Mijëra në shesh për NATO-n, Berisha: Ju premtoj BE-në
adi shkembi
Kryeministri Sali Berisha premton zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme një ditë pas anëtarësimit me të drejta të plota në NATO. Në një ceremoni të zhvilluar në sheshin “Skënderbej” qindra-mijëra njerëz, përafërsisht si në vitin 1992 kur nga zgjedhjet e 22 marsit u rrëzua sistemi komunist, ndoqën nga afër për më shumë se dy orë e gjysmë përshëndetjen e kreut të qeverisë dhe një koncert me disa nga këngëtarët dhe grupet më të njohur.
Berisha
Rreth orës 18.15, Kryeministri Berisha nisi të ecë në këmbë në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, ku u takua me qindra qytetarë të cilët kishin mbushur dy anët e bulevardit. Festa e organizuar nga qeveria nisi nën ritmet e këngës “We can win the race” (ne mund ta fitojmë garën), të grupit “Modern Talking”. Pas përgëzimeve me qytetarët për anëtarësimin në NATO, kreu i qeverisë u ngjit në podiumin e ngritur përpara monumentit të “Gjergj Kastriot Skënderbeut”, ku përshëndeti sërish qytetarët për vendin e zënë nga Shqipëria në Aleancë. Në fjalën e tij Berisha tha se pas anëtarësimit në NATO, dy premtimet e radhës janë zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 28 qershor si dhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian. “Le t’i garantojmë ata se me reformat e mëdha dhe të gjithanshme, ne shqiptarët do t’i përgjigjemi me besnikëri të madhe të gjitha kërkesave të Aleancës, do marrim pjesë në të gjithë misionet e saj civile dhe ushtarake, të çdo lloji. Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të 28 qershorit me qëllimin për të zhvilluar zgjedhje të lira të ndershme. Ne do të shkojmë të sigurt drejt projektit të dytë të madh historik kombëtar; integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë”, u shpreh Berisha teksa falënderoi sërish SHBA-në, dhe NATO-n për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë. Sipas tij “le t’i sigurojmë ata se këtë mbështetje të madhe dhe këtë besim të jashtëzakonshëm që vendosën mbi ne, do ta shndërrojmë në një energji të pashtershme, në një vendosmëri të palëkundur për të ndërtuar dhe konsoliduar në këtë vend vlerat dhe parimet e mëdha, mbi të cilat NATO është ndërtuar, qëndron dhe vepron”. Anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në NATO shënon sipas kryeministrit Berisha fundin e tranzicionit 18-vjeçar në Shqipëri. Kreu i qeverisë e vlerësoi 4 prillin si ditë të madhe të kombit shqiptar. “Dje, ju dhe përfaqësuesit tuaj më të lartë, u ulën për herë të parë në historinë e këtij kombi në Samitin e Strasburgut si të barabartë me liderët e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Prandaj sot, urimi im për ju, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, por edhe për shqiptarët kudo që janë sot, është: Gëzuar ditën e madhe të krenarisë kombëtare, ditën e bardhë të mrekullisë së lirisë!”, u shpreh Berisha. Sipas tij “Anëtarësimi në NATO shënon për ne sigurinë e lirive tona, shënon arritjen më të madhe për liritë tona, të fëmijë tanë dhe të gjeneratave që vijnë. Ky anëtarësim shënon fundin e një udhëtimi shekullor; epik në qëndresë, legjendë në dhimbje, sakrifica dhe vuajtjesh më të mëdha se të çdo kombi tjetër”.
Koncerti
Pas fjalës së kreut të qeverisë, e cila zgjati aq sa ishte parashikuar edhe më parë, vetëm 15 minuta, qindra fishekzjarrë të hedhura nga tarraca e Pallatit të Kulturës ndriçuan sheshin “Skënderbej”, ndërkohë që në podium nisën të hipnin këngëtarë dhe grupe të njohura. Si në çdo koncert tjetër të organizuar nga Partia Demokratike, edhe këtë herë të parët që hapën festën ishin grupi i njohur i shqiptarëve të Maqedonisë “Elita 5”. Tekstet e disa prej këngëve të këtij grupi u shoqëruan me zë edhe nga ministrat e kabinetit të kryeministrit, të cilët ishin vendosur së bashku me deputetët e maxhorancës pranë podiumit. Gjatë koncertit nuk munguan as fotot e kryeministrit me anëtarët e këtij grupi. Më pas për më shumë se dy orë, parakaluan njeri pas tjetrit Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Jonida Maliqi, Grupi kosovar “Kthjellu” si dhe grupi “UB40”.
