E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria e procesit, KQZ-ja: Si do të sillen policët ditën e zgjedhjeve

KQZ-ja nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme. 4724 policë për ruajtjen e qendrave të votimit ditën e zgjedhjeve

Luis Tanushi
Komisionin Qendror i Zgjedhjeve firmosi dje një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ministria e Brendshme do të garantojë të gjithë infrastrukturën e brendshme të zgjedhjeve. Marrëveshje midis dy institucioneve u firmos nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe Arben Ristani dhe Dëshira Subashi nga KQZ-ja. Krerët Nishani dhe Ristani u shprehën se me anë të këtij memorandumi bashkëpunimi do të garantohet ecuria e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Në rast se në sallat e numërimit të votave gjenden persona të paautorizuar, komisionerët duhet të njoftojnë Policinë e Shtetit.
Nënshkrimi
Marrëveshja e nënshkruar dje nga KQZ-ja dhe nga Ministria e Brendshme është në kuadër të parapërgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shpreh se dikasteri që ai drejton do të ketë angazhimin maksimal për të siguruar qetësinë dhe mbarëvajtjen për zgjedhjet e ardhshme. “Angazhohemi maksimalisht për garantimin e një procesi zgjedhor me standarde europiane”, - tha Nishani. Ai premtoi se Ministria e Brendshme, me firmosjen e kësaj marrëveshjeje, merr përsipër garantimin e infrastrukturës së brendshme të zgjedhjeve, detyrime këto të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Sipas tij, strukturat e Policisë do të garantojnë funksionimin sa më normal të ambienteve zgjedhore dhe të numërimit të votave. Ndërsa kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaroi se bashkëpunimi me qeverinë ka qenë i ngushtë dhe frytdhënës. “Bashkëpunimi me Ministrinë e Financave për buxhetin e KQZ-së, me Ministrinë Brendshme për regjistrin elektronik dhe me prefektët për zyrat rajonale të KQZ-së kanë qenë disa nga bashkëpunimet e ngushta me qeverinë”, - deklaroi Ristani.
Detyrimi
Numri i përgjithshëm i policëve që do të merren me ruajtjen e qendrave të votimit në të gjithë vendin do të jetë rreth 4724 efektivë. Dhjetë ditë përpara votimit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet të depozitojë në KQZ listën e plotë të punonjësve të ngarkuar me detyra gjatë zgjedhjeve. Ai është i detyruar të informojë menjëherë KQZ-në për çdo ndryshim në listë. Selia e KZAZ-së ruhet nga punonjësit e Policisë së Shtetit nga momenti kur në të mbërrijnë materialet e votimit deri në datën e zgjedhjeve. Ruajtja do të bëhet prej orës 20:00 deri në orën 08:00 të ditës së nesërme. Policia organizon ruajtjen e QV-ve gjatë natës para ditës së votimit, duke filluar nga momenti kur në KQV mbërrijnë materialet zgjedhore deri në momentin kur KQV-ja fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit.
Kur ndërhyn policia
Në Nenin 109 të Kodit Zgjedhor janë përcaktuar edhe rregullat se kur duhet të ndërhyjë policia. Në rast se në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, Komisioni i Qendrës së Votimit ka të drejtë të thërrasë organet e Policisë së Shtetit. Kryetari, zëvendëskryetari ose çdo anëtar i Komisionit të Qendrës së Votimit, njofton menjëherë Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve për incidentin e ndodhur. KZAZ-ja ia përcjell kërkesën menjëherë organeve të Policisë së Shtetit, ndërsa menjëherë pas rivendosjes së rendit në qendrën e votimit Komisioni i Qendrës së Votimit duhet t’u kërkojë organeve të Policisë së Shtetit që të largohet. Sipas Kodit Zgjedhor, gjatë procesit të votimit, pranë qendrave ku votohet lejohet prania e punonjësve të armatosur të Policisë së Shtetit dhe të punonjësve të Policisë së Burgjeve brenda territorit të burgut ose vendit të paraburgimit ku është ngritur qendra e posaçme e votimit, që të vëzhgojnë respektimin e rendit gjatë procesit të votimit. Punonjësit e policisë do të ruajnë kutitë e votimit gjatë procesit të depozitimit të tyre në KZAZ. Dërgimi i tyre bëhet me automjet, në të cilin ndodhen anëtarët dhe sekretari i KQV-së, si dhe një punonjës policie, i cili ka detyrë të garantojë shoqërimin dhe mosprekjen e kutisë/kutive të votimit me fletët e votimit dhe të kutisë së materialeve të votimit.

20 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›