E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët, akulli i përdorur në lokale nuk duhet konsumuar

Pas studimeve ka rezultuar se copat e akullit kanë përmbajtje bakteriale. Drejtoria e Higjienës në proces monitorimi të ujit të pijshëm

Emanuela Sako

Copat e akullit që ofrohen nëpër bare dhe restorante përbëjnë rrezik për qytetarët. Specialistët vënë në dukje se nga kontrollet që janë bërë në bare dhe restorante rezulton se akulli që përdoret për ftohjen e lëngjeve apo të ujit të pijshëm përbëjnë rrezik për shëndetin e qytetarëve. Ata shpjegojnë se punonjësit në këto vende publike nuk i kushtojnë shumë rëndësi higjienës së ujit që mbajnë për të ftohur lëngjet, pasi në dukje të parë akulli duket se i vret bakteret e dëmshme. Uji i ngrirë mban bakteret në gjendje të pazhvilluar, por në momentin kur ato treten me lëngjet e frutave, pijeve alkoolike apo në ujë, ato janë njëlloj të rrezikshme si në çastin fillestar. Specialistët shprehen se ndotja bakteriale shkakton probleme të shumta tek konsumatorët, të cilët janë të rrezikuar nga konsumimi i përditshëm i lëngjeve. Aktualisht, Drejtoria e Higjienës ka bërë të ditur se po kryen monitorimin e ujit të pijshëm apo ujit të pishinave për ndotjet bakteriale që shkaktohen nga ujit.
Kujdesi
Specialistët kanë këshilluar punonjësit e bareve dhe restoranteve që të kenë kujdes në enët e përdorura për të mbajtur akullin dhe njëkohësisht, të tregohen të kujdesshëm që uji të jetë i freskët. Në të kundërt, qytetarët rrezikojnë që të kalojnë në helmim apo të kenë të vjella dhe diarre. Aktualisht, Instituti i Shëndetit Publik do të monitorojë ujin e pijshëm në 500 pikat kyçe në të gjithë vendin, në mënyrë që uji të mos jetë i ndotur që në fazën fillestare. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se tashmë është përfunduar rishikimi i skemës së monitorimit të cilësisë së ujit të pijshëm në qytetet e vendit. Numri i pikave të monitorimit ka arritur në 500 nga 353 që kanë qenë në sistemin e mëparshëm. Në këtë mënyrë është rritur niveli i kontrollit të cilësisë së ujit të pijshëm nga DSHP-të e rretheve. Vlerësimi i rrezikut për ndotjet e ujit të pijshëm dhe vlerësimi i situatës higjieno-sanitare të furnizimit me ujë të pijshëm, vitet e fundit, është bërë në bazë të analizës së Indikatorëve të Shëndetit Mjedisor të rekomanduar nga OBSH-ja.
Monitorimi
Legjislacioni Shqiptar është ndryshuar dhe është përafruar me direktivat e Bashkimit Europian, në fushën e Shëndetit Publik në lidhje me ujin e pijshëm, ku është përgatitur Projekt- Rregullorja dhe Projekt- Standardi i ujit të pijshëm. Kjo mënyrë pritet të sjellë përmirësimin e ujit të pijshëm, sidomos në uljen e vlerave të normës së disa parametrave kimike me veprim toksik. Ndërkohë që Drejtoria e Higjienës bën të ditur se tashmë ka nisur monitorimin për ujin e pijshëm, ujin e pishinave, furrat e bukës apo kushtet në të cilën mbahen ushqimet. Kjo situatë është e përhershme në çdo sezon veror. Sipas specialistëve, aktualisht uji dhe furrat e bukës kanë rezultuar pa probleme nga ndotja bakteriale.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›