Ristani, takim informal me shefen e misionit vëzhgues të ODIHR-it, Odrei Glover
Shefja e misionit vëzhgues të ODIHR-it në Shqipëri, ambasadorja Odrei Glover, zhvilloi një takim me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Takimi u zhvillua mesditën e djeshme, në zyrën e kreut të KQZ-së, Arben Ristani. Burimet kanë bërë të ditur se tema e diskutimi ka qenë ecuria e procesit zgjedhor dhe hapat që ky komision po ndërmerr për përgatitjen e procesit zgjedhor. Në takim kanë qenë pjesëmarrës të shtatë anëtarët e KQZ-së, ndërsa Glover ishte e shoqëruar me disa nga ekspertët që janë pjesë e misionit të vëzhgimit. Takimi i znj.Glover me kreun e KQZ-së Ristani vjen pas një periudhe të acaruar mes dy institucioneve, por që u zgjidh me akreditimn e vëzhguesve dhe të kryetares së ODIHR-it në KQZ. Rezistenca e parë e dukshme u shfaq para tri ditësh, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi të takojë stafin e misionit. Sjellja e KQZ-së, së drejtuar nga Arben Ristani, erdhi menjëherë pas pakënaqësisë së shprehur nga zoti Berisha për shefen e misionit, ambasadoren Glover, e cila 12 vjet më parë ka qenë në krye të ODIHR-it, pikërisht në kohën kur u përpilua një raport tejet kritik për zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996.
Dy javë më parë, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i dërgoi një letër znj.Glover. Në letër kreu i KQZ-së i kërkoi ambasadores Glover që të rishohë pozicionin e saj. “Në mbështetje të vullnetit të përsëritur të Shqipërisë, vazhdimisht i kam shprehur komunitetit ndërkombëtar gatishmërinë për të pasur një prani vëzhguesish sa më të madhe të mundshme. Duke vlerësuar qëllimin dhe ndërmarrjen tuaj në këtë drejtim, bazuar në shqetësimet serioze dhe kundërshtimet e ngritura nga një nga palët pjesëmarrëse në proces, e cila e konsideron pozicionin tuaj si të papranueshëm, dëshiroj t'ju lutem të rimerrni në konsideratë qenien me pozicionin e shefit të misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it”, - thuhet në letrën që kryetari i KQZ-së i ka dërguar zonjës Glover.
20 Maj 2009