E Diel, 1 Nëntor 2026

Trebicka, ekspertët e FBI-së do të përcaktojnë shpejtësinë e mjetit



Habjon Hasani

Tiranë - Dy ekspertët amerikanë janë duke analizuar mundësitë dhe alternativat shkencore lidhur me shpejtësinë dhe dinamikën e makinës para se të mbërrinte në vendin ku u gjet. Fotografimet dhe filmimet e bëra nga dy ekspertët dy ditë më parë do të pasurohen edhe me matjet topografike të realizuara nga kolegët e tyre shqiptarë, të cilat në rezultante do të ngushtojnë pistat e ngritura deri tani derisa të mbërrihet në një pistë të vetme. Një tregues shumë cilësor lidhur me shpejtësinë do të jetë dhe krahasimi i parafangos dhe xhamit të goditur të makinës, me luhatjet e terrenit. Sikurse mësohet, inxhinieri metalurgjik dhe mekanik Kevin Teeter, ka kryer një ekzaminim të hollësishëm të parafangos së dëmtuar, për të mundur të zbulojë diçka më shumë lidhur me origjinën dhe llojin e goditjes që mund të ketë shkaktuar këtë lloj deformimi. Pasi të ketë përcaktuar llojin e goditjes që imponon këtë lloj deformimi, ekspertët do të shohin nëse terreni i vendngjarjes në Lekas mund të krijojë kushtet për të realizuar një goditje të tillë. Pasi ekspertët janë bindur se mjeti nuk ka pasur probleme xhenerike apo motorike, tashmë përllogaritja e skemës bëhet edhe më e thjeshtë, pasi pozicionimi (dhe dëmet) i makinës do të krahasohen me terrenin, duke pasur parasysh se në momentin e “aksidentimit” makina nuk kishte humbur asnjë veti të sajën.
”Pazëll”
Metodologjia e mbërritjes në një konkluzion nga ekspertët amerikanë i referohet një sistemi të quajtur “Pazëll” (Puzzle), që nuk është gjë tjetër veçse një metaforë e një loje të vjetër amerikane për fëmijë. Sikurse në lojë, të gjitha elementet e shkëputura duhet të bashkohen në mënyrë të përllogaritur dhe të saktë për të krijuar “fytyrën” e vërtetë të ngjarjes. Kjo është edhe arsyeja pse kontrolli filloi me ekspertimin motorik dhe xhenerik të automjetit, pikërisht për të qartësuar që në fillim nëse automjeti gëzonte vetitë e tij të zakonshme në çastin e aksidentimit. Më tej goditjet dhe pozicionimi do të ngushtojnë edhe më shumë pistat, ndërsa faza e dytë do të jetë krahasimi i karakteristikave të automjetit me ato të kufomës.
Kushtet
Dy ditë më parë eksperti amerikan doli me konkluzionin se makina e Kosta Trebickës ka rezultuar në gjendje të mirë teknike. Pas kontrollit teknik të mjetit nga ana e ekspertëve, burime të mirinformuara kanë konfirmuar se mjeti nuk ka pasur defekte dhe se të gjitha sistemet e tij funksionojnë normalisht. Kjo ka dalë nga provat që janë bërë me mjetin ku nuk janë konstatuar dëmtime të natyrës teknike dhe as defekte në sistemin e drejtimit, apo atë të frenimit. Pas këtij konkluzioni lindi dyshimi se si mundej të devijonte nga rruga mjeti në këto kushte të rregullta teknike. Por, asnjë nga përfaqësuesit e grupit hetimor dhe nga organi i Prokurorisë, që po ndjek me hetimet e veta shkaqet e vërteta të vdekjes së Trebickës, nuk pranon të japë sqarime mbi ekspertimin e djeshëm të mjetit, apo të japë një version zyrtar mbi atë që ka rezultuar nga ky kontroll, tepër i rëndësishëm për dosjen hetimore. Ekspertët amerikanë, dy prej të cilëve kanë mbërritur në Korçë vetëm për të bërë vlerësimin teknik të mjetit, kanë administruar më vete konkluzionet e tyre, por edhe provat që i kanë fiksuar gjatë gjithë kohës të shoqëruara me fotografitë dhe filmimet përkatëse.
EKSPERTIMET E KRYERA DERI TANI

Ekspertimi mjeko-ligjor i kufomës - përfunduar

Ekspertimi tekniko-balistik të armës së gjahut -përfunduar

Ekspertimit daktiloskopik i gjurmëve në armën e gjahut të sekuestruar në vendin e ngjarjes -përfunduar

Ekspertimi tekniko-kimik për përcaktimin e prezencës së faktorëve plotësues të qitjes në rrobat e viktimës - përfunduar

Ekspertimi toksikologjik i lëngjeve të gjetura në bidonët me mbishkrimet “Coca Cola” dhe “Bureto” - përfunduar

Ekspertimi tekniko-kimik për masën e dheut të sekuestruar në automjetin e viktimës - në proces

Ekspertimi teknik për pjesët e stukos dhe bojës së makinës - në proces

Ekspertimi teknik i copave të xhamit të gjetura në vendin e ngjarjes, me ato të marra nga makina - në proces

Ekspertimi biologjik për fijet e flokut të marra nga koka e viktimës, me qimen e gjetur në bluzën e viktimës si dhe me qimet e marra qenit të gjahut të viktimës - në proces

Ekspertimi tekniko-balistik i fishekëve të gjetur në çantat në dhomën nr. 107 në hotel “Akademia”, ku ka fjetur viktima më datë 11.09.2008 - përfunduar

Ekspertimi toksikologjik i organeve të marra viktimës gjatë këqyrjes së kufomës - përfunduar

Këqyrja e brendshme e automjetit si dhe ekspertimi auto-teknik i automjetit - përfunduar

22 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›