Shqipëria sipas nesh
Reality-show “Lider” ka përmbyllur fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për të hyrë në shtëpinë e Lider dhe së shpejti shikuesit do të mund të ndjekin 24 orë më 24 jetën e 16 personave që do të kandidojnë për çmimin më të madh që është dhënë ndonjëherë në një program televiziv.Audicionet kanë mbaruar dhe juria e specializuar është në fazën e seleksionimit të personave që do të hyjnë në shtëpinë e Lider. Emisioni ka ngjalluar interes të madh në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe tek shqiptarët që jetojnë në Perëndim. Kjo është vënë re edhe gjatë fazës së përzgjedhjes, ku kërkesat për të marrë pjesë në këtë reality-show kanë qenë shumë të mëdha. Faza e prezantimit të fjalimeve dhe ideve të këtyre kandidatëve ka zgjuar kureshtje të mëdha nga ana e shoqërisë shqiptare, e cila duket se është e lidhur ngushtë me proceset politike të vendit dhe ka dëshirë të shohë fytyra të reja që angazhohen me politikë. Kjo është reflektuar edhe në komentet që shoqërojnë fjalimet konkurrentëve në websitin zyrtar të “Lider” (www.lider.al) dhe në forume të tjera ku janë shpërndarë këto fjalime si në facebook.com dhe gjetkë. “Panorama” boton sot disa prej fjalimeve të 64 konkurrentëve të fazës finale dhe pjesë të komenteve që bashkëshoqërojnë fjalimet. Fjalimet janë të fokusuara në çështje konkrete që shqetësojnë shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe të emigrantëve. Në këto fjalime vihet re fryma e ngjalljes së përkushtimit të aktorëve politikë ndaj problemeve reale, ç’tensionimit të situatës politike nëpërmjet diskutimit mbi ide dhe çështje konkrete, ndërtimit të një diskuri patriotik në ligjërimin politik.
Erlis Hereni
profili
Emri: Erlis
Mbiemri: Hereni
Vendlindja: Kukës
Mosha: 24 vjeç
Arsimi: Fakulteti i Gjuhëve të Huaja/Dega Anglisht dhe Universiteti Europian i Tiranës/Dega: Juridik
Profesioni: Student
Besimi fetar: Asnjë
Orientimi politik: I majtë
Hobi: Konkurset, simulimet, shahu
“reforma ne arsim”
Së pari dua t’ju falënderoj që më dhatë mundësinë t’i drejtohem këtij kuvendi duke përfaqësuar një pushtet gati të vakët në këto 18 vite, pushtetin studentor.
Diplomat 3-vjeçare të Universiteteve Publike po përdhosen
në mënyrën më të paprecedent nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, institucion qeveritar; që në fakt duhet të ketë nderin që është në krye të piramidës hierarkike të brumosjes së mendjeve të ardhmërisë së Kombit.
Dhe jo për çudi, ky nuk është rasti i parë i ndërhyrjeve politike në botën akademike. Puna për të shkatërruar sistemin arsimor, sidomos atë të lartë dhe vetëm për interesa të ngushta financiare-politike, ka filluar me liberalizimin e parakohshëm dhe populist të universiteteve publike, për tu kompletuar nga licencimi i universiteteve private pa kriter (që sot kanë kaluar shifrën 35) duke penalizuar edhe ato aktorë jo-publikë të Arsimit të Lartë që faktikisht kanë arritur standardet e kërkuara për të qenë konkurrentë të denjë në tregun e dijes; për të vazhduar me aktet e ndryshme nënligjore por anti ligjore, ku hyn edhe rasti më i fundit e më flagranti; ose siç e ka fjala popullore; aty ku Thika zuri në Kockë: mbivendosja e një udhëzimi çfarëdo, mbi ligjin për Arsimin e lartë.
Bëhet fjalë për udhëzimin 26, të datës 14, korrik 2008, “Për Hartimin e Diplomave dhe Çertifikatave Universitare”, me anë të të cilit ish ministri i Arsimit dhe Shkencës, sot Zv. Kryeministër, në pikat 3,4,5, dhe 6 të këtij “Arnimi Nënligjor” do ta quaja, jo vetëm i kalon të gjitha kompetencat dhe detyrimet ligjore, por me anë të një udhëzimi kërkon të urdhërojë.
