E Diel, 1 Nëntor 2026

Çuditen turistët, qyteti 2400 vjeçar i UNESCO -s pa muze

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Më kot kërkojnë turistët që vijnë nga shtete të ndryshme të botës që të vizitojnë muzeun historik të qytetit 2400 vjeçar të Beratit. Prej 12 vitesh, i ashtuquajturi “qyteti muze” nuk ka një muze. Dyert e saj u mbyllën që në vitin 1997, ndërsa godina e saj bashkë me të gjitha pajisjet relike u kaloi pronarëve të tokës. Kërkesat e vazhdueshme të vendorëve për të vënë dorë me projekte konkrete kanë rënë në vesh të shurdhër. Pasi qyteti i Beratit ka hyrë në UNESCO, interesi i të huajve për ta vizituar atë është shtuar. Ndër preferencat e tyre pasi kanë vizituar disa prej lagjeve më të vjetra, ishte edhe një vizitë në muzeun e këtij qyteti. Por shoqëruesit e tyre janë detyruar t’u komunikojnë me keqardhje se kryeqendra e kulturës nuk kishte ende një muze ku ata të mund të shihnin mjaft relika të vjetra, dhe të krijonin një perceptim të tyre për historinë e këtij qyteti. Megjithë këtë situatë, ky muze ka një drejtoreshë. Marela Guga theksoi se institucioni që ajo drejton nuk mund të presë turistë e vizitorë, as vendas e as të huaj. Një pjesë e pajisjeve relike që kanë mbetur janë vendosur në një bodrum, të cilët rrezikojnë të prishen nga lagështira dhe ambienti pa dritë. Për momentin është dhënë mundësia e një dhome të vogël brenda godinës së Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”. Por aty janë vendosur vetëm disa dosje dhe asgjë më shumë. Drejtoresha e Muzeut, Guga, u shpreh se kryeqendra e kulturës ka mbetur pa muze që prej 12 vjetësh. “Pronarët e godinës e morën muzeun me gjithçka ishte brenda saj. Tashmë të gjithë turistët që vijnë për të vizituar këtë qytet mbi 2400 vjeçar, çuditen kur arrijnë të mos vizitojnë një muze të një qyteti muze me një histori të rrallë. Ka një kohë shumë të gjatë që qeveria nuk ka dhënë asnjë fond për të mirëmbajtur këtë thesar vlerash të pa zëvendësueshme” u shpreh Guga. Sipas saj, në sajë të inventarëve, në momentet që godina është privatizuar nga familja e madhe beratase Verjonas, muzeu ishte e kompletuar me pajisje me vlera të rralla historike. Ato ishin edhe pjesë të konfiskuara nga shteti që në vitin 1945, si objekte të vjetra muzeale prej floriri, thika, shandanë, pjata floriri, kolltukë,  abazhurë etj. Ka të dhëna se këto objekte sot ndodhen në dorën e një figure të njohur të politikës në Tiranë, i cili i ruan ato në mënyrë private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›