E Diel, 1 Nëntor 2026

Sillet në pranga nga Greqia, grabiti dhe vrau klandestinët

Interpol
Ekstradohet nga Greqia Andrea Berberi, i dënuar me 20 vjet burg dhe i kërkuar prej 10 vitesh

Greqia ka sjellë në pranga një shqiptar, i cili kërkohej që prej vitit 2000, pasi ka grabitur një grup klandestinësh dhe ka vrarë një prej tyre, teksa tentonin të kalonin kufirin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Kapshticë, pikërisht më 4 janar të vitit 2000, e që atëherë Andrea Berberi, i ekstraduar dje, ishte shpallur në kërkim, por kishte mundur t’i shpëtonte arrestimit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditur se në orën 15:00 të ditës së djeshme, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana është kryer ekstradimi nga Athina e Greqisë, drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Andrea Halil Berberi, 42 vjeç, lindur në Korçë. Gjykata e Apelit në Korçë, me vendimin penal nr.103, datë 03 tetor 2008, e ka dënuar shtetasin Andrea Berberi me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me pasojë vdekje”, e kryer në bashkëpunim. Sipas dosjes penale në ngarkim të tij, më datë 04 janar 2000, në Kapshticë, në vendin e quajtur Qershitë, Andrea Berberi, i cili njihet edhe me emrin Sejdin, në bashkëpunim me shtetasin Ilir Qose, kanë ndaluar disa shtetas që po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin për t’u futur në territorin grek. Të maskuar, përmes kanosjes me armë automatike, u kanë grabitur atyre të gjitha paratë që mbanin me vete. Njëri prej emigrantëve ilegalë, Xhemal Guri, që ka tentuar të largohet, është qëlluar me armë nga dy autorët dhe si pasojë ka gjetur vdekjen. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Athinën, më datë 06 tetor të vitit që shkoi, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Andrea Berberi. Ditën e djeshme, në aeroportin “Nënë Tereza”, ky person u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Tashmë, ai pritet të njihet me vendimin e gjykatës dhe do të dërgohet për të vuajtur dënimin prej 20 vjetësh burg.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›