Kush e ka parë Shqipen e Zilien...

Shtohet numri i atyre qe konsiderohen te humbur. Familjarët e dy punëtoreve të Gërdecit që rezultojnë të zhdukura, u kthyen dhe dje pa trupat e vajzave të tyre
TIRANË - Dilaveri, bashkëshorti i Shqipe Alhasës edhe mbrëmjen e djeshme u kthye hap rëndë, kokë varur e duar bosh në shtëpinë e varfër. Asnjë përgjigje nuk pati as dje për dy miturakët e tij, që prej ditësh kërkojnë me vaj nënën e mbetur kushedi se ku mes rrënojave të Gërdecit. Asgjë as dje...
Vetëm dy ditë më parë, familjarët e 25-vjeçares Shqipe Alhasa pasi kishin hequr dorë nga shpresa për të gjetur vajzën e tyre gjallë, ishin kapur gati verbazi pas një shprese të vakët tek analizat e ADN-së, se në morg ishin copat të trupit të vajzës së tyre. Por...
Përgjigja negative ktheu burrin e Shqipes dhe të afërm të tjerë sërish pranë kraterit të vdekjes. Pakkush mund t’i ndajë tashmë të afërmit e Shqipes nga forcat xheniere. Dita e tyre e kërkimeve nis bashkë me atë të forcave të ushtrisë dhe mbyllet po me ato.
E humbura Shqipe
Familja Alhasa, e ardhur para disa vitesh nga Martaneshi i Burrelit dhe banuese në fshatin Picar, ishte pothuajse krejtësisht e punësuar në fabrikën ndjellakeqe të çmontimeve në Gërdec. Shqipja punonte së bashku me dy kunatat e saj në procesin e larjes së predhave. Por, nëse ato të dyja patën fat, teksa shpërthimi i fluturoi shumë larg fabrikës, Shqipja ngeci aty brenda. E ndërsa flasin, me sytë të mbushur me lot, ndjehen si në faj që nuk mundën ta shpëtonin. Në shtëpinë e familjes Alhasa, e vendosur në kodrinën e fshatit Picar, banojnë shumë persona brenda një çatie. Është një familje e madhe, që ditët e fundit janë mposhtur nga dhimbja, nga fakti i kobshëm që s’kanë një trup të vajzës, nënës e kunatës për ta qarë. Kërkojnë e shpresojnë pafund.... Gratë e shtëpisë janë veshur me të zeza, duke shprehur nëpërmjet këtij riti mortor ,që e dinë faktin që ajo mund të ketë mbyllur përgjithmonë sytë, por pa pasur asnjë shenjë të trupit të saj.
E humbura Zilije
Ndërkohë që forcave xheniere tashmë u janë bashkuar dhe familjarët e Zilije Letit (Prinit), 19 vjeçe. Mëngjesin e djeshëm, në çadrat e ngritura nga policia ushtarake janë paraqitur tre burra të familjes Leti. Ata kanë deklaruar të zhdukur vajzën e tyre, Zilijen, e cila ishte punëtore e repartit të çmontimit. Edhe ata, si fatkeqët Hasa, kanë vendosur t’u drejtohen forcave të kërkimit pas zhgënjimit nga përgjigja e ADN-së, e cila ka rezultuar gjithashtu negative dhe për Letët. Burrat e familjes u janë bashkuar xhenierëve, me shpresën se do të gjejnë një pjesë të trupit të vajzës së tyre. Babai i Zilijes duket më i shokuari nga të gjithë. Teksa e takon dhe e pyet se pse ka vendosur që të nisë dhe ai kërkimet me xhenierët të përgjigjet: “Dua të kem një shenjë të vajzës sime”. Sipas burimeve ushtarake, mësohet se ditën e djeshme, pas marrjes së deklarimit të zhdukur, ushtarakët kanë kontaktuar motrën e Zilijes 19-vjeçare, e cila punonte në një repart me të. Mësohet se ajo ka dhënë adresim se ku mund të gjendet trupi, me qëllim që kërkimet mos të jenë të shpërndara, por të jenë të pozicionuara diku, për gjetjen sa më parë të trupit. Zilija kishte bërë celebrim para pak kohësh në Bashkinë e Vorës dhe kishte marrë mbiemrin Prini. Kjo mësohet të ketë sjellë edhe ngatërrimin me mbiemrin në listën e të humburve.