Në këtë mënyrë zbatimit të detyrimit ligjor, të sanksionuar në Nenin 31, pika 4, të Ligjit nr. 9741, datë .21.05.07 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, nga ana e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, për hartimin e Formës dhe Përmbajtjes së Diplomës bazuar në udhëzimet e MASH, kjo e fundit iu përgjigj me kapërcim të kompetencave dhe shkelje të ligjit që ka miratuar vetë, duke dërguar në dekanatet e Universitetit të Tiranës, një format Diplome të Nivelit të Parë që nuk është tjetër veçse një “Vërtetim”, që bartësi ka qenë prezent në ambientet akademike te fakulteteve te UT për tre vite me radhë.
Kjo situatë e krijuar, që u përkeqësua me tepër pas korrespondencës zyrtare me Rektoratin e UT, i cili është i detyruar t’i pranojë këto diploma, në zbatim të ligjit, ka shkaktuar irritimin e studentëve, të cilët janë hedhur në protesta para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe kanë bojkotuar mësimin disa javë me radhë në mbrojtje të së Drejtës të Tyre për një diplomë dinjitoze si dhe “në mbrojtje të Ligjit të Arsimit të Lartë”.
Duke shpresuar në mirëkuptimin dhe mbështetjen Tuaj, ju përcjell kërkesën e trupës studentore të universiteteve të prekura nga ky revanshizëm megalomanie, që konsiston në një pikë të vetme:
Kërkojmë që parlamenti të bëjë presion mbi qeverinë për të respektuar legjislacionin e miratuar në këtë sallë! Për ndryshe hapi tjetër pas protestave dhe bojkotit do të jetë greva e Urisë.
Ju faleminderit!
Emirgels Ibrahimllari
profili
Emri: Emirgels
Mbiemri: Ibrahimllari
Vendlindja: Tiranë
Mosha: 21 vjeç
Arsimi:
Financë Banking
(Londër)
Profesioni: Student
Besimi fetar: Asnjë
Orientimi politik: I djathtë
Hobi: Kërcimi
“liria e fjales”
1) Shpalos problemin në mënyrë atraktive/tërhiq vëmendjen!
“Dua të flas, por gryka më është zënë”. Ky është një varg i marrë nga jeta e përditshme dhe nga njerëzit kudo! Do të doja të hezitonit për një çast dhe ta pyesnit veten: çfarë është ajo gjë që ju mungon juve më shumë në jetë?!
Është tepër e vështirë të zgjedhësh një problem që është më i madh se tjetri në Shqipëri. Arsyen e shohim çfo ditë. Dëshiroj të ndaj me ju një nga këto probleme dhe në të njëjtën kohë një ndjenjë shpirtërore. Emrin e ka ‘LIRI’! Sapo dëgjojmë këtë fjalë thika na ngulet edhe më thellë në shpirt. Nuk bëhet fjalë për çfarëdolloj lirie, por për “lirinë e fjalës”.
2) Përse ndodh ky problem?
Nuk ka rëndësi nëse ti jeton në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo diku tjetër në botë. Jam i sigurt se liria e fjalës ju është mohuar, në një mënyrë apo në një tjetër. Përse vallë? Përse ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë kjo? Kush mban përgjegjësi për këtë? Jemi vetë fajtorë apo është dikush tjetër? Per zakon e kemi t’ia hedhim fajin tjetrit. Shumë prej jush do t’ia vinit fajin qeverisë. A është ajo vërtetë përgjegjëse?! Është e qartë qe qeveria drejtohet nga një ose disa individ, por qeveria është e të gjithë kombit! Nëqoftëse ne nuk mundemi të bëjmë asgjë për disa nga problemet e tjera, për lirinë e fjales ne mundemi.
3) Aksioni: zgjedhje!
Përse duhet të mbajë një vesh shurdh dhe një sy qorr akoma? Nuk e di se i çfarë mendimi jeni ju, por une do të bëj diçka, do ta çliroj grykën dhe do ta ngre zërin të them atë që mendoj. Përse nuk bashkoheni edhe ju me zërin tim? Le të mos ia hedhim fajin askujt tjetër, përgjegjës jemi vetë! Zemra e shqiptarit ka qenë dhe mbetet e copëtuar, lëre atë zemër të LIRË!
