Rrëfimi i rrallë i Viktor Zhustit: Si vuajta 4 vite burg në Greqi për trafik droge
Alma Mile
Është e pamundur të mos e njohësh zërin e tij. Mbush korridorin ndërsa në një nga sallat zhvillohen prova. Kujtdo do t’i kujtohej roli i Alberit, Llanes, Luigj Gurakuqit, babit të Taulantit... Viktor Zhusti është kthyer. Shumë shpejt do ta shohim në skenën e Teatrit Kombëtar në rolin e një psikanalisti.. Është thinjur, por sytë e shkathët, hetues dhe zëri nuk i kanë ndryshuar. Por as humori. E përshëndesin të gjithë dhe ai ua kthen me ndonjë batutë. Njerëzit e duan dhe ai e ndjen këtë. Dhe ndihet mirë, paçka se jeta ndonjëherë të përgatit ca gracka, të cilave nuk di t’i shpëtosh. Pas largimit në Greqi, në vitin 1991, emri i Zhustit u përfol për shkak të një “përplasjeje” me drejtësinë greke dhe kjo i kushtoi aktorit 4 vjet heqje lirie. “Vuajta mendjelehtësinë time”, - thotë ai, ndërsa shton se tashmë ky është tashmë një kapitull i mbyllur. Tanimë thotë me bindje se po mundohet të vër në vend emrin e tij.
Ç’ju solli në skenën teatrore pas kaq shumë vjetësh?
Erdha përpara një jave në Tiranë, me ftesën e mikut tim Gëzim Kame, për të bashkëpunuar në komedinë franceze “Të gjithë kanë huqe”. Luaj rolin e një doktori që ndihmon të tjerët për të vënë ura lidhëse me njëri-tjetrin. Problemi është sa human, aq edhe dëshpërues. Sepse kemi frikë t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, sepse muret që kemi ngritur rreth vetes nuk na lënë të shohim matanë. E shohim tjetrin me dyshim. Dhe njerëzit vetizolohen, kthehen në ishuj dhe këtu fillon depresioni. Ecin rrugës dhe monologojnë me vete dhe nuk e dimë në flasin me vete, apo kanë kufje në vesh. Apo qëndrojmë në një vend dhe të mbytur nga hallet, numërojmë pllakat dhe jemi në gjendje të themi se sa janë, por nuk jemi në gjendje të themi se çfarë zgjidhje i dhamë problemit që kishim. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin, të krijojmë ura lidhëse dhe ajo që mund të na ndihmojë për të ecur në jetë është një dorë e ngrohtë. Edhe pse është komedi, është tepër terapeutike për kohën e sotshme. Njerëzit do vijnë të qeshin, nëse do të mundemi ta realizojmë pjesën siç duhet, por ata do të shohin edhe vetveten.
Ky është roli i parë pas gati 20 vjetësh, apo jo?
Gjithçka u ndërpre në vitin 1991. Ndodhën ndryshime të mëdha. U largova drejt Greqisë. Fëmijët ishin të vegjël, do fillonin rrugën e jetës, këtu nuk kishte dritë, ndërsa atje, të paktën kisha kushte minimale jetese. Por ndërkohë ne e kishim ndërtuar brenda vetes perëndimin. Shkonim në Sarandë e sytë i kishim nga Korfuzi, shkonim në Vlorë e sytë i kishim nga Italia, ose shikonim autobusët e turistëve dhe ndërtonim Perëndimin. Dhe kur vërshuam jashtë shtetit dhe pamë, që ajo që kishim krijuar, ishte iluzion. Nuk ishte toka e premtuar. Por jemi njerëz vitalë, kemi shumë energji dhe të gjithë ata shqiptarë që erdhën në Greqi si punëtorë, sot janë punëdhënës.
Ju keni kaluar një periudhë të vështirë në jetën tuaj, si ka ndodhur vërtetë, që ju u “përzjetë” në një çështje “droge” dhe më pas vuajtët edhe dënimin...
Unë nuk u përzjeva vetë, por përzjeva emrin tim. Kjo ishte më shumë një grackë e policisë greke. Këtë tha edhe prokurori i çështjes, që i vetmi faj i këtij njeriu është që ndërmjetësoi me emrin e tij. Megjithatë unë vuajta mendjelehtësinë time. Në ndonjë rast tjetër ndodh që mendjelehtësinë ta paguash edhe me kokë.
Sa dhe si e vuajtët atë që ju e quajtët mendjelehtësi?
