E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolli në veri. Berisha: Beogradi të respektojë vendimin e Kosovës

TIRANE- Kryeministri i vendit Sali Berisha përshëndeti sot veprimet e qeverisë së Kosovës dhe EULEX-in  për të çuar në veri doganierët kosovarë. Ky veprim sipas Berishës tregon vendosjen e ligjit në këtë pjesë të Kosovës.

“Qeveria shqiptare përshëndet dhe mbështet plotësisht veprimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës dhe EULEX në kufirin verior të Republikës së Kosovës për vendosjen e ligjit dhe funksionimin e doganave dhe pikave kufitare sipas rregullave ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel për këtë çështje midis qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Serbisë”, - thuhet në reagimin e kryeministrit.

Ky veprim, siç tha Berisha nuk është gjë tjetër veçse vënia në zbatim e marrëveshjes së Kosovës e Serbisë, e arritur  në Bruksel, marrëveshje kjo, siç nënvizoi Berisha që “përbën një kontribut real në paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Në emër të qeverisë shqiptare Berisha i bën thirrje Beogradit t'a respektojë këtë vendim dhe të mos bëhet mbështetës për strukturat paralele “që duan të shndërrojnë tre komunat në veri të Kosovës protektorate të krimit të organizuar, kontrabandës dhe trafiqeve të paligjshme”, - shtoi kreu i qeverisë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›