Fatjona Rrahmani
profili
Emri: Fatjona
Mbiemri: Rrahmani
Vendlindja: Dibër e Madhe
Mosha: 20 vjeç
Arsimi: Universiteti Marin Barleti/Dega: Shkenca Politike
Profesioni: Studente
Besimi fetar: Ateiste
Orientimi politik: E pavarur
Hobi: Kënga, thashethemet,
leximi
“Të rinjtë aksionerë në politikë”
Ç’është pjesëmarrja e të rinjve në politikë?
Pjesëmarrja në politikë është një mundësi veprimi, e cila u krijon njerëzve marrëdhënie me politikën dhe shtetin. Thënë me fjalë të tjera pjesëmarrja në politikë është bashkësia e veprimeve kolektive ose individuale, të cilat ndikojnë në politike në dy drejtime në ruajtjen ose ndryshimin e saj.
Dihen format kryesore të pjesëmarrjes në politikë, siç janë simpatizantët, aktivistët, militantët etj. Por për të marrë pjesë në politikë ka edhe mënyra të tjera. Jo detyrimisht duhet të jesh pjesë përbëreëe e kategorive të lartpërmendura. Të shkruaash në një gazetë, të bëhesh pjesë e një bojkoti, të bllokosh trafikun, të firmosësh një peticion, të marrësh pjesë në një grevë dhe shumë forma të tjera, të cilat në thelb kanë ndjenjën e vullnetarizmit; gjë që mungon te rinia shqiptare. Pasojat janë faktorët e vetëm që e bashkëshoqërojnë rininë.
Shoqëria civile në Shqipëri është më shumë teknike sesa aktive. Mund të marrim shembull fitoren e Obamës që mbështetet në ndjenjën e vullnetarizmit, i cili nuk pranoi asnjë qindarkë nga qeveria për fushatën e tij dhe e financoi atë me donacionet e njerëzve duke filluar nga 5 dollarëshi që jepnin të gjithë nga vullneti i tyre. Kështu të gjithë u bënë pjesëmarrës të një fitoreje. Rëndësi të madhe ka edhe ndërgjegjësimi i politikës për rolin dhe rëndësinë jo vetëm elektorale që ka rinia, por edhe në qeverisjen dhe administrimin e institucioneve qëndrore dhe lokale. Interesi i të rinjve duhet të rritet për të diskutuar dhe vlerësuar politikat e Pushtetit Qëndror dhe Lokal dhe për çështjet, që kanë të bëjnë me ta.
Ushtrimi i presionit mbi partitë politike është dhe duhet të ketë qenë i domosdoshëm dhe i praktikueshëm për tu marrë seriozisht me problemet dhe nevojat që ka vendi dhe jo të kujdesen për të pasur fuqi absolute, mirëqenie ose thënë më mirë për të krijuar bankat e tyre. Sepse të rinjte duhet të jenë aksionerë në luftën politike. Kjo arrihet vetëm duke fituar besimin e të rinjve në mënyrë që partitë dhe organizma të tjerë të jenë bindës për ta dhe t’ju tregojnë se ka metoda se si mund të luftojmë për tu ndierë në formën më të mirë të përfaqësuar.
