Mashtruesi Aliu, donacione për Gërdecin e Presidencën
Fatos Mahmutaj
Indrit Aliu, supermashtruesi i biznesmenëve në fillim të aktivitetit të tij i ka harxhuar paratë pa fund për donacione me qëllim që të krijonte besim. Brenda dy muajve nëntor-dhjetor, të vitit të kaluar, fondacioni “Dejs & Partners Consulting” ka harxhuar plot 185 milionë lekë të vjetra. Këtë shifër ia ka raportuar Majlinda Nano, drejtoresha ekonomike e fondacionit, kreut Aliu më datë 7 janar të këtij viti, pasi ka bërë bilancin e parave të qarkulluara në këtë shoqëri. Shkresa drejtuar Aliut, dhe që është gjetur mbi tavolinën e punës në zyrën e tij, titullohet: “Raportimi i të dhënave mbi shpenzimet financiare nga fillimi i aktivitetit deri në fund të vitit 2008”. Në shkresë thuhet se: “Sipas gjendjes së regjistrimit të dokumentacionit financiar, brenda kësaj periudhe rezulton një veprimtari normale shpenzimesh, e cila është pasqyruar në të gjithë mandate arkëtimet dhe mandate pagesat. Shuma e hyrjeve nga fillimi i aktivitetit deri më 31 dhjetor 2008, është 18.532.345 lekë të reja”. Ndërkohë duke sqaruar destinacionin e këtyre parave, thuhet se: “Kjo shumë është përdorur për shpenzimet e brendshme, kryesisht në kompletimin e të gjitha kushteve sa më komode të ambientit ku kryejmë aktivitetin, pagesën e taksave në bashki, pagesën mujore të qirasë së ambientit ku punojmë, pagat dhe shpërblimet e punonjësve, si dhe donacionet e ndryshme që u bënë në Drejtorinë e Policisë Elbasan, për ndihmën e fëmijëve jetimë, të fëmijëve të policëve të vrarë, për azilin e pleqve, gjithashtu u dha edhe një ndihmesë në Gërdec, Librazhd, Fier dhe Vlorë. Përveç këtyre janë kryer dhe transaksione bankare për vazhdimin e punimeve të tenderëve”. Po kështu, në këtë dokument të siguruar nga gazeta, thuhet se gjatë muajve të fundit të vitit 2008 në “Dejs & Partners Consulting” ka hyrë dhe një sasi valute kryesisht në euro, shuma 32.250 euro, e cila është përdorur për donacionin e haxhillëkut dhe për dekorimin e Presidentit të Republikës. Shkresa që përmban këto të dhëna, nuk ka firmë dhe vulë, nga Aliu apo Nano, por ka sipër logon e fondacionit me anë të të cilit u mashtruan dhjetëra biznesmenë kryeqytetas. Të paktën për një pjesë të këtyre pretendimeve, dihet se Indrit Aliu nuk ka dhënë asnjë lekë, po kështu mendohet se është vepruar me të gjithë këto raste të përmendur, ndërsa është fakt se Aliu ka futur në xhepin e tij të gjitha shumat që i kanë dhënë biznesmenët. Ky dokument u gjet në zyrat, në të cilat Indrit Aliu kishte vendosur kompaninë “Dejs & Partners Consulting”, ndërkohë mes tjerash atje gjenden edhe një sasi e konsiderueshme kontratash që ai kishte lidhur me biznesmenë të ndryshëm për tenderë imagjinarë.
Ja dokumenti i bilancit financiar
Dokumenti që po publikojmë sot është gjetur mes shumë të tillëve në zyrat e shoqërisë “Dejs & Partners Consulting”, ku Indrit Aliu kamuflonte mashtrimin ndaj biznesmenëve. Nëpër raftet, sirtarët e shumtë dhe tavolinat e punës të kësaj shoqate kanë mbetur me dhjetëra dokumente të tilla të përpiluara nga punonjësit e këtij fondacioni, si dhe një sasi e konsiderueshme kontratash sipërmarrjeje dhe mandat-arkëtimesh për pagesat që i bëheshin Aliut nga biznesmenët që binin në kurthet e tij. Të paktën, nuk dihet që Aliu të ketë dhënë vërtet para apo ndihma të tjera në ndonjë prej rasteve ku ka premtuar donacione publikisht. Mendohet se ai, për t’u bërë më i efektshëm në mashtrimet e veta, premtonte ndihma për persona dhe grupe shoqërorë në nevojë.