Katër vjet. Është koha që të duhet për të kryer një fakultet. E them këtë sepse këto situata të rrisin. Mëson shumë gjëra. Duke qenë vetëm, duke i qenë i izoluar, je përpara vetes dhe ke mundësinë të reflektosh mbi gjithçka që ke bërë e më së shumti mbi gjithçka që nuk ke bërë. Në jetën e përditshme themi që nuk kemi kohë të merremi me veten, sepse puna, familja, shoqëria... E vërteta është se ne kemi frikë e këtë e fshehim me pretekstin që nuk kemi kohë. Atje këtë pretekst nuk e ngrije dot, por as që kishe frikë. Atje je ballë për ballë me veten. Njeriu në një moment të caktuar të jetës do të jetë përballë vetes, sado t’i shmanget dhe t’i rezistojë një thirrjeje të brendshme. Por uroj që ky moment të ndodhë sa më shpejt për çdo njeri, sepse mund të ndodhë që të jetë në fund të jetës dhe të mos kesh mundësi të rregullosh asgjë. Është shumë vonë. Kështu që ne si artistë, si prindër, si njerëz, sa më shpejtë ta bëjmë këtë refleksion, aq më mirë është, aq më shumë kohë i japim vetes.
Si ju dolën bilancet, keni shumë gjëra për të bërë?
Shumë. Kam humbur shumë kohë, por kam edhe shumë kohë përpara. Ky është konkluzioni që kam nxjerrë atje. Ndaj them që ato katër vjet ishin si një fakultet për mua.
Patët frikë kur u përballët me botën “jashtë”?
Jo, nuk kisha frikë, sepse isha në fund dhe duke qenë aty, nuk kisha se ku të shkoja më. Duke dalë në dritë ndjeva se duhet të gjeja forcë për të ecur. Dhe forcat i gjej në lexim, në sport, në aktivitetet artistike... Jam gjithnjë në luftë me vetveten. Përpiqem gjithnjë që ta mund Viktorin.
Kur erdhët në Tiranë, patët frikë nga gjykimi i njerëzve?
Jo, sepse nuk shoh njerëz të më shmangen, të më shohin me ndonjë lloj dyshimi, të më thonë: Erdhi... Ky moment ishte delikat për mua. Nuk them se është një kapitull i mbyllur. Është një faqe që e kam kaluar. E di se ç’është, e quaj të errët dhe e kaloj. Ky është një kapitull që unë e kam mbyllur. Nëse spektatori do ta ndjejë të nevojshme të më falë. Atëherë i jam mirënjohës, nëse ka akoma ndonjë rezervë, atëherë do të bëj edhe një përpjekje tjetër. Ky është spektatori, që më ka ndjekur edhe atëherë. Do të vijë të më shikojë, jo të më gjykojë.
Cila është jeta juaj në Greqi?
Familja, fëmijët... Po merrem me një trashëgimi që më ka lënë babai. Po mundohem të rregulloj ca gjëra. Ndjek rregullisht jetën artistike që zhvillohet atje..
Punoni?
Të përpiqesh të ndërtosh një shtëpi, një pronë të shkatërruar, të përpiqesh të rregullosh emrin tënd edhe kjo është punë.
E vuajti shumë familja dënimin tuaj?
Duke qenë në Greqi, nuk mendoj se e kanë vuajtur shumë. Po të ishim në Shqipëri, duke e njohur se familja e kujt është, ndoshta do ta kishin më të rëndë. Atje emri Viktor Zhusti, nuk të thotë asgjë, as nëpër zyra, as nëpër rrugë. Sa herë që njerëzit më shohin me kuriozitet, atëherë i them: shqiptar? Kur shoh kudo, në autobus, në restorant shikime që pyesin: mos gaboj? U them, jo nuk gaboni. Shpesh herë prezantohemi me shikime.
Vini shpesh në Tiranë?
Vij vazhdimisht për të takuar njerëzit e mi, të takoj miqtë, të shoh aktivitete artistike. Nuk i kam shkëputur lidhjet.
Përse nuk jeni aktivizuar në jetën artistike këtu?
Nuk kam pasur mundësi të vij. Sepse duhet të vij dhe të qëndroj këtu. Tani që thuajse detyrimet familjare i kam mbaruar, jam më i lirë, për të punuar më shumë me dhe për Viktorin. Fëmijët u rritën, kontradikta me gruan më nuk kam.
Do ktheheni sërish, nëse do kishit të tjera oferta?
Me shumë dëshirë. Do kisha shumë dëshirë që të vija të realizoja një projekt.
Si u ndiet kur u ulët në tavolinën e provave, krahë kolegëve tuaj?
Ajo që më mungon më shumë në Greqi, janë këta kolegë, emocionin për të ndarë mendime artistike me njëri-tjetrin. Më mungon teatri, më mungon instituti, ku kalova periudhën më të mirë krijuese nga viti 1971, deri në vitin 1991. Atje nuk kisha pretendimin që unë isha pedagogu, sepse mësoja shumë nga studentët. U rrita me ta. Ndaj dhe pranova ftesën menjëherë pa e diskutuar. Më kërkuan urgjent dhe u nisa, pavarësisht se nuk e njihja pjesën
Përse nuk jeni aktivizuar në jetën artistike greke?
