E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i Xho Bajdenit në Ballkan



“Financial Times”

Xhozef Bajden, nënpresidenti amerikan, arrin në Ballkan në përpjekje për të tejkaluar kundërshtimin që ndiejnë nacionalistët serbë në raport me njohjen e kufijve të rinj në rajon.
Zoti Bajden zbriti në Sarajevë për të nisur turin e tij treditor me ndalesa në Bonjë-Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë. Ai do të takohet me udhëheqësit e tri grupeve kryesore etnike ditën e martë. Shteti etnik i kontrolluar serb në Republikën Serbska kundërshton zgjerimin e institucioneve të centralizuara. Por, një diplomat amerikan tha se është koha që udhëheqësit serbo-boshnjakë “ti kthehen një periudhe të re” me administratën e re në Uashington.
Nën presidencën e Xhorxh Bushit, Shtetet e Bashkuara e lanë diplomacinë e Ballkanit në duart e Brukselit, i cili ka ndjekur një linjë më të butë mbi integrimin, duke ofruar mundësinë e anëtarësimit në Bashkimin Europian nëse palët kundërshtuese zgjidhin mospajtimet që kanë.
Zoti Bajden do të shpërndajë një mesazh të ashpër për kryeministrin e Republikës Serbska, Milorad Dodik, që thotë se autonomia e etnitetit serb është e panegociueshme.
Uashingtoni tani e sheh Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995 si një zgjidhje të shpejtë, e cila ka dhënë shumë për serbët, për të arritur deri te fundi i Luftës në Bosnjë, që mori më shumë se 100 mijë jetë.
Të dhënat tregojë se Bosnja është një nga shtetet me strukturën konstitucionale më të ndërlikuar në Europë, me një qeveri qendrore të dobët, dy nënshtete; Federatën myslimano-kroate dhe Republikën Serbe – dhe tre komunitete etnike kombëtare të njohura zyrtarisht.
Pushteti ekzekutiv në Bosnjë-Hercegovinë i është besuar përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, që është gjithashtu i dërguar i Bashkimit Europian.
Megjithatë, Federata myslimano-kroate, që fitoi luftën në vitet 1992-1995, me ndihmën dhe armët e Perëndimit, boshnjakët thonë se ata përfundimisht kanë humbur, sepse Marrëveshja e vitit 1995 i shpërbleu serbët për pastrimin etnik dhe gjenocidin që bënë.
Serbo-boshnjakët, të mbështetur nga Beogradi dhe Moska, kanë një grumbull frazash në marrëveshjen e asaj kohe që i mbron që të ruajnë autonominë e tyre.
Një rezolutë e Kongresit amerikan kaloi javën e kaluar, për t’i dhënë peshë vizitës së Bajdenit. Marrëveshja e Paqes në Dejton përfshin “shumë kompromise të nxitura nga nevoja për veprime të menjëhershme që të shpëtoheshin jetë njerëzore, që tani është bërë pengesë për zhvillimin e institucioneve politike eficiente dhe efektive”. Ajo vijon: institucionet e nivelit shtetëror kanë nevojë të bëhen më efektive dhe më demokratike nëse vendi do të ecë në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Zoti Dodik thotë se dy palët ndajnë interesin për një liberalizim vizash, marrëdhënie ekonomike dhe anëtarësimin e pritshëm në BE. Por ai hedh poshtë pretendimet boshnjake për një largim të etnitetit serb.
Pas ofertës së zotit Bajden për rivendosje të marrëdhënieve diplomatike me vendet e ish-Jugosllavisë ekziston rreziku i sanksioneve. Zoti Dodik dhe Harris Silajçiç, dy udhëheqësit kryesorë boshnjakë, përballen me akuza për korrupsion për pazaret e tyre të biznesit, në qoftë se ata nuk bashkëpunojnë.
Valentin Inzko, diplomati slloven, që është administratori më i fundit i vendit, dëshiron lidhje të ngushta të zyrës së përfaqësuesit të lartë, por me rol më të fortë si përfaqësuesi special i BE-së për të mbajtur në presion udhëheqësit vendorë që të bëjnë reforma.

Në Serbi, zoti Bajden do të takohet me udhëheqësit për t’i ftuar liderët pro-europianë që t’i japin fund mbështetjes që ofrojnë për nacionalistët serbë në shtetet fqinje, shkruan gazeta.

Ndërkaq, në Kosovë, shtetin që shpalli pavarësinë nga Serbia vitin e kaluar, ai do të nënvizojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për një demokraci shumëkombëshe.

20 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›