Emiljano Manjani
profili
Emri: Emiljano
Mbiemri: Manjani
Vendlindja: Dibër
Mosha: 24 vjeç
Arsimi: Fakulteti I Inxhinierisë së Ndërtimit
Profesioni: Student
Besimi fetar: Musliman
Orientimi politik: I majtë
Hobi: Politika, futbolli, Public relations
“pavaresia e kosoves”
17 Shkurti i një viti më parë, e ndryshoi pergjithmonë jetën tonë dhe të atyre që do të vijnë pas nesh. 17 Shkurti i një viti më parë ka hyrë në histori si data kur shpresa triumfoi mbi dhembjen, dashuria mbi urrejtjen, liria mbi represionin. Më 17 Shkurt të 1 viti më parë, të gjithë Ne, u bëmë dëshmitarë të një momenti historik e të pashlyeshëm në memoriet tona, u bëmë dëshmitarë të momentit kur Kosova u shpall sovrane dhe e pavarur. Sot, 1 vit më pas, Kosova ndodhet para shumë sfidash e problemesh, para shumë pasigurish e dilemash, por sot, 1 vit më pas; të gjitha këto ndodhin në një Kosovë të pavarur. Sot 1 vit më pas, ka ardhur momenti që më shumë se kurrë të jemi të bashkuar, sepse shumë sfida e presin shtetin më të ri të botës. Ka ardhur momenti që të tregojmë maturi e solidaritet, ka ardhur koha t’i tregojmë botës se e meritojmë Pavarësinë. Sot 1 vit më pas, Kosova njihet prej 54 shtetesh, por ky numër shumë shpejt do të jetë më i madh. Nga 27 shtete të Bashkimit Europian, 22 shtete janë bashkuar me dëshirën për liri dhe vetvendosje të qytetarëve të saj. 1 vjetori i Pavarësisë duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të gjithë, që prej femijës në djep e deri te më plaku, sepse gjithsecili ka akoma diçka më shumë për të bërë për vendin e tij. Sot 1 vit më pas, ashtu si edhe 10 vjet më parë, Ju nuk jeni vetëm, sot jemi bashkë. Unë po ju flas si bashkëmoshatari juaj dhe e kuptoj shumë mirë që realiteti është i vështire, herë-herë zhgënjyes, por ju bëj thirrje të besoni në atë që besoj edhe unë, në një të ardhme të përbashkët të ndritur e të begatë. Jam shumë i sigurt që Ne, shqiptarët e Ballkanit, kemi qenë dhe do vazhdojmë të jemi faktor kryesor për bashkim, paqe dhe zhvillim. Ne të rinjtë e Shqiptarisë duhet të bëhemi gjeneratorë dhe garantë të një të ardhmeje të sigurtë. Deklarata e Pavarësisë e nënshkruar 1 vit më parë, ju bëri Ju, qytetarë të shtetit të Kosovës, qytetarë të botës dhe qytetarë të ëndrrës suaj. Ktheni kokën prapa dhe besoni në luftën e prindërve tuaj, shihni përpara dhe punoni për ëndrrën tuaj, ëndërroni, punoni, trashëgoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Kosova e fitoi luftën, tani duhet të luftojë që të fitojë lirinë.
Bora Hysi
profili
Emri: Bora
Mbiemri: Hysi
Vendlindja: Tiranë
Mosha: 21 vjeç
Arsimi: Universiteti Europian i Tiranës/Dega: Juridik
Profesioni: Studente
Besimi fetar: Asnjë
Orientimi politik: Liberale
Hobi: Letërsia, piktura
“ligji i lustracionit”
The road to hell is paved with good intentions - Samuel Johnson
Duke mbrojtur ligjin e lustracionit Berisha shpalli shkëputjen nga e kaluara komuniste dhe larjen e një borxhi moral ndaj viktimave të saj. Por a është kjo e vërteta? Shumë prej nesh kanë arsye të forta për të besuar se ai thjesht po përpiqet të heqë qafe ata gjykatës dhe prokurorë të angazhuar me dosjet e korrupsionit të qeverisë. Nëse do të kishte qenë i sinqertë një ligj i tillë, Berisha duhet ta kishte sjellë përpara 15 vjetësh. Nëse do të kishte qenë i sinqertë Berisha do të kishte mbështetur financiarisht të përndjekurit, por deri tani ata kanë marrë vetëm premtime. Asgjë më tepër se premtime.
Një projektligj i sjellë në parlament prej një grupi deputetësh, miratuar nga mazhoranca dhe hedhur poshtë nga gjykata kushtetuese... Një ndër arsyet e rëndësishme se përse ky ligj është antikushtetues është se me një ligj të miratuar me shumicë të thjeshtë, hidhet poshtë kushtetuta, që miratohet me shumicë të cilësuar dhe që përcakton mënyrën sesi shkarkohen gjykatësit. Në vazhdën e konflikteve të sponsorizuara nga shumica, ky i rradhës duket se është mjaft i rëndë. Lustracioni u drejtohet funksionarëve të lartë publikë, të cilët në periudhën 1944-1990, kanë qenë anëtarë të organeve shtetërore politikbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit. Ligji synon të largojë hetuesit e rëndësishëm të dosjeve të korrupsionit të qeverisë dhe çuditërisht pjesa e rëndësishme politikbërëse nuk cënohet. Ligji nuk i prek ish-ministrat e kohës së diktaturës si Skëndër Gjinushi.
