E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrollet e Inspektoratit të Punës, OSSH abuzime në Vlorë

Shpesh herë kemi bërë të ditur në gazetën tonë problemet e shumta që ka OSSH e qytetit të Vlorës në marrëdhëniet e saj me abonentët e saj që më së shumti konsistojnë në mungesën e shpeshtë të energjisë dhe në plotësimin e faturave më shumë se sa abonentët kanë konsumuar në të vërtetë. Mirëpo këto ditë është mësuar se problemet

në këtë institucion janë të shumta edhe në vetë punëtorët e tij. Një grup kontrolli nga Inspektorati Shtetëror i Punës dega Vlorë ka ushtruar një kontroll rutinë në këtë institucion dhe ka vërejtur një sërë të metash. Më kryesorja është hartimi i kontratës individuale të vetë 110 punonjësve të këtij institucioni, ku në mënyrë fare të hapur i lihet shteg abuzimit për largimin e tyre nga puna, pa asnjë mbrojtje ligjore dhe pa të drejtë ankimi në instancat më të larta. Po ashtu, mangësi janë vërejtur në kushtet dhe sigurimin e tyre në punë. Asnjë punonjës nuk është pajisur prej një kohë të gjatë, disa vjeçare me rroba punë ndërkohë që një e drejtë e tillë buron nga vetë specifika e punës dhe po ashtu përcaktohet nga statusi i vendit të punës. Burime të besueshme të grupit të kontrollit tregojnë se këto mangësi dhe të tjera të vëna në dukje gjatë kontrollit janë pritur me shumë indiferencë nga drejtuesit vendorë të OSSH të cilat janë shprehur se një gjendje e tillë ka vite që ekziston dhe askush prej drejtuesve të mëparshëm nuk e ka pësuar për këtë situatë, duke kujtuar se detyra kryesore e tyre është vetëm sigurimi i të ardhurave mujore nga vjelja e faturave të abonentëve. Por kësaj radhe do të jetë ndryshe. Në përfundimet kontrollit të ushtruar janë lënë jo vetëm një sërë detyrash për tu përmbushur por janë bërë edhe propozime konkrete për gjobitjen e një sërë drejtuesish që kanë përgjegjësi direkt për mangësitë e vëna re dhe po ashtu janë bërë edhe propozime për shkarkime nga detyra.

V. Sako

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›