E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontroll i rreptë për hartuesit e standardeve të kontabilitetit

05/02/2009  Rregullat e Bordit të Standardeve të Kontabilitetit janë adoptuar në 100 vende

Rregullatorët do të mbikëqyrin punën e hartuesve të rregullave ndërkombëtare të kontabilitetit, në përpjekje për ti dhënë grupit më shumë legjitimitet publik. Hartuesit e standardeve kanë qenë nën presion, si një entitet privat, i cili harton ligje publike. Rregullat e kontabilitetit të nxjerra nga Bordi Ndërkombëtar i Standardeve të Kontabilitetit po përdoren, ose janë adoptuar, nga më shumë se 100 vende duke përfshirë Bashkimin Evropian, Japoninë, Indinë dhe Kinën.

DETYRIMI

Mbledhja e G20-s në nëntor bëri thirrje në mënyrë specifike për ndryshimin e strukturës aktuale për të përmirësuar përgjegjshmërinë dhe pavarësinë e hartuesve të rregullave dhe të zhvillojë një marrëdhënie me autoritetet përkatëse. Duke filluar nga java tjetër, një grup monitorues nga rregullatorët kryesorë do të mbikëqyrin punën e Komitetit të Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit, grupi që emëron dhe mbikëqyr IASB. Grupi monitorues do të përfshijë Komisionin e Letrave me Vlerë dhe të Këmbimit në Shtetet e Bashkuara, Komisionin Evropian, Agjencinë e Shërbimeve Financiare japoneze dhe liderë nga Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë. “Ne e njohim nevojën për ndryshim në kuadrin në zhvillim global të vendosjes së standardeve”, - deklaroi Gerrit Zalm, kryetar i “IASCF Trustees”. Rregullimet e reja sigurojnë pavarësinë e IASB. Struktura, me një grup monitorues për të mbikëqyrur të besuarit, të cilët nga ana e tyre mbikëqyrin hartuesit e standardeve, është e ngjashme me atë të përdorur nga një sërë hartuesish të rregullave kombëtare për kontabilitetin.

MONITORIMI

Mbledhja e parë e grupit monitorues parashikohet të zhvillohet në prill. Mungesa e legjitimitetit publik të IASB, shihet gjithashtu si një shtyllë penguese për çdo adoptim nga ana e SHBA, të rregullave të saj të kontabilitetit. Vitin e fundit, Komisionet e Letrave me Vlerë dhe të Këmbimit publikuan një "hartë", e cila mbulonte se si SHBA do të kalojnë në zbatimin e rregullave ndërkombëtare. Komentet përkatëse bëhen deri më 19 shkurt. Gjithsesi, Mary Schapiro, kryetarja e re e SEC, e ka bërë të qartë që nuk do të kufizohej nga harta e propozuar, e cila ka parë disa kompani të SHBA të hartojnë raporte sipas rregullave ndërkombëtare vetëm brenda një periudhe kohore prej një viti. Të enjten, të besuarit e IASCF, deklaruan që ata do të zgjeronin madhësinë e bordit të IASB, nga 14 në16, me qëllim të ndihmojë atë në përmirësimin e përfshirjes gjeografike dhe të reflektojë faktin se standardet e tij tashmë po aplikohen nëpër botë.

Marrë nga “Financial Times”

Ligji i ri

Standardet ndërkombëtare janë përkthyer edhe në shqip. Ministria e Financave ka hartuar një projektligj për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar. Drafti është futur për diskutim në komisionet parlamentare të Kuvendit. Pasi të kalojë diskutimet në parim dhe nen për nen në këto komisione, është parashikuar miratimi në Parlament. Projektligji, sipas relacionit zyrtar, është i pari akt ligjor që ka si qëllim rregullimin e dispozitave të qarta në fushën e auditimit ligjor dhe profesionin e pavarur të ekspertit kontabël të shoqërive të auditimit dhe kontabilistit të miratuar dhe shoqërive kontabël.

Rregullat

Projekti parashikon rregullat e përgjithshme mbi të drejtën e ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël dhe shoqërive të auditimit. Kandidati duhet të plotësojë kritere të përcaktuara për marrjen e certifikimit dhe të regjistrimit, ku përfshihen kritere për kryerjen e stazhit profesional me kohë të plotë apo të pjesshme për të paktën 3 vjet për auditimin e pasqyrave financiare individuale dhe të konsoliduara, kushtet e pranimit për kryerjen e tij, organin përgjegjës për certifikimin që është Autoriteti Certifikues si dhe regjistrimin e kandidatit për ushtrimin e së drejtës të ekspertit kontabël. Kjo realizohet vetëm pas kalimit të testimit dhe 5 provimeve sipas fushave të specifikuara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›