E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë, ligj të ri për avokatët kryesisht



Laureta Rryçi

Tiranë – Ministria e Drejtësisë harton një ligj të ri për avokatët kryesisht. Kësaj here rregulla të reja nuk janë vendosur vetëm për avokatët, por edhe për të gjithë qytetarët që do ta përfitojnë këtë shërbim juridik falas nga shteti. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë shpjeguan dje posaçërisht për gazetën “Albania” se falë këtij ligji qytetarët do të mund të kenë një avokat jo vetëm në çështjet penale, por edhe në ato civile. Mirëpo për ta përfituar këtë shërbim, qytetarët duhet të kenë kujdes të mos japin të dhëna të rreme pasi ligji i ri parashikon që në këtë rast të paguhet nga vetë qytetari shërbimi që i ka dhënë avokati i zgjedhur nga shteti. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji do të ngrihet edhe një strukturë e re, ajo e Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike, e cila do të menaxhojë tani e tutje shërbimin e avokatëve kryesisht.
Kompetencat e reja
Shërbimi i ndihmës juridike për individët është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike. Dikasteri i Drejtësisë tani e tutje ka si kompetencë zhvillimin e politikave shtetërore në lidhje me ndihmën juridike që do t’u ofrohet qytetarëve, do të ndihmojë Dhomën Kombëtare të Avokatisë për përgatitjen e akteve kryesore në lidhje me këtë kategori avokatësh si dhe do të përcaktojë edhe tarifat në varësi të shërbimeve që do të ofrojnë këta avokatë. Ndërsa Dhoma Kombëtare e Avokatisë do të përcaktojë avokatët që do të jenë kryesisht nëpër të gjitha gjykatat e vendit, do të përcaktojë cilësinë e shërbimit për secilin prej tyre si dhe në rastet e nevojshme do të shprehet me masa disiplinore për ta.
Avokatët
Ndihma juridike parësore dhe ndihma juridike dytësore jepen vetëm nga personat që ushtrojnë profesionin e avokatit. Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike përcaktojnë listën e avokatëve që autorizohen në përputhje me këtë ligj të japin ndihmë juridike, si dhe vendin e shtrirjes së veprimtarisë së tyre. Nëse është e nevojshme, Komisioni dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë mund të organizojnë konkurs për përcaktimin e avokatëve që do të japin ndihmë juridike. Avokatët kryesisht do të monitorohen për cilësinë e ndihmës juridike që do të japin. Ky monitorim është përcaktuar që të realizohet nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike. Me kërkesë të të interesuarit, kryesisht apo me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, komisioni verifikon dhe kontrollon cilësinë e ndihmës juridike për një rast konkret dhe në bazë të rezultateve ka të drejtë të zgjidhë kontratën e shërbimit me avokatin e autorizuar për dhënien e ndihmës juridike. Rezultatet e kontrollit do t’i dërgohen Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe mund të shërbejnë si bazë për marrjen e masave disiplinore ndaj avokatëve.
Kur kthehen shpenzimet
Në rast se përfituesi i ndihmës juridike në përfundim të procesit gjyqësor përfiton rimbursimin e shpenzimeve gjyqësore të parapaguara, ai detyrohet t’i kthejë Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike shpenzimet e kryera nga ky i fundit për ofrimin e ndihmës juridike në çështjen përkatëse. Personi që ka përfituar ndihmë juridike, duke paraqitur të dhëna të rreme ose të pavërteta, përfshirë edhe të dhënat për gjendjen e tij financiare, është i detyruar të kthejë të gjitha shpenzimet e kryera për ofrimin e kësaj ndihme. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike, në formën e përfaqësimit në gjykatë, për një çështje civile ose administrative, duhet të paraqitet personalisht nga kërkuesi apo përfaqësuesi i tij, i autorizuar me prokurë. Formulari i kërkesës dhe dokumentet shoqëruese përcaktohen me vendim të Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike.

Box
Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike

Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike është organ kolegjial. Komisioni do të përbëhet nga pesë anëtarë, nga ministri i Drejtësisë, njëri nga Ministria e Financave, njëri nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, i katërti nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe i pesti nga organizatat jofitimprurëse që veprojnë në fushën e ndihmës ligjore. Anëtari nga organizatat jofitimprurëse do të zgjidhet prej katër anëtarëve të zgjedhur më sipër. Mandati i anëtarëve është 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme vetëm një herë.

Personat që kanë të drejtë të përfitojnë ndihmë juridike

Kur kërkojnë të mbrohen me avokat në procesin penal në të gjitha fazat e tij dhe, për shkak të pamundësive financiare, nuk kanë mundur të zgjedhin një avokat apo kanë mbetur pa të.

Kanë nevojë për ndihmë juridike për çështjet civile ose administrative, por nuk kanë mjete të mjaftueshme për të paguar këtë ndihmë juridike apo çështjet janë tepër komplekse nga ana e përmbajtjes dhe e procedurës. Në këtë rast, personi, që ta përfitojë ndihmën juridike, duhet të vërtetojë se përfshihet në programet e mbrojtjes sociale ose plotëson kushtet për t’u përfshirë në to.

Ndihmë juridike përfitojnë edhe të miturit, për të cilët mbrojtja në procedimin penal dhe në gjykim është e detyrueshme me ligj.

Ndihma juridike mund të kërkohet para, gjatë dhe pas zhvillimit të procesit gjyqësor.

Personi, i cili përfiton ndihmë juridike, ka detyrimin të bashkëpunojë me avokatin që siguron ndihmën juridike, të japë informacion të vërtetë, për të cilin është kërkuar ndihma juridike, si dhe të sigurojë në kohë çdo informacion për rrethanat dhe kushtet që kanë ndryshuar shkakun e dhënies së ndihmës.

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›