Kontroll në pikat e tregtimit të produkteve ushqimore
Institucionet shëndetësore dhe ato për mbrojtjen e konsumatorit janë përfshirë në një valë kontrollesh në të gjitha pikat e tregtimit të produkteve ushqimore. Më të rrezikshmet dhe problematiket rezultojnë produktet e paambalazhuara. Ato janë nënë ndikim të drejtpërdrejtë nga ekspozimi i ndotësve bakterialë që qëndrojnë në ajër. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli shprehet se specialistët përkatës janë vënë në funksion të kontrolleve, ku janë përfshirë edhe specialistët e veterinarisë nga Ministria e Bujqësisë. Specialistët po kryejnë kontrolle për tregtimin e mishit, bulmetit, fruta-perimeve etj, të cilat në mjaft raste tregtohen në jashtë standardeve të përcaktuara. Tregtimi i mishit bëhet në thertore, ku ambienti është i ekspozuar nga pluhurat e rrugës dhe si rezultat bëhet pjesë e ndotjes. E njëjta situatë vërehet edhe në tregtimin e bulmetit, ku tregtarët ambulatorë nuk përdorin mbrojtjen në temperaturë të caktuar të produkteve, pasi nuk janë të pajisur me frigoriferë. Njëkohësisht, ata i tregtojnë produktet në ambiente të hapura dhe pa ambalazhim. Frutat dhe perimet janë të ekspozuara ndaj këtyre faktorëve mjedisorë dhe të pakujdesisë së qytetarëve, të cilat kalojnë në proces kalbëzimi dhe duhet që para konsumimit të lahen dhe pastrohen mjaft mirë.
Specialistët shprehen se më problematike është gjendja e mbajtjes së ushqimeve të konsumit të përditshëm, për të cilat japin këshilla për të mbajtur kujdes. Bulmetrat apo fruta-perimet tregtohen në rrugë jashtë standardeve higjienike, të cilat përbëjnë një rrezik për jetën e qytetarëve. Ato ndoten nga tymrat e rrugës dhe nuk kanë një temperaturë të caktuar të mirëmbajtjes.
5 Qershor 2009