Ngrihet Bordi i Monitorimit të Medias
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngriti Bordin e Monitorimit të Medias. Dje KQZ-ja miratoi 7 anëtarët e Bordit të Monitorimit të Medias. Në mbledhjen e parë të Bordit do të zgjidhet edhe kryetari i këtij bordi. Në Nenin 5 të Kodit Zgjedhor thuhet se KQZ-ja, 10 ditë përpara fillimit të periudhës zgjedhore, ngre Bordin e Monitorimit të Medias, i cili ka për detyrë monitorimin e zbatimit të dispozitave të Kodit për fushatën zgjedhore në Radion dhe Televizionin Publik dhe TV-të private. Bordi i Monitorimit të Medias e ushtron veprimtarinë e tij në të gjithë territorin zgjedhor. Për kryerjen e monitorimit, Bordi shfrytëzon kapacitetet teknike që disponon Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit. Për transmetuesit vendorë që nuk mbulohen nga mjetet monitoruese të KKRT-së, Bordi cakton monitorues vendorë. Monitoruesit vendorë të Bordit vendosen pranë KZAZ-së, ku ka qendrën e transmetimit operatori radioteleviziv që monitorohet. Radiot dhe televizionet publike dhe private janë të detyruara të regjistrojnë të gjitha transmetimet e tyre përgjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore. Bordi i paraqet KQZ-së çdo ditë raport për përfundimet e monitorimit për ditën pararendëse. Raporti shoqërohet, sipas rastit, me propozimet për masa administrative. Bordi kolegjialisht ose secili nga anëtarët e tij ka të drejtë të propozojë marrjen e masave administrative.
20 Maj 2009