KfW, 1.5 milion euro për furnizimin me ujë në zonat rurale
Një kredi prej 1.5 milion eurosh nga KfW pritet të lëvrohet për financimin e projektit "Programi rural i furnizimit me ujë të zonave rurale - Faza 2", që do të shtrihet në disa qarqe të vendit. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Fondit Shqiptar për zhvillim (FSHZH) dhe KfW-së, Frankfurt Am Main, për financimin e projektit "Programi për furnizimin me ujë të zonave rurale (Faza 2)". Projekti do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ka për objektiv sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm sasior dhe cilësor me ujë të pijshëm të popullsisë së disa qarqeve si Dibër, Kukës dhe Shkodër. Kredia e marrë është me terma të buta, me afat maturimi prej 30 vjet, interes 2% në vit, ndërsa për dhjetë vjet nuk do të paguhet principali. Kostoja e parashikuar e projektit është 1.785 milionë euro, ku 1.5 milion euro financohen nëpërmjet kësaj kredie dhe pjesa tjetër janë kontribut vendor prej 285 mijë euro. Referuar marrëveshjes, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) me mbështetjen e një konsulenti ndërkombëtar të specializuar për ujësjellësit ruralë, do të aplikojë kriteret sociale, teknike dhe financiare të këtij programi për identifikimin dhe seleksionimin e komunave dhe fshatrave. Gjithashtu, FSHZH do të menaxhojë anën financiare, përfshirë kontributet fillestare të përfituesve dhe komunave respektive, si dhe do të monitorojë prokurimin, projektimin, zbatimin, operimin dhe mirëmbajtjen e skemave të financuara të ujësjellësve në zonat e përzgjedhura.