Olldashi: Bindëm aleatët që meritojmë NATO-n
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi tha dje gjatë një takimi elektoral në Baldushk se brenda një viti qeveria arriti të bindë vendet anëtare të NATO-s se e meriton anëtarësimin në Aleancë. “E gjithë kjo punë e qeverisë shqiptare, të gjitha arritjet e saj, dyfishimi i pensioneve të vogla në fshat; i premtuar, i realizuar; dyfishimi i rrogave të mësuesve dhe infermierëve; i premtuar, i realizuar, ulja e ndjeshme e taksave, e premtuar e realizuar. Këto bëjnë që çdo drejtues i Partisë Demokratike të dalë ballëhapur para zgjedhësve dhe të kërkojë sërish votën e tyre më 28 qershor. Për më tepër brenda një viti bindëm 26 vendet më të fuqishme të globit se ne e meritojmë hyrjen në NATO”,- theksoi Olldashi.
Meta: NATO, përgjegjësi për zgjedhje të lira
Anëtarësimi në NATO është një përgjegjësi e madhe për politikën, për zgjedhje të lira dhe me standarde. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta përshëndeti dje anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në një deklaratë për shtyp Meta tha se, “Shqipëria në NATO është një lajm i lumtur për të gjithë shqiptarët dhe populli ynë e meriton këtë vlerësim të Aleancës dhe SHBA-së”. Sipas tij, “Shqipëria në NATO është njëkohësisht një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe për politikën shqiptare, qeverinë, por edhe për opozitën, për të realizuar zgjedhje të ndershme dhe të lira, si dhe për të zgjidhur çështjen e kartave të identitetit, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kenë mundësinë për të votuar dhe për të shprehur vullnetin e tyre”.
Meta bëri apel që: “Shqipëria në NATO është një përgjegjësi shumë e madhe për politikën shqiptare, që ta kthejë këtë mesazh sigurie dhe lirie për kombin tonë në një avantazh për mirëqenien dhe për punësimin e shqiptarëve”.
Pritja zyrtare në Rinas, mungojnë deputetët e PS
Aristir Lumezi
Delegacionit zyrtar që u kthye nga Samiti i NATO-s iu rezervua një pritje madhështore në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit. Avioni shtetëror që sillte në atdhe delegacionin shqiptar mbërriti në mesditë ndërsa protokolli i shtetit kishte organizuar një pritje të ngjashme me atë të krerëve të shteteve të tjera që vizitojnë Tiranën. Në fillim nga çarteri doli Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta, më pas delegacioni vazhdoi me kryeministrin Berisha, zonjën e tij Liri Berisha, kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, ministrat Oketa dhe Basha si dhe kryetarët e grupeve parlamentare. Pritja e delegacionit u bë me një ceremoninë zyrtare me roje nderi dhe bandë muzikore. Në aeroportin e Rinasit kishin dalë për të pritur delegacionin shqiptar edhe zv/kryeministri Genc Pollo dhe ministrat e kabinetit qeveritar dhe të gjithë deputetët e maxhorancës. Ra në sy mungesa e deputetëve të opozitës, të cilët mësohet se nuk kishin ftesë për pjesëmarrje në këtë ceremoni. Deputetë të opozitës pohuan dje se e vetmja ftesë, që i ka mbërritur ishte ajo e ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku, për të marrë pjesë në koncertin festiv në sheshin “Skënderbej”, që zhvillohej “nën kujdesin e veçantë të shkëlqesisë së tij, kryeministrit Sali Berisha”. Pasi ka mbajtur një fjalë të shkurtër përshëndetëse, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është larguar nga Aeroporti i Rinasit bashkë me bashkëshorten e tij Teuta dhe këshilltarët që e shoqëronin. Ndërkaq kryeministri Berisha la përshëndetur deputetë dhe të pranishmit e më pas është nisur drejt Tiranës. jashtë aeroportit ai është pritur nga shumë banorë të zonave përreth, të cilët me makina ku mbanin flamuj të NATO-s kanë shoqëruar delegacionin deri në Tiranë. Delegacioni shqiptar i sapo kthyer nga samiti i Strasburg-Kehl ku Shqipëria u anëtarësua në NATO është shoqëruar me motoçikletat të Policisë Rrugore, ndërsa grupe qytetarësh kana përshëndetur në pjesë të ndryshme të autostradës Tiranë-Durrës. Edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kryeministri Berisha dhe ministrat që e shoqëronin janë pritur nga një numër i madh qytetarësh e më pas Berisha ka hyrë në kryeministri, ku ka zhvilluar një mbledhje informale me disa ministra të kabinetit të tij qeveritar.
