E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontroll në furgon, zbulohet lënda e dyshuar si eksploziv

Tiranë

Një lëndë e dyshuar si eksploziv është gjetur ditën e djeshme në një makinë, teksa udhëtonte nga Tirana drejt një rrethi. Ajo është zbuluar nga një kontroll rutinë i një postblloku policie, që ishte vendosur pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Durrës, ku mbetën të vrarë tre persona. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se makina është bllokuar te vendi i quajtur “Kthesa e Kamzës” dhe është pikërisht një furgon me targa të Tiranës. Sipas të dhënave nga policia, mjetit i është bërë shenjë të ndalojë nga postbloku i policisë dhe më pas u janë kërkuar dokumente identifikimi gjithë udhëtarëve. Pas kontrollit të tyre, është kërkuar të hapet bagazhi i makinës, ku është pikasur një çantë, brenda së cilës është gjetur një sasi lënde pluhur, që policia dyshon se është eksploziv. Menjëherë, punonjësit e policisë kanë shoqëruar gjithë të pranishmit në furgon, bashkë me shoferin. Ata janë dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërkohë që lënda është ekzaminuar nga ekspertët e antieksplozivit. Sipas hetimeve, lënda, bashkë me mbështjelljen arrin në 600 gramë, por pas verifikimeve ka rezultuar se është në sasi më të vogël. Megjithatë, policia ende nuk ka nxjerrë konkluzione nëse është lëndë eksplozive apo ndonjë objekt tjetër. Në lidhje me këtë janë marrë në pyetje edhe gjithë pasagjerët, bashkë me shoferin. Por asnjë prej tyre nuk e ka pranuar që lënda ishte e tij. Madje, shoferi i furgonit ka treguar se ajo mund të jetë lënë nga ndonjë pasagjer, por nuk mund të dinte me saktësi se çfarë është. Në këto kushte, policia ka liruar të shoqëruarit, por vazhdon hetimi për ta dokumentuar plotësisht këtë rast dhe për të verifikuar lëndën e gjetur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›