhe shqetësimet e tyre për çështjet e cilësisë produkteve dhe shërbimeve.
20 Maj 2009