PS, Leskaj shmang ceremoninë në aeroport
Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar në Samitin e NATO-s, nuk ka qenë e pranishme në ceremoninë e organizuar në pistën e aeroportit të Rinasit. Ajo ka shmangur pritjen që u ishte rezervuar Presidentit të Republikës, Topi, Kryeministri Berisha, kryetares së Kuvendit, Topalli dhe ministrave Oketa dhe Basha, duke zbritur nga dera tjetër e avionit Çarter, nga ku zbritën dhe këshilltarët e kryeministrit dhe presidentit, pjesë të delegacionit. Pas zbritjes nga avioni që solli delegacionin, ajo është larguar nga Rinasi me makinën e saj. Zonja Leskaj ishte pjesë e delegacionit shqiptar në Samit si kryetare e grupit më të madh parlamentar të opozitës, ndërsa ka pasur takime të rëndësishme gjatë mbledhjes së samitit, ku Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në NATO. Ajo u takua me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton ku shkëmbyen mendime rreth anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. Nga Strasburgu, kryetarja e grupit parlamentar socialist deklaroi në ditën e anëtarësimit se “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi edhe falë opozitës së re, që ofruan socialistët pro reformave”. “Ishte Kryetari i PS-së, Edi Rama, që i kërkoi Sheferit me anë të letrës së tij për t’u anëtarësuar në NATO”. “Kryetari i PS-së, Edi Rama bëri edhe një letër drejtuar Kryeministrit Berisha, për realizimin e reformave me një paketë prej 5 pikash, por u refuzua fillimisht, për të vijuar më pas me reformat në sistemin e drejtësisë dhe asaj zgjedhore. Kontributi i saj ishte opozita e re që ndikoi në anëtarësimin në NATO. Roli i opozitës ka qenë përcaktues në procesin e anëtarësimit në NATO. Festa mbaroi dhe duhet të marrim përsipër përgjegjësitë që na takojnë”, deklaroi Leskaj.
Topi: NATO, kontribut i shqiptarëve dhe aleatëve
Presidenti Topi i cili përshëndeti të pranishmit dhe të gjithë shqiptarët përmes televizioneve, e cilësoi pranimin e Shqipërisë në NATO një ditë të rëndësishme për historinë e kombit shqiptar dhe e konsideroi një fitore historike të së gjithë shqiptarëve. “Kam kënaqësi të veçantë në një ditë si kjo, të falënderoj popullin shqiptar institucionet e Shqipërisë dhe Forcat e Armatosura, që bënë të mundur anëtarësimin tonë në Aleancë. Po ashtu vullnetit të institucioneve shqiptare i është bashkangjitur vullneti i aleatëve tanë, ku këtu falënderoj sidomos aleatin tonë kryesor, SHBA-në. Urimet më të mira të gjithëve”, tha Presidenti Topi në mesazhin e tij të shkurtër dhënë për mediat, sapo ka zbritur nga avioni.