Ndofta pretendimi im, ndofta, kur njerëzit më pyesnin nga je, bllokohesha. Sepse në teatër duhet të jetë gjuha letrare, gjuha e pastër, gjuha që t’i njeh, me të cilën je rritur, kultivuar. Gjuha ime është shqipja. Unë mund të kem lindur në Greqi, nëna ime është greke, por unë jam rritur këtu, u shkollova këtu.
Megjithatë duket se gjaku i nënës ju ka tërhequr ca më shumë përderisa, jetoni në Greqi...
Greqia për mua është mëmëdheu, Shqipëria është atdheu. Deri aty kur thuhet “mëmëdhe quhet toka, ku të ka rënë koka...”, e pranoj, sepse aty u linda, por e gjithë pjesa tjetër e formimit, shoqërisë, është këtu... Unë nuk jam në atë moshë që të tërhiqem dhe të rroj me kujtime. Jo, unë Shqipërinë e jetoj, përderisa kam një jetë emocionale intensive, takoj njerëz, shoh shfaqje, punoj, përgatitem...
“Të gjithë kanë huqe”, premiera e re e Teatrit Kombëtar
Prej pak ditësh kanë nisur në ambientet e Teatrit Kombëtar përgatitjet për premierën e re. Bëhet fjalë për një komedi bashkëkohore, të dramaturgut francez Laurent Baffi. Vepra origjinale titullohet “TOC TOC”, duke luajtur me trokitjen, por edhe me inicialet e një sëmundjeje nervore (troubles obsessionnels compulsifs), ndërsa në shqip, ajo do të vijë e përshtatur. “Të gjithë kanë huqe”, është komedia që do të ngjitet në skenë nën regjinë e regjisorit Gëzim Kame. Kohëve të fundit, Kame është thelluar më së shumti në tema me karakter të fortë social. Mund të përmendim këtu dramën “Pjata prej druri”, por edhe komedia në skenën e Korçës, “Kohë për t’u çmendur”, merrte nxitje nga e përditshmja. Edhe komedia franceze, ka lindur si reagim i shqetësimeve të përditshme dhe Kame, ka menduar ta përshtasë atë me ambientin shqiptar. Për këtë ai ka zgjedhur një grup aktorësh mjaft të mirë, që i përkasin brezave të ndryshëm. Në rolin e doktorit do të interpretojë aktori Viktor Zhusti, ndërsa të pacientëve, Roland Trebicka, Rajmonda Bulku, Olta Daku, Ermela Teli, Genc Fuga. Kjo pjesë është shkruar nga Baffi në vitin 2005 dhe u vu menjëherë në skenë nga një staf i mrekullueshëm artistësh francezë. E gjithë pjesa zhvillohet në një kabinet psikanalize. Doktor Sterni është specialisti më i njohur, në rang botëror, që trajton rastet e të “sëmurëve” me ide fikse, apo TOC (troubles obsessionnels compulsifs). Duke qenë i përmasave ndërkombëtare, neuro-psikiatri zhvillojnë konsulta në Francë, çdo dy, apo tre vjet dhe si rrjedhojë, ai nuk ka mundësi të vizitojë të njëjtin pacient dy herë. Kështu që në të njëjtin kabinet ndeshen njerëz që vuajnë nga paranoja nga më të ndryshmet, sigurisht të shkaktuara nga shqetësimet e përditshme.
Duke qenë një temë tepër e prekshme, shfaqja pati një sukses të menjëhershëm dhe vazhdon të jetë në repertorin, jo vetëm të teatrit parisien, por po qarkullon edhe në shumë skena të huaja, ku dramaturgu preferon t’i ndjekë vetë shndërrimet e veprës së tij.
Ku ka luajtur
Zhusti, në galerinë e personazheve
Ka luajtur shumë role dhe përpara viteve ’90, kur lulëzonte veprimtaria në Kinostudio, ishte një nga aktorët më të kërkuar. Galeria e roleve të Viktor Zhustit është e pasur. Ka luajtur partizanin e ashpër, por edhe babain e dhembshur, të riun përpara dilemave, por edhe të dashuruarin, që mundohet të tejkalojë paragjykimet. Disa prej filmave ku ai ka luajtur, mund të përmendim telekomedinë “Shi në plazh”, ku luan rolin e ylberit, një nga komeditë më të bukura shqiptare, që i ka rezistuar kohës. Për të vijuar me filmin “Nëntori i dytë”, ku luan rolin e Luigj Gurakuqit, “Taulanti kërkon një motër”, rolin e babait, Pirros. Një tjetër rol babai, tek “Kur xhirohej një film”, për të vazhduar me rolin e Llane Bletës tek “Dhe vjen një ditë”, “Malet me blerim mbuluar”, etj. Roli i doktorit në skenën e teatrit Kombëtar e kthen atë pas gati dy dekadash sërish në vëmendjen e publikut. Dëshiron të rikthehet sërish, por këtë herë me një projekt të vetin në teatër.
