Unaza e Madhe, Bashkia banesa sociale për qytetarët që u janë prishur shtëpitë
Emanuela Sako
Bashkia u ka ofruar ndihmë të gjithë qytetarëve që do t’u prishen shtëpitë nga zbatimi i projektit të Unazës së Madhe. Ndihma që u ofrohet qytetarëve është dhënia e një banese apo bonusi qiraje në mungesë të banesës së tyre të mëparshme. Konkretisht, qytetarët që nuk janë pjesë e shpronësimeve apo që kanë probleme financiare dhe pamundësi jetese do të bëhen pjesë e projektit të bashkisë nëpërmjet 400 banesave sociale që po ndërtohen pranë ish- Uzinës së Autotraktorëve. Në këtë rast përfshihet edhe drejta që kanë ata për të gjetur një shtëpi me qira, e cila do të subvencionohet nga Bashkia e Tiranës. Autoritetet përkatëse të Bashkisë janë njohur me problemet që kanë banorët dhe mundësitë e tyre të jetesës nëpërmjet takimeve të shumta.
Ndihma
Bashkia u ka kushtuar një kohë të caktuar shqyrtimit të programeve sociale që ofron për këtë kategori, si përfitimi nga 400 banesat sociale në zonën e ish-Kombinatit të Autotraktorëve, nga kreditë subvencionuese të shtetit, “250 kredi për 250 familje”, apo banesat me qira të ulët. Nga diskutimet me qytetarët është vlerësuar zbutja e efekteve mjedisore, nga ndërtimi i kësaj rruge. Kjo konsultë publike konfirmon projektin e Unazës së Madhe, jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në atë mjedisor e social. Përveç kësaj, qytetarëve u jepet një mundësi tjetër, ku të gjithë ata që do të jenë përfitues të banesave sociale do të mund të punësohen. Punësimi do të jetë për të gjithë ata familjarë që do të rezultojnë me të ardhurat më minimale mujore. Ndërsa puna që ata do të kryejnë është në varësi të shërbimeve që do të ngrihen në katet e para të pallateve. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, dokumentacioni dhe deklarimet e bëra nga qytetarët për të ardhurat e tyre mujore dhe mundësitë ekonomike do të merren parasysh në përzgjedhjen e tyre. Gjithashtu, do të merren parasysh edhe aftësitë që kanë ata për t’u punësuar në një nga shërbimet që do të hapen në katet e para të pallateve, të cilat mund të jenë dyqane, kopshte, çerdhe etj.
Projekti
Qytetarët duhet të ndjekin rregullat kryesore të përcaktuara nga bashkia për t’u bërë përfitues. Ata që duan të jenë pjesë e përfitimeve, duhet që të aplikojnë pranë Drejtorisë së Strehimit nëpërmjet plotësimit të një formulari. Në momentin e plotësimit të formularit aplikantët duhet të deklarojnë të gjitha të dhënat e tyre dhe të familjarëve. Kështu që Drejtoria e Strehimit në Bashkinë e Tiranës do të marrë në konsideratë kategoritë që janë në kushte të këqija ekonomike. Por, nga ana tjetër, të gjithë aplikantët duhet të plotësojnë një kuotë minimale të të ardhurave mujore për t’u bërë pjesë e përfitimit. Në këtë rast, ata duhet të deklarojnë se sa të ardhura kanë dhe nëse janë të aftë për të paguar qiranë e banesës që do të marrin nga Bashkia.
Projekti parashikon të ngrihen 4 blloqe banimi me 393 apartamente. Apartamentet do të jenë të tipit garsonierë, por parashikohet të ketë banesa më të mëdha në bazë të numrit të familjarëve që do të jetojnë në to. Kështu, përveç garsonierave, apartamentet e tjera do të jenë 2 + 1 apo 3 + 1. Pallatet do të jenë 6- katëshe, ku kati i parë do të jetë për shërbime të ndryshme, si kopshte, çerdhe, dyqane ushqimesh, veshjesh etj. Për shkak të kostos së lartë që kërkon ndërtimi i pallateve, këto ndërtesa nuk do të kenë ashensor dhe as parking në bodrumin e pallatit. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas dhe në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të bëjnë qytetarët gjatë aplikimit.
27 Maj 2009