Sikurse ka venë në dukje opozita, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe ndërkombëtarët, ligji për pastërtinë e figurës cënon shumë parime kushtetuese si për shembull: parimi i barazisë para ligjit, parimi i sigurisë juridike, parimin e prezumimit të pafajësisë, procesin e rregullt ligjor, kufizimit të të drejtave të njeriut për interes publik, parimin e ndarjes së pushteteve, parimin e gjësë së gjykuar, e kështu me rradhë.
Është më se e qartë se rruga drejt ferrit ndërtohet nganjëherë me qëllime të mira, por a nuk mendoni se një zgjedhje e tillë është e tepër për tu pranuar?
Enerida Isufi
profili
Emri: Enerida
Mbiemri: Isufi
Vendlindja: Pogradec
Mosha: 21 vjeç
Arsimi: Fakulteti i Drejtësisë/Dega: Juridik dhe UET/Dega: Marrëdhënie Publike/Komunikim
Profesioni: Studente
Besimi fetar: Musliman
Orientimi politik: E pavarur
“Diskriminim apo autodiskriminim?!”
“Ne jemi të përjashtuar nga shoqëria, ajo nuk na pranon si pjesë të saj, me një fjalë nuk na do njeri” Ky është një opinion i përgjithshëm që haset jo rrallë në mjedisin rom, një problem edhe më i madh kur ky opinion përbën lajtmotivin e jetës politike, shoqërore dhe kulturore të tyre. E rëndësishme është që të dallojmë dhe të sqarojmë nëse diskriminimi, si një barrierë me diapazon holist, është skalitur tek vetëdija e këtij komuniteti apriorisht; pra është diçka psikologjike apo opinioni i tyre është ngritur si rrjedhojë e faktit të vërtetë të ekzistencës së diskriminimit. Nisur nga eksperienca personale, por jo vetëm, diskriminimi ekziston sidomos në fushën e arsimit. Në dukje mbeten thjesht në kuadrin e fjalëve por thellë – thellë regreson atë pjesë aq të rëndësishme, që çon përpara zhvillimin dhe integrimin e këtij komuniteti. Si përfundim më duhet të them se se ekzistojnë të dyja anët e medaljes dhe diskriminimi dhe vetdiskriminimi dhe dua t’ju bëj apel si komunitetit rom, shoqërisë civile të saj, komunitetit shqiptar në tërësi dhe sidomos qeverisë shqiptare që të ndërveprojnë me njëri- tjetrin në mënyrë që të realizojne aspiratat e tyre për zhvillim dhe integrim.
Darina Zeqiri
profili
Emri: Darina
Mbiemri: Zeqiri
Vendlindja: Tiranë
Mosha: 27 vjeç
Arsimi: I lartë
Profesioni: Koordinatore për kompaninë Vodafone (Itali)
Besimi fetar: I padeklaruar
Orientimi politik: Asnjanëse
Hobi: Pa përgjigjje
"Shqiptarët jashtë kufijve / e drejta e votes”
Janë tashmë 8 vjet e 5 muaj që gjendem në Iitali. Janë plot 8 vjet e 5 muaj që krenaria ime e të qenit shqiptare vihet në dyshim. Mendohet nga mjaft persona që kush tejkalon kufijtë e atdheut është më pak patriot nga ai që qëndron aty. Ndaj unë sot, edhe pse në pritje të një fëmije, në momentin që u njoha me mundësinë e të dhënit zë kërkesave të emigranteve shqiptarë, nuk u frenova, por kënaqësia e devotshmëria e të qenit shqiptare bënë të mundur të gjendem këtu përpara jush duke mbartur me vete një kërkesë mbi të gjitha: Shqiptarët në Shqipëri mendohet të jenë pak më shumë se 3 milion, prej të cilëve vetëm 1.5 milion kanë arritur moshën e të drejtës së votimit, por vetëm 50% e tyre paraqitet të shprehi bindjen e saj politike kur thirret për të vendosur të ardhmen e Shqipërise.