Kolegët, ndihmë financiare poetit Xhevahir Spahiu
Jo më kot thuhet se miqtë duken në ditë të vështirë. Ai që gjithmonë u ndodhej pranë të tjerëve me një fjalë ngushëllimi me një varg të ngrohtë e plot mirësi, sot ka nevojë për të tjerët. Prej disa ditësh një sëmundje e rëndë e ka gozhduar në shtratin e spitalit, poetin Xhevahir Spahiu. Kolegë dhe miq të poetit kanë menduar t’i ndodhen atij në këtë moment të vështirë, duke ndihmuar financiarisht kurimin e tij. Janë marrë të gjitha masat që kurimi i tij të vijojë në një klinikë të specializuar në Itali dhe me këtë rast është e nevojshme një mbështetje financiare. Është ngritur një “komision miqsh” përbërë nga bashkëpunëtorë e miq të poetit, të cilët po ndihmojnë në mbledhjen e fondeve të nevojshme. (Numrat e kontaktit për të gjithë ata që do të donin të ndihmonin janë 0682015310, 0692039222, 0692020563) Goditja erdhi të premten në mesnatë. Ekipi i mjekëve i përbërë nga prof. Mentor Petrela, Hiera Kruja dhe Mira Rakacolli thonë se diagnoza është ishemi-cerebrale. Ata mendojnë se është shkaktuar nga një tension i lartë i pakontrolluar mirë, ose mund të jetë shkaktuar prej yndyrave në gjak. Mjekët janë përpjekur ta mbajnë gjendjen nën kontroll, megjithatë, duket se kurimi jashtë vendit do të ishte zgjidhja më e mirë për stabilizimin e shëndetit të poetit. Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të njohur shqiptarë. Lindi më 1 mars të vitit 1945 në Malind të Skraparit. Studioi në fakultetin histori-filologji, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë. Vëllimin e parë poetik të titulluar “Mëngjes sirenash” e botoi në vitin 1970, për të vijuar me shuam e shumë të tjera si “Nesër jam aty”, “Zambakët e Mamicës”, “Heshtje s’ka”, “Dielli i lodrave”, “Kohë e krisur”, etj. Është fitues i shumë çmimeve letrare.
Shqipëria nga shekulli XIX në kartolina
Plot 3200 kartolina janë bërë sot protagoniste të ekspozitës më të veçantë të filatelisë në Shqipëri. “Shqipëria nga viti 1892 deri më sot” është quajtur ekspozita e prezantuar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, si një koleksion i pasur dhe i rrallë i Dr. Panajotis Kolimihalis, me origjinë të hershme shqiptare, që jeton në Greqi. Pasi kanë udhëtuar në 15 vende të ndryshme të botës, kartolinat shqiptare arritën dhe në vendin e tyre të origjinës, falë mbështetjes së ambasadorit shqiptar në Greqi, Vili Minarollit. Në çeljen e ekspozitës, vetë autori koleksionist grek u shpreh se “Është mallëngjyese të shohësh pas kaq shumë vitesh realizimin e një ekspozite kaq të dëshiruar. Kjo ekspozitë është dhe mbajta e premtimit, që unë i kam bërë babait tim, pasi kjo ishte dhe një ëndërr e tij”.
“Kopshti i vishnjave”, hap sezonin
Premiera e dramës “Kopshti i vishnjave” i Anton Çehovit hapi mbrëmë, sezonin artistik të Teatrit të kryeqytetasve, “Metropol”. Regjisori i shfaqjes dhe njëkohësisht drejtori i teatrit, Kiço Londo e konsideroi gjatë një konference për shtyp, teatrin e Metropolit si “Teatrin e Tiranës”, ndërsa shfaqjen “Kopshti i Vishnjave” si “shfaqjen e miqve”. Sipas regjisorit Londo, premiera “Kopshti i Vishnjave” do të performohet nga një grup aktorësh të rinj. “Me dashurinë dhe energjitë e tyre, ata do të çelin një shpresë të re”, vlerësoi Londo. Trupa e aktorëve interpretues në këtë premierë janë: Eni Jani, Alban Krasniqi, Loredana Gjeci, Roland Saro, Bledar Naska, Adriana Tolka, Devis Muka, Esela Pysqyli, etj.