Kontrolli rutinë zbulon 11 kg drogë në automjetin e 30-vjeçarit
Tiranë- Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 30-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet një sasi prej 11 kilogramësh lëndë narkotike, Cannabis sattiva. Sipas burimeve të policisë, i ndaluari është shtetasi Shefqet Murati, lindur dhe banues në fshatin Nojë, Krujë. Arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar “Qafë Shtama”, i realizuar nga specialistë të Seksionit Kundër Drogës, pranë Policisë së kryeqytetit, në bazë të informacioneve, në afërsi të kryqëzimit të rrugës ”Siri Kodra” në Tiranë, thanë të njëjtat burime. Në cilësinë e provës materiale në ngarkim të shtetasit Murati, u sekuestruan një shumë të hollash prej 20 000 lekësh dhe 600 euro, shumë që dyshohet të jetë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, si dhe 2 armë zjarri, 750 fishekë luftarakë, një automjet tip “Golf” dhe një pasaportë. Materialet në ngarkim të 30-vjeçarit Murati i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme për veprat penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “armëmbajtjes pa leje.
Hetim noteres për “shpërdorim të detyrës”
TIRANË - Policia e Tiranës i kërkoi të shtunën Prokurorisë së rrethit që të nisë hetimet në gjendje të lirë ndaj një notereje për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Lajmi u konfirmua të shtunën për gazetën “Albania” nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat pohuan se hetuesit e organit të akuzës kanë marrë në shqyrtim materialin denoncues të referuar nga Zyra e Antikorrupsionit në Policinë e Qarkut në ngarkim të shtetases M. Çela, 33 vjeç, notere pranë Dhomës së Noterisë në Tiranë. Sipas materialit denoncues, noterja Çela dyshohet se ka përpiluar dhe nënshkruar një prokurë të posaçme, pa praninë e dy shtetasve kërkues. Specialistët e policisë, të cilët realizuan hetimet paraprake për çështjen, kanë ngritur dyshimet se mbi bazën e këtij akti janë kryer veprime të tjera noteriale si kontrata huaje dhe kontrata hipotekimi nga ana e saj.
Plagosi për motive të dobëta, arrestohet 22-vjeçari
TIRANË - Një 22-vjeçar u arrestua pak para mesnatës së dy ditëve më parë nga policia e Tiranës pasi u identifikua si autor i plagosjes së rëndë të një shtetasi, me të cilin ishte grindur për motive të dobëta. Burime zyrtare të policisë së Tiranës bënë të ditur për gazetën “Albania” se Arjan Alldervishi, i proceduar më parë për vjedhje, akuzohet të ketë plagosur me thikë 33-vjeçarin Shpëtim Marku, banues në Tiranë, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. Mësohet se 33-vjeçari Marku ndodhet në Spitalin nr. 2 në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore.
S’ka të dëmtuar nga zjarri te një nëntëkatësh pranë ish-Parkut të Autobusëve
Tiranë- Një apartament në Tiranë u përfshi nga flakët, por për fat u regjistruan vetëm dëme materiale. Ngjarja u shënua në katin e fundit të një pallati 9-katësh në zonën e Parkut të Autobusëve. Pas njoftimit të banorëve, në vend mbërritën zjarrfikësit, të cilët punuan për shuarjen e zjarrit. Ekspertët ende nuk kanë dalë në një përfundim për shkaqet e rënies së zjarrit. “Po hetohet nga specialistët, ndërkohë që në vend për fat të mirë nuk ka pasur asnjë të lënduar”, - thanë burimet nga vendi i ngjarjes.
22 Shtator 2008