E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontroll banesës për vrasjen e taksistit, dosja shkon në polici

 

TIRANE - Kontrolli në një banesë në fshatin Priskë të Tiranës nuk ka zbardhur asgjë nga ekzekutimi mafioz i taksistit Ramazan Hyka, duke detyruar prokurorinë të mbyllë dosje dhe ta delegojë atë në polici, ku do të qëndrojë e pezulluar derisa për këtë ngjarje të mos ketë asnjë të dhënë të re. Me anë të një vendimi të firmosur nga gjykatësi kryeqytetas Sokol Tona, është lejuar të kontrollohet prej policisë gjyqësore banesa private e shtetasit A.L, në lagjen “Mushak”, fshati Priskë, rrethi Tiranë me qëllimin për të zbuluar të dhëna të reja për këtë ngjarje, si dhe ndonjë bashkëpunëtor të mundshëm në këtë krim. Sipas prokurorisë, e cila e ka kërkuar kontrollin e banesës: “rezulton se më datë 7 janar 2009, rreth orës 21:00, në vendin e quajtur Liqeni i Farkës është vrarë në makinën e tij shtetasi Ramazan Hyka. Autorët pas kryerjes se vrasjes, i kanë vënë flakën makinës, e cila është djegur së bashku me kufomën që ishte brenda saj. Për këtë ngjarje ka dyshime të arsyeshme, se personi që ka dijeni për krimin dhe lejimi i kontrollit të banesës së tij, do të çojë në zbulimin e provave të kryerjes se veprës penale të mësipërme është shtetasi A.L”. Po kështu, prokuroria ka këmbëngulur se kontrolli i banesës dhe ambienteve përreth saj mund të çonte në zbulimin e identitetit të autorëve dhe provave të kësaj ngjarje të rëndë, si dhe të bashkëpunëtorëve në kryerjen e veprës për të cilën prokuroria kishte nisur procedimin penal. Pas kësaj, gjykata ka lejuar kryerjen e kontrollit sipas kërkesës së prokurorisë, por edhe pas kësaj nuk ka qenë e mundur të zbulohet asgjë, pasi informacioni policor ka rezultuar i padobishëm. Tashmë dosja për vrasjen e taksistit është deleguar në komisariatin nr.1 të policisë së kryeqytetit, derisa hetimet të nxjerrin të dhëna të reja.        fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›