Nuk mundemi atëherë tu mohojmë të drejtën "ELEMENTARE" të një shoqërie demokratike: atë të votës. Çdo përparim apo jo i shtetit shqiptar përmbledh edhe të ardhmen tonë, ndaj pikërisht se po flasim për një shtet demokratik, duke qenë sot i vetmi zë për tu ndjekur, sovran kudo e përherë, me të drejtat e detyrimet e tij në emër të lirisë, pavarësisë e demokracisë së Shqipërisë ashtu si vetë Kushtetuta Shqiptare parashikon, une sot shtroj kërkesën e uroj që kjo pasqyrë televizive të preki ndërgjegjjen e politikës shqiptare duke bërë të mundur hapjen e një diskutimi për të realizuar të drejtën, që një demokraci i ofron popullit të saj. Duke marrë si shembull vendet fqinje, të cilëve hap pas hapi po përpiqemi të gjithë së bashku, brenda e jashteë kufijve të arrijmë t'i quajmë motra e vëllezër të bashkuar nën gjirin e Bashkimit Evropian.
Marko Kagjini
profili
Emri: Marko
Mbiemri: Kagjini
Vendlindja: Kukës
Mosha: 20 vjeç
Arsimi: Inxhinieri Ndërtimi
(Gjermani)
Profesioni: Student
Besimi fetar: Ortodoks
Orientimi politik: Qendra e djathtë
Hobi: Politika, sporti, leximi
“era e demokratizimit”
Unë nuk kam besimin e plotë, por bindjen se ne jemi forca e shembullit dhe jo shembulli i forcës. Unë kam mekanizmin tim politik i cili mbështetet në tri kolona vertebrale dhe që kanë korrelacion mes tyre. Së pari është Shëndetësia, e cila ekziston nga papërgjegjshmëria, neglizhenca e mjekëve; që abuzojnë me detyrën, mungesa e barnave, rimbursimi për shtresat në nevojë, “striptizmi” pa kriter dhe thyerja e ligjeve. Ne nuk mund t’i tolerojmë këto. Zgjidhja jonë është përkushtimi dhe përgjegjshmëria kundrejt gjërave që kemi për detyrë që të marrim përsipër. Arsimi është pjesë e një bataku, moçali, ku universitetet janë pa fund si kërpudha pas shiut dhe shtohen për ditë e më tepër, rënia e cilësisë dhe mosbesueshmëria tek administratat e shkollave, pranime pa kriter në auditore, sistem jo sipas Kartës së Bolonjës dhe diploma të pa konkurueshme me ato të tregut Europian. Universiteteve nga njëra anë dhe pamundësi punësimi në anën tjetër. Ky është një “Antipod”. Mungesa e zhvillimit ekonomik krijon problem në xhepat dhe tryezat tona. Ne jemi alternativë e alternativave. Nuk jemi as e shkuara, as e tashmja por e ardhmja. Kjo nuk është Shqipëria jonë është e tyre. Shqipëria jonë nuk mund ta konsideroj politikën si profesion por vetëm si produkt i tre aspekteve si: një buzeqëshje, një shtrëngim dore dhe një fjalë inkurajuese që mund të bëjë votëbesuesi kundrejt dikujt që mendon se mund ta përfaqësojë. Epoka janë po fillon. Këmbanat e fundit të epokës se kaluar po bien. Jemi të zhgënjyer se shumë vonë po lind frymë e re, por më mirë vone se kurrë. Kjo është era e demokratizimit. Faleminderit!
Pse Panorama boton fjalimet e “liderëve të rinj”?
Mentor Nazarko
Nga sot deri në fillimin e reality shou politik Lider, gazeta Panorama ka zgjedhur të botojë në formën e një suplementi idetë apo propozimet për të ardhmen, deklamuar prej një pjese të konkurentëve të këtij programi origjinal televiziv të Klan-it.
Janë disa arsyet pse botohen këto vizione të mishëruara në formën e disa fjalimeve shpesh modeste për nga stili, por fillesa të një vizioni të së ardhmes, e që nisin prej shpirtit dhe mendjes së të rinjve dhe të rejave që duan afirmimin në politikën e vendit të tyre nëpërmjet Lider-it.
Së pari, sepse nuk ka një formë të ngjashme të përcjelljes së ideve të të rinjve për zhvillimin e vendit. Vetë faza e audicioneve të Lider është konceptuar në këtë frymë: të përfaqësojë një koncentrat idesh, gjykimesh, të ofrojë një pasqyrë të shpejtë të formimit kulturor, të aspiratave të brezit të ri që synon të marrë vetë në dorë fatin e vendit. Kjo trupë të rinjsh, nga më përfaqësuesit e brezit të tyre për nga njohuritë, konceptet, gjuhët e huaja që flasin, apo eksperienca jetësore unike, do të ofrojë jo thjesht lëndën e parë njerëzore për programin Lider. Në asnjë emision tjetër, nuk ke mundësi të dëgjosh dhjetra të rinj të thonë ç’mendojnë për liderët realë të politikës, Berisha, Rama, presidentin Topi, etj, etj.
