Ministria e Bujqësisë, kontroll lëndëve të para ushqimore që vijnë nga Kina
Inspektorati i Kontrollit Ushqimor pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, do të kalojë në sitë që këtej e tutje të gjitha lëndët e para ushqimore që vijnë nga importi. Ky program parashikon kontrollimin dhe analizimin laboratorik të të gjitha lëndëve të para për prodhimin e ushqimeve të ndryshme që hyjnë në vend nga importi, pjesa më e madhe e të cilave janë me origjinë nga vendet aziatike. Në këtë kontroll do të jenë të përfshira të gjitha esencat, pigmentet, lënda e parë e prodhimit të vajit të gatimit, qumështi pluhur, alkoolet ushqimore, si dhe dhjetëra lloje të tjera produktesh të cilat vijnë në vendin tonë dhe përpunohen. Sipas burimeve zyrtare nga MBUMK-ja, kontrolli që do të ushtrohet ndaj këtyre produkteve ka për qëllim parandalimin e substancave dëmtuese për shëndetin e konsumatorit shqiptar, si dhe parandalimin e tyre që në pikat doganore në rast se konstatohen parregullsi. Kjo masë ka ardhur pas problemeve të shumta që tregu ushqimor evropian njohur gjatë muajve të fundit sidomos me ushqimet dhe lëndët e para ushqimore që ishin me origjinë nga vendet aziatike dhe sidomos nga Kina.
Trajtimi i mbetjeve, menaxhimi për shmangien e rrezikut
Specialistët e mjedisit kanë ndërmarrë një nismë për shmangien e rrezikut që shfaqen nga mbetjet në natyrë. Kështu, sfidat kryesore dhe ndërhyrjet e nevojshme në vend për të realizuar zbatimin e Direktivës Kuadër mbi mbetjet në Shqipëri, kanë qenë në qendër të seminarit trajnues të specialistëve. Seminari u mbajt në kuadër të Projektit “Plani i Zbatimit të Direktivës Kuadër të Mbetjeve”, i financuar nga Bashkimi Europian, me vlerën rreth 2 milion euro. Projekti ka nisur në maj të vitit 2008 dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2010. Planifikimi i menaxhimit të mbetjeve përfshin planin kombëtar për menaxhimin e mbetjeve, ndërkohë që një ndër pikat e rëndësishme është dhe pjesëmarrja e publikut dhe konsultimi me të. Për këtë janë të nevojshëm publikimi dhe shpërndarja e draft- planeve, organizimet e takimeve publike, marrja në konsideratë e sugjerimeve të bëra dhe formulimi e transmetimi i përgjigjeve ndaj çështjeve e personave të interesuar. Gjatë këtij seminari u sollën shembuj të zbatimit të në disa vende të botës, si në Skoci, Danimarkë etj.
Specialistët u shprehën se një ndër synimet, për të cilat po punohet në këtë fushë është përgatitja ligjore për të realizuar mbrojtjen.
5 Qershor 2009