E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli në Prokurorinë e Elbasanit, shkelje gjatë pushimeve të dosjeve penale

Inspektimi Ministria e Drejtësisë ka kryer një verifikim tremujor. Pritet një raport i detajuar për Ina Ramën

Ministria e Drejtësisë ka përfunduar një kontroll tremujor në Prokurorinë e Elbasanit në lidhje me dosjet e pushuara e të pezulluara dhe konkluzionet do t’i serviren kryeprokurores Ina Rama në ditët në vijim. Mësohet se kontrolli ka nisur në fillim të muajit dhjetor dhe ka përfunduar në fund të muajit shkurt, ku kanë kaluar në “sitë” dosjet penale. Burimet nga ministria thanë për gazetën “Shqip” se janë gjetur disa parregullsi në pushimin e dosjeve, ndërsa Drejtoria e Inspektimit po harton edhe raportin e plotë që do t’i dërgohet zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Nga të dhënat e para, kontrolli ka gjetur dhjetëra shkelje, ndërsa do t’i rekomandojë edhe marrjen e masave disiplinore për prokurorë dhe OPGJ-ve konkretë.

Ndërkohë, gazeta “Shqip” ka kontaktuar me drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit, Elvin Gogaj, i cili ka pranuar se në institucionin që drejton ka pasur një kontroll nga Ministria e Drejtësisë. Titullari i akuzës elbasanase tha se kontrolli ka zgjatur tre muaj dhe ende nuk është njohur me përmbajtjen e tij. Gogaj tha se objekti i kontrollit kanë qenë dosjet e pushuara dhe të pezulluara, të cilat ligji lejon kontrollin nga Drejtoria e Inspektimit të Ministrisë. Ai saktësoi se prokuroria ka kryer një punë voluminoze dhe ka pasur arritje gjatë vitit të kaluar.

Prokuroria e Elbasanit është e treta në radhë nga akuzat në Shqipëri që i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm. Të njëjtin fat kanë pasur edhe prokuroritë në Durrës dhe Tiranë, ku inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë gjetur disa shkelje, ndërsa i kanë rekomanduar kryeprokurores Ina Rama masa ndaj disa prokurorëve. Sipas funksionimit të akuzës qendrore, nëse Ministria e Drejtësisë rekomandon masa ndaj prokurorëve, atëherë një grup kontrolli nga Prokuroria e Përgjithshme ndërmerr një kontroll në të njëjtën prokurori dhe me të njëjtin objekt. Në fund të kontrollit, raportet i drejtohen Prokurores së Përgjithshme, e cila është personi kompetent për të vendosur nëse do të marrë apo jo masa disiplinore. Në Prokurorinë e Tiranës ende nuk është vendosur asnjë masë disiplinore, ndërsa në Prokurorinë e Durrësit janë marrë pesë prokurorë nën “hetim”. Fillimisht, Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme do të analizojë shkeljet dhe në fund të shqyrtimit do të rekomandojë masat administrative, të cilat shkojnë deri në largim nga detyra.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›