Së dyti, sepse nëpërmjet këtij botimi, që editorët e Panoramës e konsideruan tërheqës për të afruar lexues të moshës së re, mund të kuptosh shumë për brezin më të ri të shqiptarëve. Shpesh të zhgënjyer deri dhe në nihilizëm për gjithë klasën politike pa përjashtim, shpesh apolitikë apo transversalë, dmth që çmojnë anët pozitive të njerës palë apo tjetrës, pa asnjë kompleks të rinjtë e Lider nuk kanë në shumë raste memorie historike. Dmth ata nuk dinë apo nuk duan të dinë për të kaluarën e politikanëve. Ata shpesh nuk kanë bindjet politike të prindërve. Për pasojë ata janë të pavendosur për krahun se kë do të votojnë nesër në zgjedhjet e ardhshme. Dhe politikanët realë duhet të mendojnë shumë para se të vendosin me ç’gjuhë do t’u drejtohen atyre.
Së treti, ne duam që të rinjve të tjerë, të paangazhuar në asnjë formë në kanalet publike të komunikimit apo të afirmimit, t’u ofrojmë modele tërheqëse siç janë shumë prej të rinjve që do të përzgjidhen për të marrë pjesë në Lider, në qytezën politike Utopia. Shumë prej tyre kanë arritur diçka në jetën e tyre me forcat e tyre, me energji, me ambicie të jashtëzakonshme duke sfiduar brezin apo shoqërinë të cilës i përkasin. Madje dhe jashtë vendit ku kanë studiuar me rezultate të shkëlqyera.
Së katërti, ne nuk e mbështesim suksesin e këtij programi televiziv tek misteri i plotë rreth protagonistëve që do të krijojnë atë që ne e kemi quajtur njëlloj Qyteti Politik. Këtë protagonistë, një pjesë e të cilëve vijnë tek publiku nëpërmjet faqeve të Panoramës, do të rriten dhe më tej brenda këtij qyteti, do të eksperimentojnë idetë e tyre brenda këtij realiteti virtual. Ata do të krijojnë një axhendë politike alternative me atë të Qytetit real politik, por kjo s’do të thotë se ajo nuk është ndoshta më realja. Sa herë ankohemi se politika merret me çështje që s’kanë fare lidhje me problemet reale të vendit! E pra këta të rinj, pa veset e politikës reale, me natyrshmërinë e tyre do të krijojnë një komunitet politik, që megjithëse virtual mund të jetë më afër realitetit. Nesër kur të dalin në jetën reale, ata do të jenë shumë më të pjekur dhe rrezik për politikën tradicionale.
Duke lexuar disa prej këtyre fjalimeve, pjesë e performancës së tyre në audicionet hyrëse për në reality shou Lider shpesh mund të gjesh momente patetike, mund të gjesh riprodhime të ideve të liderëve të mëdhenj. Por s’duhet të gënjeheni dhe të mendoni se këta liderë të rinj janë kopie besnike të Ramës, Berishës apo Metës: pjesa e vërtetë e tyre del nëpërmjet pyetje-përgjigjeve gjatë audicionit apo në situatat që do të prodhohen brenda komunitetit politik që ata do të krijojnë me fillimin e programit. Brenda qytezës politike ata do të formohen më tej, do të mësojnë si të flasin në mënyrë sa më origjinale, të kuptojnë se ç’është pjesa më e rëndësishme e politikës dhe ç’është më e parëndësishmja e saj. Ata do të ndeshen me njeri tjetrin sipas një formule origjinale, që do të prodhojë surpriza, intrigë, ndjenjë gare dhe kënaqësi intelektuale unike. Prisni dhe pak: pas tre muajsh shkolle politike, konkurence idesh, vizionesh dhe individualitetesh, këta të rinj që ju lexoni sot nuk do të jenë më të njëjtët; të ndrojtur e të pasigurt! Por të etur, të dëshiruar për t’u zhytur në politikën e vërtetë!