Rikthehen klandestinët në Rinas, kapen gjashtë kurdë
Policia arreston dy organizatorët shqiptarë. U merrnin nga 6500 euro. Ja linja e trafikut
Rikthehet një linjë e vjetër trafiku klandestinësh nëpërmjet Rinasit. Policia e kryeqytetit e ka zbuluar këtë linjë për rreth një javë hetim, duke vënë në pranga dy prej organizatorëve dhe një tjetër e ka shpallur në kërkim. Të arrestuarit dyshohen se në bashkëpunim, brenda një jave, kanë realizuar trafikimin e gjashtë kurdëve, të cilët po tentonin t’i dërgonin për në Austri. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se bashkëpunonte me persona të tjerë në Turqi, si dhe mund të ketë lidhje me punonjës policie apo të tjerë brenda aeroportit të Rinasit.
“Rruga e vjetër”
Drejtoria e Policisë së Tiranës, në një njoftim për shtyp bëri të ditur se gjatë orëve të vona të së mërkurës, duke u gdhirë dita e djeshme, ka realizuar operacionin “Rruga e Vjetër”. Gjatë këtij operacioni, të drejtuar nga seksioni kundër trafiqeve, u arrestuan Bernard Dali Demirlika, 33 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Valmir Tasim Domi, 38 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, arrestimi i tyre u krye në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, sepse dyshohen se prisnin kurdë që vinin nga Turqia, me qëllim për t’i trafikuar në Perëndim. Ata janë kapur rreth orës 17:30 të ditës së mërkurë, teksa prisnin gjashtë kurdë, të cilët do të zbrisnin nga avioni. Fillimisht policia ka shoqëruar katër kurdët dhe ka marrë deklaratat e tyre, të cilët kanë deklaruar se kanë paguar nga 6500 euro secili për të emigruar ilegalisht në Austri. Më tej, policia tha se të njëjtat deklarata kanë marrë edhe nga dy kurdë të tjerë, të bllokuar rreth një javë më parë. Në të dy rastet, kurdët kanë deklaruar se pagesën e kanë bërë te disa persona në Turqi. Më pas ata kanë udhëtuar drejt Shqipërisë dhe do të ndiqnin një linjë të caktuar ajrore. Me këto të dhëna, policia ka zbuluar gjithë linjën e trafikut dhe tashmë po punon për identifikimin e gjithë anëtarëve të rrjetit. Sipas hetimeve, ata do të kalonin kufirin me destinacion Austrinë, nëpërmjet linjës ajrore Rinas–Kosovë–Hungari–Austri. Burimet policore shpjegojnë se kjo është një rrugë e vjetër e ndjekur nga trafikantët e klandestinëve.
Linja
Nga ana tjetër, policia shpjegoi se kurdët e kishin bërë pagesën nëpërmjet dy shtetasve me kombësi turke. Paratë ia kishin dhënë një tjetër personi, i cili është shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit, por momentalisht i janë publikuar vetëm inicialet K.K. Ai mendohet se e ka kuptuar operacionin e policisë dhe është larguar nga vendbanimi i tij, pavarësisht se sipas të dhënave nga kufiri nuk e ka kaluar territorin shqiptar. Gjithashtu, policia shqiptare po punon në bashkëpunim edhe me prokurorinë për të dokumentuar raste të tjera të këtij grupi, që i janë rikthyer linjës së vjetër. Ndërkaq, grupi i punës po heton edhe për lidhje të personave të arrestuar me punonjës policie ose të aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas. Prej kohësh, në Rinas ishin zhdukur trafiqet ilegale të njerëzve që vinin nga shtete të tjera, pavarësisht se tentativa të shtetasve shqiptarë për të kaluar kufirin me dokumente false ka pasur herë pas here, por kanë qenë raste të dështuara. Tri ditë më parë, nga Drejtoria Rajonale e Kufirit në Tiranë u dërgua për ndjekje penale në gjendje të lirë Vaid X., 28 vjeç, banues në Krujë. Ai është kapur rreth orës 06:30 të mëngjesit, duke tentuar të udhëtojë me dokumente false. Pasi është marrë në pyetje për rrugën që kishte ndjekur që të kalonte ilegalisht kufirin, është lënë sërish i lirë, ndërkohë që hetimi vazhdon për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
#