E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, taksa e tabelës për bizneset bëhet 1 euro në vit

 

zirina llambro

Vetëm 1 euro për të identifikuar një bar a restorant me emrin e logon përkatëse. Por tabela duhet të jetë patjetër në gjuhën shqipe. Kjo do të jetë taksa që do të paguajnë këtej e tutje pronarët e këtyre bizneseve. Ndërsa ato subjekte, të cilat veç tabelës identifikuese, reklamojnë produktet duke shtuar të tjera fjali mikluese mbi cilësinë e shijen, faturën do ta kenë disa herë më të kripur se më parë. Për këto lloje tabelash taksa do të jetë 45.000 lekë /m2 në vit. Dje në mbledhjen e dytë të saj pas zgjedhjeve, Këshilli i Ministrave mori pikërisht këtë vendim. Me këtë ndryshim ligjor, Ministria e Financave që ka bërë propozimin argumenton se të ardhurat që do të vilen nga taksat e tabelave shkojnë tërësisht në favor të buxhetit të qeverisjes vendore, duke rritur ndjeshëm të ardhurat e tyre. “Sa i përket tabelës për qëllime identifikimi është vendosur që taksa të unifikohet duke u bërë vetëm 1 euro. Aplikimi aktual i saj në bashkinë më të madhe në vend  është 1500 lekë për tabelat në shqip dhe 3000 lekë për tabelat në gjuhë të huaj”, sqaron Ministria e Financave. Sipas saj, logjika e uljes së kësaj takse bëhet me logjikën se është në të drejtën e çdo biznesi identifikimi i tij, pa e rënduar me kosto shtesë. Por ndërkaq vendosja e një tabele me qëllime reklamimi pranë një bari a restoranti, apo në një tjetër ambient publik, do të paguhet gati 5 herë më shtrenjtë. ”Aktualisht në bashkinë më të madhe në vend aplikohen nivelet për tabelat e zakonshme 10.000 lekë/m2 në vit dhe 15 000 lekë /m2 në vit për ato elektronike. Niveli i këtyre taksave është menduar të unifikohet duke parashikuar një rritje të nivelit të tyre deri në 45 000 lekë /m2 në vit”, thuhet në relacion. Ky ndryshim vjen me logjikën se këto tabela janë për qëllime reklamimi dhe reklamat janë pjesë e konsiderueshme e kostos së biznesit. Nga ana tjetër rritja e taksave për reklamat vjen edhe për ta sjellë atë në nivel më vendet e tjera. ”Por edhe për të kufizuar përhapjen pa kufij të tyre, pasi jemi një vend me një ndotje të lartë vizuale dhe për këtë ndotje duhet paguar”, saktëson qeveria. Gjithashtu vendosja e tabelave në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, do të jetë 1.000 lekë/m2 në vit.  Në ndryshimet që i janë bërë ligjit është shfuqizuar dispozita, e cila i lejonte Këshillit Bashkiak përcaktimin e bazës së taksës së tabelës, si dhe nivelin e saj. Kjo kompetencë tashmë i delegohet vetë ligjit.

taksat e tabelave

Tabelë për qëllime identifikimi       
• Ishte: 1500-300 lekë/m2 në vit
• Bëhet:1 euro ose 120 lek/m2 në vit

Tabelë për qëllime reklamimi
• Ishte:10 000-15 000 lekë/m2 në vit
• Bëhet:45 000 lekë/m2 në vit

Tabelë në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese e banderola
• Bëhet:1 000 lekë/m2 në vit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›